Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Mustafa Nano: Përvoja e jetës që do të doja mos t’a jetoja

$
0
0

Gazetari dhe publicisti në një rrëfim të sinqertë për jetën, frikën e rebelimit në diktaturë, zbulimin e vetes, ose zgjodhi të bëhet gazetar, etj., dhe disa mesazhe për të rinjtë e sotëm shqiptarë

Gazetari dhe publicisti, Mustafa Nano ishte i ftuari special i shkollës verore të lidershipit, që UET organizoi në datat 6-9 korrik në Vlorë.

Para maturantëve dhe studentëve Nano zgjodhi të mos jepte leksion tipik, por krijoi një formë bashkëbisedimi, ku të rinjtë u bënë pjesë e një diskutimi mbi dilemat e jetës, të bukurën, median dhe deri tek historia e Shqipërisë dhe identiteti kombëtar.

Ai i provokoi  tek të rinjtë  dëshirën për të kuptuar vetëveten e më pas botën si dhe për të sjellë ndryshimin në botë e për të ndjekur ëndrrat e tyre.

Nano e nisi ‘fjalën’ e tij duke i kërkuar nxënësve të flisnin për veten e tyre, në një përpjekje për të kuptuar më mirë botën e tyre të brendshme, qëllimet, dëshirat e tyre.

Në përpjekje për të nxitur mendimin e të rinjve dhe për t’i kuptuar ata më mirë dhe mënyrën se si e konceptojnë botën, ai u shtroi një dilemë

“Përfytyroni që këtu në tokë vjen një jashtëtokësor dhe ne e futim menjëherë në muzeun e Luvrit, në Paris. Këtu jashtëtokësori, sheh piktura të ndryshme nga Rafaelo, Leonardo, Mikelanxhelo, por edhe piktura të Pikasos, Van Gogut, dhe të të tjerë autorëve modernistë. Sipas jush ky marsiani do të emocionohej përpara pikturave të Leonardos, Rafaelos, apo pas pikturave moderniste të piktorëve të sotëm ku luhet me ngjyrat, simbolet, mesazhet e fshehura?” Me këtë pyetje Nano ngjalli mjaft diskutim në lidhje me konceptin e bukurisë dhe në lidhje me faktin se ekziton apo jo një kriter universal për bukurinë.

Më tej ai foli mbi jetën e tij, mbi rebelimin e rinisë, meritokracinë, mediat dhe librin e tij më të ri “Sandëich- A është mirë me qenë shqiptar?”.

Bashkëbisedimi me maturantët:

Këtu tek ne kur vjen rasti të flasim për veten nuk themi gjëra që na përkufizojnë si duhet. Fjala vjen, unë jam i biri i filanit, unë vij nga Përmeti,  janë 17 vjeç etj. Këto janë gjëra që nuk kanë lidhje me pasionet tona, me meritatit individuale, me disponimet tona.

Mua do të më pëlqente, kjo është një bisedë sa për të hapur atë bisedën e madhe, mua do më pëlqente  shumë që njerëzit të prezantoheshin bazuar në disa gjëra që e përkufizojnë vertetë robin, fjala vjen, Unë jam filan fisteku, emri duhet thënë kuptohet, megjithëse se kemi zgjedhur ne, është një etiketë që e mbajmë. Pastaj unë do doja që njerëzit të nxirrnin në evidencë, gjërat që kanë lidhje me ata, fjala vjen do doja që dikush të më thoshte, unë jam filani, jam përgjithësisht natyrë e ndrojtur, më pëlqëjnë shumë librat, udhëtimet. Doja që kur të prezantoheshim të thonin gjëra që kanë lidhje me ne, jo me njerëz të tjerë.

Do më pëlqente më shumë të merrja vesh për botën tuaj të brendshme, çfarë marrëdhënie keni me botën, për ato që mendoni, çfarë mendoni p.sh. për Donald Trump ose çfarë mendoni për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çfarë mendoni për fetë etj. Ky do të ishte prezantim më esencial.

