Nga zyrat e bankave, të kompanive apo institucioneve shtetërore në auditorin ku janë formuar. Janë historitë e ish-studentëve që rikthehen në UET për të ndarë eksperiencat e tyre në karrierën profesionale
Nga Eva Drita
Takimi i tetë i UET ALUMNI në Universitetin Europian të Tiranës riktheu disa ish-studentë në auditorin e universitetit, këtë herë jo për të dhënë provime, por për të ndarë eksperiencat e tyre me ish-pedagogët dhe me ish-studentët e tjerë. Në këto takime shihen gjithmonë arritjet që kanë bërë ish-studentët të cilët janë një krenari për universitetin dhe një stimul për studentët aktualë, duke i shtyrë që të ecin sa më shumë në jetë. UET ALUMNI dëshiron të mbajë lidhjet me këta studentë, pasi ata janë një vlerë e çmuar dhe mund të bashkëpunojnë me universitetin në çfarëdo lloj aspekti. Më poshtë MAPO ju sjell disa histori suksesi të UET ALUMNI
Sara Hafizi: Është kënaqësi të rikthehesh sërish në UET
Sara Hafizi, ka studiuar në UET në të dy ciklet, Bachelor po ashtu dhe Master. Studimet Bachelor ajo i kreu për Financë Bankë, ndërsa studimet Master i kreu për Banka dhe Tregje financiare. Ka vetëm dy vite që është diplomuar, pra në vitin 2015 dhe ka një pozicion pune për tu admiruar, pasi nuk është shumë e lehtë të fillosh një punë të mirë, kur sapo ke mbaruar universitetin. Aktualisht Sara, punon te Coca Cola, dhe ka vetëm një muaj që është ngritur në detyrë, duke kaluar në pozicionin e financial controller, pra në auditin e brendshëm të kompanisë. Eksperienca e saj ka filluar së pari, me një periudhë prove 5-mujore, e cila rezultoi e suksesshme dhe ajo më pas u punësua në kontabilitet. Duket sikur Sara ka ditur me të vërtetë t’i tregojë vlerat e saj, pasi është rritur dhe në detyrë, duke kaluar në një pozicion të rëndësishëm siç është ai i auditit të brendshëm. Ajo na rrëfeu pak për mënyrën se si e gjeti punën e saj, duke treguar se ishte UET-i “ndërmjetësi” për këtë. “Punën e gjeta nëpërmjet shkollës. Po edhe nëpërmjet zysh Ermira Qoses, e cila më ka lajmëruar vazhdimisht për punë të ndryshme në pozicione të ndryshme në kompanitë të tjera. Isha pak skeptike pasi kisha për të përfunduar studimet, por kur më thanë për Coca Colën, aplikova dhe për fatin tim të mirë fitova”, shprehet Sara. Tashmë ajo kthehet me statusin UET ALUMNI pas dy vitesh në universitet dhe ndjen një kënaqësi shumë të veçantë për këtë fakt. “Është shumë kënaqësi të rikthehesh kur merr ftesën nga shkolla dhe sidomos kur merr ftesën personale edhe nga pedagogia në veçanti. Ndihesh shumë e vlerësuar dhe mu bë shumë qejfi që më ftuan”, thotë ajo.
Merita Kabashi: UET tashmë është kthyer si një markë
Merita Kabashi ka mbaruar studimet Master në UET për Ekonomi Financë. Ajo është diplomuar në vitin 2012 në këtë universitet dhe gjatë viteve ka arritur të bëjë shumë gjëra për karrierën e saj. Merita, punon si ekonomiste në disa biznese dhe gjithashtu është e organizuar në disa organizata OJF. Ajo është ftuar disa herë në takimet UET ALUMNI, por siç tregon vetë, nuk ka ardhur sepse nuk kishte se çfarë të tregonte konkretisht mbi ecurinë e saj, dhe tani që ka arritur të ketë një karrierë të larmishme, vendosi ta ndante me të gjithë ish studentët e tjerë dhe me pedagogët. “Është hera e parë që vij në këtë takim, jam ftuar shumë herë por nuk kam ardhur sepse tani kam mbledhur disa gjëra me të cilat mund të krenohem para jush,” u shpreh ajo. Ajo dukej mjaft e kënaqur me të gjitha çfarë ka arritur dhe kishte një vetëbesim të lartë, megjithatë nuk i shmangu dot emocionet që të jep fjala e mbajtur përpara pedagogëve dhe ish studentëve gjithashtu. Rikthimi në universitet është gjithmonë emocionues dhe sado arritje të kesh në karrierë, ka gjithmonë një vend ku ti sërish emocionohesh. Për Meritën UET-i është një universitet i cili ka shumë peshë dhe ajo ende ruan një vlerësim të lartë për pedagogët që i kanë dhënë mësim. “Për mua UET është bërë si markë dhe unë ua sugjeroj shumë miqve dhe të njohurve të mi sepse shumë pedagogë që më kanë dhënë mësim unë i vlerësoj akoma,” përfundon ajo.
