Drejtues të UET-it zhvilluan një takim me biznesmenë të Vorës në kuadër të bashkëpunimit mes akademisë dhe sipërmarrjes
Në kuadër të projektit 250+, bashkëpunimi i UET me biznesin, drejtues të UET-it zhvilluan një takim me biznesmenë të Vorës në ambjentet e Bashkisë Vorë.
Presidenti, prof. dr. Adrian Civici, Prof.as.Dr. Selami Xhepa dhe drejtoresha e programeve Master Dr. Orkida Ilollari u takuan me përfaqësues të 6 bizneseve të mëdha, ku u diskutua bashkëpunimi mes akademisë dhe tregut të punës.
Në takim drejtuesit e UET prezantuan projektin 250+, si një projekt që e vendos UET në kontakt të vazhdueshëm me biznesin, institucionet financiare, për të marrë nga biznesi kërkesat e tyre rreth çfarë ata kërkojnë sot nga akademia dhe për të diskutuar për mënyrat se si bizneset mund të bashkëpunojnë me universitetet.
“Ne si universitet nën shembullin e disa universiteteve në botë kemi vendosur një lloj strategjie apo filozofie në të ardhmen për të qenë universiteti i biznesit, në sensin që programet kryesore, njohuritë kryesore që merr studenti, aftësitë kryesore të jenë në funksion të nevojave që ka ekonomia, financa dhe veçanërisht biznesi shqiptar.
Universiteti të kalojë nga një universitet me dije të përgjithshme në një universitet të specializuar në funksion të nevojave të biznesit. Për këtë na nevojitet interaksioni me ju. Nga njëra ne të parashtrojmë se çfarë studentësh përgatisim, kryesisht masteri që është dhe profesioni më afër specialitetit kur ai gjen”– tha ndër të tjera Presidenti Civici.
“Ky është kuptimi i përgjithshëm që ai që vjen në UET dhe del nga UET-i të jetë sa më i gatshëm për tregun e punës”– u shpreh Presidenti i UET-it, Prof.dr.Adrian Civici.
Përfaqësuesit e bizneseve vlerësuan interesin e UET-it për këtë bashkëpunim, duke e cilësuar pioner në këtë program që vendos kontaktin e drejpërdrejtë mes akademisë dhe sipërmarrjes.
Drejtoresha e programeve Master, Dr. Orkida Ilollari tha se universiteti pjesën e praktikës tek studenti e ka në kurrikulat e tij dhe për këtë arsye është futur si risi edhe ftesa për CEO-t dhe ekspertët e kompanive të ndryshme që të japin leksione në auditor, në mënyrë që studenti të njihet nga afër me mënyrën si funksionojnë këto kompani dhe çfarë aftësish kërkojnë ato për të diplomuarit e rinj.