Doni t’ju prezantohem në këtë mënyrë që ju thashë?

Unë  jam përgjithësisht një natyrë pesimiste, në rast se më del një situatë e vështirë unë filloj dhe e humbas toruan, spo bëj shaka se ndonjëherë ndonjëri që më sheh në TV mendon se jam një njeri i sigurtë, nuk jam shumë i sigurtë, kam pasiguritë e mia. Jam i marrosur pas librave, kur them i marrosur merreni në kuptimin gërmë për gërmë, literal. Nësë në këtë botë dikush do i zhdukte librat nga faqja e dheut  për mua nuk e di nëse jeta do të kishte shumë kuptim.

Unë jam 57 vjeç, ti je 17, dhe unë moshën e thash për tju thënë që kam alamet përvojash mbas shpine. Deri në moshën 30 vjeç kam jetuar në komunizëm, do kisha dashur që atë përvojë mos ta jetoja. Jam i divorcuar, por kjo s’ka shumë rëndësi, ndoshta ka rëndësi për të treguar atë që jam tip shumë i paqëndrueshëm. Pra bëra dhe ilustrimin e asaj çfarë thashë, i kësaj natyre, se mund të thoja dhe gjëra të tjera. Me një fjalë ju këtu merrni vesh kush jam unë se po ju thash që unë jam Mustafa Nano, babain ma quajnë Selam, është 77 vjec, po tju thoja gjera të tilla, s’do ju thoja ndonjë gjë të madhe ju s’do krijonit ndonjë ide të madhe.

Çfarë ëndrre keni patur në rininë tuaj?

Kur kuptova çfarë ishin ëndrrat unë doja të realizohesha. Doja të bëja në këtë botë disa gjëra që si të thuash përputheshin me natyrën time, ose talentet që mendoja se kisha, ose kisha qejf të zbuloja një talent tek vetja, sepse fillimisht më dukej vetja i patalentuar. Sot, mendoj që të gjithë kanë talente, duhen rrethana të caktuara që njerëzit të zbulojnë talentin e tyre, sepse mendoj se një pjesë e njerëzve vdesin pa e mësuar dhe nuk duhen bërë me faj që nuk e kanë zbuluar sepse ky është zbulimi më i madh që bën një njeri, të zhbirilojë brenda vetes dhe të gjejë brenda vetes kush është ai.

Dikur kam dëgjuar, në një auditor më duket, se përfytyroni veten në shtratin e vdekjes suaj do t’ju rrethonin fantazmat e dhuntive tuaja që nuk keni përdorur, me vdekjen tuaj do të vdisnin dhe ato se janë të lidhura me ne, dhe do tju thonin pse nuk na le të dalim në këtë botë. Pse nuk na dhe shansin. Mirëpo kam përshtypjen nuk është faji i njeriut nëse nuk arrin të zbulojë, por një përpjekje duhet bërë se shoh shumë njerëz të brezit tuaj shumë të shkrehur, të demoralizuar, janë të dorëzuar nga jeta, që nuk kanë ide, nuk kanë ambicie për jetën, nuk kërkojnë. Mendoj gjëra e parë që duhet kërkuar është të kërkojmë brenda vetes, të njohim veten. Nuk është kollaj të njohim veten. Apo ju jeni të bindur që e njihni veten? Për mua është e vështirë.

A mendoni që një i ri sot që mbaron studimet duhet të ndjekë ambicjet e tij në bazë të parimeve dhe itegritetit të tij? A mund të jetë i suksesshëm ai nëse nuk bën atë që bën shumica, të konformohet me sistemin, të bëjë servilin, etj.?

Unë jam shumë kritik ndaj kësaj botës ku jetojmë, veçanërisht ndaj Shqipërisë, e shoh një botë të shthurur, ku ka shumë padrejtësi, ku një i ri si puna juaj e ka shumë të vështirë të jetojë me idenë së unë duhet të bëhem i zoti, se po u bëra i zoti i kam të gjitha dyert e hapura.

