Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Gjenetika e re, lufta për bukurinë “e pamundur”

$
0
0

Doktoresha e gjenetikës, Marilena Pizzuto, mbajti një leksion të hapur në Universitetin Europian të Tiranës mbi metodat e saj inovative të ndërhyrjes te gjenet e njeriut. Pizzuto mban dhe pasaportën shqiptare si konsulle nderi e vendit tonë në Provincën e La Spezias.

Gjenet e njeriut vijojnë të jenë një mister ende i pazbërthyer plotësisht për shkencën dhe pse është kuptuar çfarë është ADN-ja, një kod i informacionit të trashëgimisë, përgjegjëse për strukturën dhe karakteristikat fizike dhe biokimike për gati të gjitha qeniet e gjalla.

Sot shkenca beson se ndërhyrja dhe modifikimi i ADN-së do të zgjidhte shumë nga sëmundjet dhe problemet e tjera për njeriun.

Një mjeke italiane, dr. Marilena Pizzuto, thotë se ka gjetur një mënyrë inovative për të ndërhyrë te disa ADN të njeriut duke e përdorur metodën e saj të re në kirurgjinë estetike.

Pizzuto ishte dje në Universitetin Europian të Tiranës e ftuar në një leksion të hapur, ku foli për gjenetikën, sfidat e shkencës sot me analizimin dhe modifikimin e ADN-së dhe lidhjen e saj të veçantë me Shqipërinë…

Gjenetistja Pizzuto mban edhe pasaportën shqiptare pasi shërben si konsulle nderi e Shqipërisë në Provincën e La Spezias në Itali.

Universiteti Europian i Tiranës e vlerësoi dr. Marilena Pizzuto me një certifikatë mirënjohjeje për kontributin e veçantë si konsulle e nderit të Shqipërisë në Provincën e La Spezias, për rolin e shumëfishimit të marrëdhënieve në të gjitha aspektet mes rajonit shqiptar dhe atij italian.

Gjenetika e re e bukurisë

Dr. Pizzuto foli mbi metodat që ajo përdor në shërbim të kirurgjisë estetike, e kthyer sot në kohët moderne jo vetëm në trend, por dhe si domosdoshmëri për një jetë të shëndetshme.

“Në gjithë laboratorët e botës bëjnë akoma zbërthimin e ADN-je, heqin pjesë të ADN dhe i studiojnë. Unë jam një hap përpara, pasi janë këto proteinat që bllokojnë gjenet dhe janë fondamentalë për jetën tonë. Unë i marr këto gjene dhe i analizoj për të arritur të zbuloj mungesën e atyre molekulave që prishin sinergjinë e funksionimit të tyre. Metoda që unë aplikoj ka nisur rastësisht. E kam nisur duke parë gratë shtatzëna, gra të reja që mbesin me një bark të shëmtuar të varur pas lindjes”, -tha ajo duke shpjeguar punën e saj.

Dr. Pizzuto është pjesë e ekipit të kirurgëve estetistë në qendrën Team Med në Milano. Puna e saj vlerësohet për teknikat e reja inovative. Një tipar dallues është teknika endoskopike kombinuar me kirurgjinë korrigjuese, që arrin të ndryshojë pamjen estetike duke korrigjuar problemet e gjirit dhe të barkut.

Endoskopia është një teknikë kirurgjikale shumë komplekse, por që vlerësohet si një teknikë e preferuar për shëndetin e pacientit. Përparësitë në fushën e kirurgjisë kozmetike janë në thelb të njëjta si për endoskopi në përgjithësi: prerje modeste, anestezi lokale, plagët e vogla, koha e shpejtë e shërimit etj. Me këtë metodë rreziqet janë reduktuar në masë të madhe, sepse kirurgu mund të shohë në kohë reale situatën “brenda” organizmit, duke eliminuar rrezikun e lëndimit aksidental të enëve të gjakut ose indeve nervore.

Dr. Pizzuto tha se falë endoskopisë mund të kryhen operacione të tilla si lifting total dhe parcial, rinoplastika, septoplastika, shtim ose reduktim i gjirit, mastopexy, gluteoplasty dhe plastikë në bark.

Pizzuto është diplomuar për gjenetikë dhe ka përvojë të gjerë në sallën e operacionit në Itali dhe Shtetet e Bashkuara. Ajo është specializuar në microsurgery dhe kirurgjinë eksperimentale në vitin 2002.

Administratori i UET-it, Henri Çili, duke e prezantuar dr. Pizzuton, duke vlerësuar rolin e saj në mjekësinë e avancuar tha se edhe aulat universitare ka ardhur koha të vlerësojnë këtë lloj mjekësie që i shërben një jete më të mirë.

“Ne bëjmë shumë gjëra që duhet, ndoshta herë pas here dhe të mërzitshme dhe shumë pak gjëra, të cilat kanë të bëjnë me ato që dëshirojmë. Ndoshta ky prezantim ose takim publik mund të na fusë në një fazë të re dhe secilit mund t’i vijë në mend të bëjë më shumë gjëra nga ato që dëshironim të bëjë. E para është e natyrshme pse ka ndodhur kështu sepse jemi një universitet dhe çdo institucion në shoqëri, ka një rol të caktuar se si ndërtohet dhe profilizohet, por koha ka ardhur për gjëra pak më relaksuese, pak më të reja siç është mjekësia e avancuar, mjekësia estetike dhe shumë elemente të një epoke të re që po vjen. Shkenca, zhvillimi, gjenetika, mjekësia, mjekësia aplikative dhe mirëqenia janë bërë një dhe nuk dallohen më, dhe ndoshta me aulat universitare ka ardhur koha të legjitimojmë një pjesë të mjekësisë së aplikuar e cila nuk është vetëm për të shpëtuar jetë, nuk është vetëm për të ulur tensionin apo kontrolluar diabetin por dhe për një jetë shumë më cilësore në raport me aspektin psikologjik që ka dimensioni i ekzistencës humane, dhe ne jemi më mirë kur ndihemi më mirë”, theksoi Çili.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180