Shkrimtari dhe pedagogu i UET, Ylljet Aliçka, bashkëbisedim me nxënës dhe mësues nga Presheva
Të gjithëve na ka ndodhur kur kemi pasur një libër të mirë në duar që të kemi dëshiruar një bisedë me shkrimtarin, për të shuar të gjitha pyetjet mbi personazhet, historitë, lidhjet e tij personale me ngjarjet që rrëfen.
Po këto biseda lexues-shkrimtar më së shumti mbeten thjesht imagjinare. Por disa nxënës të gjimnazeve nga Lugina e Preshevës, që kanë krijuar një rreth letrar me krijues të rinj, kanë marrë guximin për ta bërë realitet bisedën me shkrimtarët, kryesisht me shkrimtarët e njohur shqiptarë.
Ky grup të rinjsh të mbështetur nga disa mësues të tyre kanë krijuar një tur bashkëbisedimesh me shkrimtarë të ndryshëm nga Kosova dhe Shqipëria dhe me mbështetjen e profesorit të tyre, Bejzad Avdiu, ata i regjistrojnë dhe i hedhin në youtube këto bashkëbisedime.
Nxënësit dhe mësues nga Presheva ishin javën që shkoi në Universitetin Europian të Tiranës për të biseduar me shkrimtarin dhe pedagogun Ylljet Aliçka mbi veprat e tij, mbi jetën dhe letërsinë.
Librat “Parullat me gurë” dhe “Rrëfenjat me ndërkombëtare” ishin dy nga librat ku nxënësit kishin më shumë pyetje për autorin, duke synuar të zbërthenin nëpërmjet pyetjeve lidhjen autor-vepër.
Në një rrëfim të sinqertë Aliçka pranoi se gjithçka kishte shkruar kishte lindur nga jeta e tij ose nga histori të treguara ose të jetuara.
“Periudha që kam kaluar si mësues në fshatrat e Burrelit, gati 9 vite, atëherë më dukej një periudhë e vështirë, por tani e kujtoj me nostalgji dhe besoj se ajo periudhë ka ndikuar shumë në formimin tim. Ka qenë një lloj “universiteti” më vete ajo kohë sepse kam lexuar shumë, kam mësuar gjuhë të huaja”, – tha ai.
Kureshtjes së lexuesve të tij të rinj që aspironin të bëheshin edhe shkrimtarë apo poetë në të ardhmen, se çfarë e bënte shkrimtarin, talenti apo leximi, Aliçka iu përgjigj në mënyrë krejt të veçantë duke marrë shembullin nga vetja.
“Çdo njeri ka mënyrën e vet për t’u bërë shkrimtar. Për shembull, unë jam bërë shkrimtar mbi 40 vjeç dhe në rrethana krejt rastësore, pasi nuk kisha menduar kurrë të shkruaja. Duke e treguar historinë e parullave me gurë disa miqve, në mes tyre ndodhi që ishte një botues francez dhe ai më nxiti ta shkruaja që ta botonte dhe rastësia e deshi që unë tregimin e parë që kam shkruar e kam botuar jashtë vendit, pra në Francë, para se të botoja në Shqipëri. Ka nga ata që kanë talent, kryesisht poetët, por leximi sigurisht është i rëndësishëm në formimin e shkrimtarit”, – tha ndër të tjera ai.
Nxënësit i mirëpriti edhe rektori i UET, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, i cili duke iu uruar mirëseardhjen në UET gjeti rastin të bënte autokritikë për këtë kontakt të vonuar dhe premtoi se në turin e Këshillimit të Karrierës që pedagogë të UET-it ndërmarrin çdo vit nëpër gjimnazet shqiptare, do të prekë vitin tjetër edhe gjimnazet e kësaj zone.
“Presheva është pjesë e kombit shqiptar dhe nuk ka një mënyrë më të mirë ose një urë lidhëse më të fortë sesa arsimi. Nëpërmjet arsimit, ne arrijmë më mirë dhe më lehtë bashkimin tonë dhe UET po punon fort që të krijojmë një treg të përbashkët edukimi në viset shqiptare”, – tha ai ndër të tjera.