Nuk ndodh kështu në Shqipëri, sepse këtu një diplomë vlen më pak se një njohje me një njëri të pushtetshëm, se këtu një i ri ka më tepër ambicje për t’u bërë pjesë e një partie politike sesa të lexojnë libra. Sfida është e juaja. Është e gjeneratës suaj. Ju duhet të mos dorëzoheni përpara faktit që këtu e kanë në dorë këta të mëdhenjtë dhe kështu që mendoni që ajo që na mbetet është t’i bashkohemi atyre se nëse nuk e bëjmë do mbetemi rrugëve, do mbetemi pa perspektivë… Nuk e di, e shoh si rrezik që një i ri në moshën tuaj mund t’a mendojë këtë gjë, sepse sheh pjesën tjetër, që nuk ka principe, që kërkon që të pasurohet brenda ditës pa u munduar, pa asnjë meritë, që kërkon që karrierën, jo ta fillojë nga fillimi, por të shkojë direkt në majë. Në Shqipëri ndodhin gjëra shumë të cuditshme që mua më mërzitin, më dëshpërojnë

Por ju nuk duhet të dorëzoheni… Më dëshpëron fakti kur shoh të rinj që për një flamur partie janë gati të kafshojnë, jam shumë i shqetësuar…

Sot bëhen diskutime të mëdha sepse sot edhe demokracia është në një lloj krize edhe në vende të tjera të botës, unë vetë një nga ato pak bindje që kam është që demokracia është një sistem qeverisje që nuk mund të zëvendësohet me asnjë sistem tjetër sado kritika të bëhen. Në këtë kuptim nuk kam gjë as me demokracinë. Demokracinë e dua. Mirëpo nga ana tjetër demokracia shqiptare nuk është demokraci. Më pëlqejnë shumë demokracitë e këtyre vendeve Europës Veriore, ku demokracia nuk është perfekte dhe nuk do jetë asnjëherë, por atje ka meritokraci, ka më pak padrejtësi, dhe në Amerikë, që e quajnë ata “American Dream” që për mua nuk është përrallë, mund të ketë një lloj ekzagjerimi, por në Amerikë mund të ndodhë që ti nga hici të bëhesh dikushi, nuk ndodh në seri, por përgjithësisht është e mundur kjo.

Por të bëhesh dikushi dhe të mos shijosh vetëm faktin që u bëre dikushi, për ka kuptim që të realizohesh, të shkosh atje ku mund të bësh gjëra që janë të dobishme, që të krijojnë një lloj karakteri të brendshëm  dhe janë edhe të dobishme për botën. Këtë quaj realizim unë.

Këtu në Shqipëri e shoh të vështirë, këtë nuk e them për t’ju demoralizuar, këtë e them për tju mobilizuar për tju thënë që përpara keni një sfidë, për ta mundur këtë realitet. Ky është një sistem që jo t’i shkojmë mbrapa idesë, por ta ç’montojmë, ta luftojmë, duhet ta sjellim punën në atë pikë që gjërat të ndodhin ashtu siç ka kuptim që ndodhin, që një kryetar partie të zgjidhet vertetë nga njerëzit e asaj partie, jo nga vullneti i dikujt apo makinacionet e një grupi të caktuar.

Ose një njeri që e ka pasion karrierën politike, ose ka pasione nga më të ndryshmet, t’i jepet një shans, kjo është një nga gjërat më të bukura që mund t’i ndodhë një njeriu në jetë; t’i jepet një shans. Kështu që po ju dha ndonjëherë ndonjë shans kapeni fort, mbërthejeni.

Një maturant:  Është dekurajuese kur shohim moshatarët tanë që ndoshta nuk mësojnë aq sa ne por për shkak të faktorëc të ndryshëm marrin rezultate më të larta se nxënësit që punojnë fort, edhe në të ardhmen ata mund të jenë më lart me pozitë apo të ardhura, sepse kanë patur mikun apo lekun...