Kestrina Ramallari: UET-i është shtëpia ime e dytë
Kestrina Ramallari, është një UET ALUMNI e cila ka përfunduar studimet në vitin 2012 për Banka dhe tregje financiare. Eksperienca e saj në UET ka qenë shumë vlefshme pasi në këtë universitet ka patur dhe eksperiencat e para të punës. “Kam punuar dy vjet tek zyra e financës në UET dhe gjithashtu kam dhënë mësim tek departamenti i financës,” tregon ajo. Duke qenë gjithnjë në kërkim të një karriere sa më të mirë, Kestrina tashmë punon tek agjencia shqiptare e zhvillimit të investimeve AIDA, konkretisht tek departamenti i investimeve të huaja. Duke qenë se ka 5 vite që është diplomuar sigurisht që për të nuk është hera e parë që rikthehet në UET, por çdo herë është e veçantë për të. “Nuk është viti i parë që rikthehem me statusin ALUMNI, por çdo herë ndihem gjithmonë e më shumë e privilegjuar, gjithmonë e me më shumë dëshirë për tu rikthyer, pasi UET është një pjesë shumë e rëndësishme e imja”, rrëfen Kestrina. Gjithashtu ajo i vlerëson tej mase vitet që ka kaluar në UET, duke e konsideruar si një shtëpi tashmë. “Unë e quaj UET-in shtëpinë time të dytë, ku kam kaluar 7 vite dhe rikthimi është gjithmonë një kënaqësi dhe privilegj”, përfundon ajo.
Esmeralda Topuzi: Në UET rikthehem gjithnjë për të marrë këshilla nga ish-pedagogët e mi
Esmeralda Topuzi është diplomuar në UET, vetëm një vit më parë, më 2016. Ajo i ka bërë studimet Bachelor për degën Financë Bankë dhe studimet Master për Ekonomi Financë. Është një rast shumë i veçantë, pasi ka filluar punë gjatë kohës që ishte ende studente Bachelor në bankën Raiffeisen dhe ka patur një eksperiencë tre vjeçare atje. Pasi ka marrë të gjithë eksperiencën e duhur ajo e pa më se të arsyeshme të aplikonte diku tjetër, për një pozicion pune edhe më të mirë. Kështu sot ajo punon në Bankën e Shqipërisë, në departamentin e mbikëqyrjes. Pozicioni i saj i punës është inspektore e mbikëqyrjes në këtë departament. Duke qenë se nuk ka kaluar shumë kohë nga diplomimi i saj, rikthimi si UET ALUMNI për të ende nuk ka atë rëndësinë e duhur, pasi nuk ka arritur ta ndjejë mungesën e universitetit. Kjo edhe për faktin që ajo vjen shpesh në UET për të takuar pedagogë apo dhe miq. “Më duket sikur nuk kam ikur asnjëherë nga UET sepse rikthehem shumë shpesh qoftë për të takuar ish-pedagogët e mi, e për tu këshilluar më tej dhe për karrierën time, qoftë për takimet e ALUMNI-t për të ndarë eksperiencat bashkë me miqtë,” shprehet ajo. “Akoma nuk e kam ndjerë atë shkëputjen që të krijoj një ndjesi se si është kur rikthehem. Praktikisht më duket sikur kam qenë gjithmonë këtu”, përfundon Esmeralda.
Ilira Elbasani: Eksperienca në UET më ka ndihmuar shumë në karrierë
Ilira Elbasani, bën pjesë në brezin e parë të studentëve të Universitetit Europian të Tiranës, është diplomuar në vitin 2009 dhe ka studiuar për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo vendosi të studionte në UET pas një eksperience në shkollën publike dhe UET-i i la një shije shumë të mirë. “Unë vija nga një eksperiencë e mëparshme universiteti, pra kisha mbaruar shkollën publike dhe në fakt impakti i parë në UET ishte se çdo gjë ishte out of the box. Pra nuk ishte ai standardi që ne ishim mësuar, që e kishim gjithçka sipas metodës ruse të mësimdhënies ose provimeve ose siç mësonim dhe këtu çdo gjë ishte shumë ndryshe”, tregon ajo. Ajo i sheh vitet e studimit në UET si një ndihmesë shumë e madhe në karrierën e saj, pasi ishte një sistem shumë ndryshe nga ai publik, ku kishte studiuar më parë Ilira. “Kjo ishte një eksperiencë shumë e vlefshme për mua, e kam vlerësuar shumë dhe më ka ndihmuar edhe në karrierë”, tregon Ilira. Eksperiencat e saj të punës janë të shumta dhe ajo i ndau me ne arritjet e saj. “Pas Diplomimit zgjodha të punoja në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë pranë Prokurorisë së Përgjithshme e Krimeve të Rënda, duke vijuar me pas me një eksperiencë 7 vjeçare në sistem bankar me pozicione si Koordinatore e Klientëve e Menaxhere Shitjesh e Marketingu,” rrëfen ajo. Gjithashtu nuk harron të përmendë faktin se ka punuar si përkthyese zyrtare pranë Ministrisë së Drejtësisë, e në rolin e PR e marketing në shumë nisma e bashkëpunime. Tashmë ka krijuar një studio përkthimi me bashkëpunëtorët e saj të cilët janë përkthyes zyrtar dhe kjo sipas saj mund të jetë një mundësi bashkëpunimi me UET-in. We Translate Albania është një agjenci shërbimi përkthimesh të çdo gjuhe. “Mbase unë i kthehem sërish auditorit të vjetër dhe mund të krijoj një mënyrë shumë të mirë bashkëpunimi me UET-in”, sugjeroi Ilira. Si brezi i parë i UET, ajo sigurisht që i vlerëson më shumë se çdo kush këto takime midis ALUMNI-sh, dhe mbi të gjitha vlerëson vetë universitetin. “E falenderoj UET-in për eksperiencën, për dijet që kam marrë dhe ia rekomandoj gjithmonë të gjithë studentëve, mbesës po pse jo dhe fëmijëve të mi”, shprehet Ilira.