Nuk e di si jeni ju në mënyrë individuale, por unë vetë kam patur një lloj rebelimi ndaj botës që më vinte nga brenda, mirëpo nga ana tjetër kjo ndjesi rebelimi që kisha brenda ishte në kontrast, një lloj frike dhe unë këtë lloj frike nuk e nxora dot jashtë, po ta nxirrja do kisha rënë në burg. E nxora në vitin ’90.

Sot është më e lehtë që të ngresh krye dhe ta thuash mendimin tënd, do t’ju ftoja të gjithë, që mund të ndodheni në një situatë ku keni një mendim tuajin, dhe nuk e thoni se jeni të trembur sepse mendoni prit se shumica mendon ndryshe, ose kemi frikë ndëshkimin, nga ana politike p.sh, pushim nga puna, etj..

Këtu atëherë do vesh në balancë, këtu krahasohen gjeneratat, këtu krahasohen edhe shoqëritë nga njëra-tjetra, këtu bëhet edhe dallimi, nëse t’i kur vë në balancë ose kur t’i privilegjon ose i bindesh frikës sesa zërit tënd të brendshëm, do të thotë që ai zëri jot i brendshëm është i mekur, domethënë  që ai zëri jot i brendshëm është i mbytur nga disa bindje që nuk janë akoma të konsoliduara, se njeri kur ka një bindje është e madhe, ose që ajo frika jote është e madhe, dhe frika është për një vend pune se nuk besoj se sot të vrasin për të shprehur një bindje në Shqipëri.

Ky është një avantazh që gjenerata juaj e ka, se gjenerata ime nuk e kishte, rrezikonte shumë, më e pakta burgun. Ndërsa sot më e shumta që rrezikon është një vend pune. Shumica e njerëzve sot nuk rrezikojnë një vend pune, të ardhmen e tyre… dhe nuk është se mund t’i bësh me faj.

Kjo është një zgjedhje që ti e bën, nëse ke bërë zgjedhjen që t’i nënshtrohesh këtij realiteti atëherë mos u anko, mos u qaj, fjalën duhet ta kenë ata që nuk pajtohen.

Nejse, unë nuk dua që kur të iki nga këtu të lë mbrapa një lumë dëshpërimi, bota është e bukur pikërisht për këtë arsye ngaqë është e vështirë, ngaqë ka edhe kto sfidat.

Në kuadrin e programit “Deja Vu” keni patur shumë të ftuar, një shumëllojshmëri “kategorish” të ftuarish, cili ka qënë qëllimi në përzgjedhjen e të ftuarve?

Ideja ime ka qënë që, duhet të ishte një personazh i njohur, sepse po të ishtë i panjohur, mamaja ime ndrron kanalin, unë kam rrezikuar kam marrë dhe të panjohur, ndonjëri edhe s’më ka kënaqur…

Unë kriterin kam patur vetëm këtë, njerëz publik që kanë vertetë për të thënë,  që kanë gjëra për t’i përcjellë publikun, sepse jo gjithë personazhet publikë kanë diçka për t’i thënë  publikut, madje kam përshtypjen shumica  nuk kanë ndonjë gjë për të thënë, ndoshta kjo edhe për arsye që thamë, si kanë arritur aty.

Është shija ime personale, unë takohesha me ato me një fjalë merrja një shije personale pastaj i ftoja në emision.  Qëllimi ka  qënë që atje në studio të krijohej një bisedë dhe një dialog ku të mendohej, ku thuheshin gjëra në mënyrë të fisme, në mënyrë elegante, që mos kishte zhurmë.

Unë kam dashur që spektatorët të shohin disa modele pozitive. Kur kam patur psh Inva Mulën ose Tedi Papavramin, i kam ngacmuar në mënyrë që të dilnin tek mesazhi; ne jemi bërë sepse kemi punuar shumë.

Cili është roli i medias shqiptare sot? A është ajo e pavarur apo pjesë e pushtetit politik?

Media sot është në një gjendje shumë të vështirë. Pushtetin e ka shumë të madh, mirëpo është një pushtet i kontrolluar nga disa njerëz që e financojnë dhe që janë të lidhur me politikën.

Kështu media e ka humbur fokusin që duhet të ketë, nuk para merret me shqetësimet reale të vendit. Transmetojnë lajme që nuk përbëjnë në të vërtetë lajme.

Nëse përkufizimi i gazetarit do të ishte thjesht në spektrin e përcjelljes së një lajmi atëherë kushdo mund t’a bënte këtë. Unë i qëndroj atij përkufizimit klasik të gazetarit, që nuk është thjesht përcjellja e një lajmi.

Një gazetar i mirë di të dallojë çfarë përbën shqetësim real për vendin. Ky është lajm i vërtetë dhe ne këtë lajm duhet të përpiqemi që ta marrin vesh të gjithë.

Ju sapo keni publikuar një libër, që ka një titull provokues “A është mirë me qenë shqiptar”? Pse me këtë titull?

Libri quhet “Sandëich” dhe me një nëntitull “A është mirë me qenë shqiptar?”. Ky libër është puna më e rëndësishme e imja. Dpja të flisja për disa gjëra të historisë së Shqipërisë, që është shumë interesante. Përfytyroni një njeri të moshës suaj në shek. XIV. Apo e keni të vështirë ta përfytyroni?

Ja po e përfytyroj unë…

Një njeri i moshës suaj, që mund të banonte në Malësinë e Madhe apo Vlorë, unë e përfytyroj këtej nga malësia me lahutë, megjithëse nuk ka prova që ka ekzistuar në atë periudhë lahuta, unë besoj që ka ekzituar, në një formë primitive.

Këtej nga Dukati e përfytyroj duke iu bashkuar një grupi, duke kënduar një këngë me iso, ka qënë mënyrë për t’u argëtuar.

I përfytyroj më një armë, se marrëdhesnia me armët ka qënë atëherë gati erotike. Sepse atëherë të vdisje në shtrat ishte turp, duhej të vriteshe në betejë.

Ka ekzistuar dhe Kodi Zakonor i Lekë Dukagjinit. Dua t’ju sugjeroj që 3 libra që duhet të lexoni janë Kanuni Lekë Dukagjinit, Kur’ani dhe Bibla.

Dhe ju duhet t’i lexoni, jo sepse mund t’ju pëlqejnë, por sepse jeni shqiptarë dhe këtu ka edhe të krishterë edhe muslimanë dhe sepse kanuni i Lekë Dukagjinit ka të bëjë me esencën tonë, me mënyrën tonë të të qenit, është shumë interesant. Atëherë në shek. XIV etnia, identiteti kombëtar, nuk ka qenë shumë i rëndësishëm.

Ne themi që Skënderbeu ka qënë i joni, shqiptar, ai më shumë ka qenë i krishterë kur u bë i famshëm sesa shqiptar. Ai nënën e ka pasur sllave, etnia nuk ka qënë shumë e rëndësishme atëherë, martesat mes shqiptarëve dhe serbëve bëheshin pa problem. Këtu një pjesë e historianëve në Shqipëri i kanë mëshuar idesë se shqiptarët dhe sllavët janë armiq të përjetshëm, ka një kimi të munguar, këtu për mua thonë një gënjeshtër të madhe.

Në 150 vitet e fundit po, raporti është i vështirë midis shqiptarëve dhe sllavëve dhe shqiptarëve dhe grekëve. Por kjo sepse lindi  nacionalizmi ballakanik, lindën këto ndjenjat kombëtare.  Më përpara nuk kanë patur gjëra të tilla, kanë bashkëjetuar për bukuri me njëri tjetrin.

 

 

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Trending Articles