10 vjet UET/ Dekani i Fakultetit Juridik, Prof.dr. Ksenofon Krisafi flet për rrugëtimin e tij në UET gjatë dekadës së parë
Prof.dr. Ksenofon Krisafi iu bashkua stafit akademik të Universitetit Europian të Tiranës pas një karriere të gjatë akademike. Ai kishte mbajtur detyrën e dekanit në fakultetet e drejtësisë të Universiteteve të Tiranës dhe Luarasi dhe disa detyra të rëndësishme në administratën publike. Ai është lektor i të drejtës publike, të drejtës ndërkombëtare publike dhe disa lëndëve të tjera, derivate të së drejtës ndërkombëtare. Veprimtaria kërkimore e studimore e tij është konkretizuar në një numër të konsiderueshëm monografish, librash, tekstesh mesimore, artikujsh, studimesh, punimesh si dhe referatesh e kumtesash të paraqitura në konferenca e kolokiume shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Prej afro një dekade ai është dekan i Fakultetit të Drejtësisë në UET dhe e quan këtë rrugëtim akademik si një rrugëtim ekselence bashkë me rritjen e universitetit.
Kur dhe në çfarë rrethanash iu bashkove stafit të Universitetit Europian të Tiranës?
Në ditët e para të shtatorit 2006, një telefonatë nga Henri Çili,përmes së cilës më erdhi propozimi për një kafe te “Taivani”, do të bëhej shkaku dhe shkëndija e lidhjes sime me UET-in. Henri ishte aty së bashku me 4 ortakët e tjerë të tij të asaj kohe. Ishte takimi i parë midis nesh. Racional në maksimum në shfrytëzimin e kohës, pas dy tre fjalive të para të prezantimit, gjithë politesë e respekt, ndërkohë që komunikonte me telefonata dhe sms, më propozoi që të bëhesha pjesë e Universitetit Europian të Tiranës, që grupi i djemve që ndodhej në tavolinë, do të hapte së shpejti. Përgjigja ime ishte negative, edhe pse oferta ishte joshëse në çdo pikëpamje. Arsyeja kishte të bënte me faktin që pak ditë më parë kisha pranuar propozimin që më ishte bërë nga kolegu dhe miku im i hershëm, Aleks Luarasi, rektori i Universitetit “Luarasi”, për të marrë detyrën e dekanit të juridikut. Henri dhe ortakët e tij treguan mirëkuptim dhe u ndamë, për t’u takuar pas një viti, kur m’u përsërit propozimi. Rrethanat kishin ndryshuar dhe unë iu bashkova UET-it, me detyrën e dekanit të fakultetit juridik, për t’u ngarkuar më pas edhe me atë të zëvenëdsrektorit.
Çfarë keni gjetur dhe çfarë keni bërë në UET gjatë këtyre viteve?
Në UET, siç e prisja, gjeta një mjedis rinor. Jo vetëm ortakët, por edhe grupi i pedagogëve dhe administrata karakterizohej nga dinamizmi. Të frymëzuar nga ide dhe projekte novatore, edhe pse përmes vështirësive të shumta, i ishin përveshur punës për krijimin e një mjedisi atraktiv që nxiste dëshirën e stafit dhe të studentëve për veprimtari interesante akademike e shkencore dhe rezultate të larta. Kjo atmosferë vazhdoi dhe erdhi duke u zgjeruar gjithmonë, duke marrë trajtat e një klime dhe prirjeje të përhershme moderniste. Si pjesë e saj u gjenda i përfshirë pa rezerva për të dhënë kontributet e mia modeste në arritjet që shënoheshin vit pas viti në CV e UET-it.
U gjenda mjaft mirë në veprimtarinë akademike e shkencore, në të cilën kisha disa dekada i angazhuar. Kudo ku kam qenë nuk më kanë munguar asnjëherë as auditoret universitare, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, as edhe pasioni e dëshira e përhershme për mësimdhënje, për pjesëmarrje në konferenca shkencore dhe publikime monografish, librash, artikujsh si dhe për shkrime e intervista në median e shkruar dhe atë audiovizive. Nuk pata vështirësi as në pozicionet drejtuese dhe administrative, sepse për shumë vjet karriera ime profesionale është plotësuar nga detyra të rëndësishme diplomatike e administrative, çka më ka dhënë mundësinë e grumbullimit të një përvoje shumë të vyer, të cilën pata rastin ta shfaqja edhe në UET.
Së bashku me ekipin e shkëlqyer të kolegëve të universitetit, jemi munduar të bëjmë më të mirën e mundshme dhe besoj se ia kemi arritur me sukses, duke e renditur UET-in ndër më të mirët në vend.
Çfarë përfaqëson, sipas jush, UET-i në sistemin e arsimit të lartë?
UET-i është prezantuar tashmë si një institucion ekselence në sistemin e arsimit të lartë në Shqipëri. Ai është një emër i përveçëm, i mirënjohur edhe jashtë vendit, në shtete dhe organizata ndërkombëtare, ku merr pjesë rregullisht ndërmjet shkëmbimit të stafeve akademike dhe studentëve, pjesëamrrjes së përbashkët me universitete e institucione shkencore të huaja, në projekte, veprimtari kërkimore-shkencore e akademike, në botime me interes. Veprimtaritë e shumta akademike e shkencore, niveli dhe cilësia e lartë e mësimdhënies, autoriteti dhe prestigji shkencor e akademik i një pjesë të rëndësishme të stafit, si dhe ardhja e tyre nga pozicione të rëndësishme në hallka të ndryshme të shtetit e të politikës, e kanë bërë atë veçanërisht tërheqës dhe të preferuar. Kjo duket qartë edhe nga rritja e vazhdueshme e numrit të studentëve që zgjedhin UET-in për formimin e tyre profesional dhe kualifikimin e mëtejshëm si në master ashtu edhe në doktoraturë.
Cilat janë sipas jush, pas eksperiencës në UET, gjërat më të domosdoshme që duhet të ndodhin në arsimin e lartë në Shqipëri?
Mendoj se reforma e që parashikon Ligji i ri për arsimin e lartë, ku janë përvijuar dhe sanksionuar drejtimet bazë të të ardhmes së universiteteve në Shqipëri, bashkë edhe me detyrimet për vënien e saj në jetë, shfaqet në këto kohë si ndër imperativat e daljes nga problematika e një të kaluare që duhet braktisur sa më parë. Prej kohësh në fushën e arsimit të lartë ka nisur të japë kontributin e vet të pakontestueshëm sektori privat. Është detyrë e shtetit dhe organeve kompetente që ta lejojë dhe ta inkurajojë konkurencën ndërmjet sektorit privat e publik, sipas parimit një kut një masë, si zbatim i standardeve dhe mundësive të barabarta dhe të ndalojë asimetritë në trajtim që shfaqen hera herës nga politika të caktuara populiste. Zbatimi i Ligjit për arsimin e lartë dhe i akteve që priten të dalin në zbatim të tij, duhet që, bashkë me masivizimin e kontrolluar, të garantojnë edhe rritjen e cilësisë në universitete, për t’i prerë rrugën diplomave fiktive dhe për të shmangur krijimin e një shtrese njerëzish të paaftë e parazitë, që diplomën që mund të mbajnë në duar nuk e justifikojne dot me dijet që duhet të kenë në mendje. Këta do t’i qëndrojnë në zverk shoqërisë dhe njerëzve të punës, për t’i zhvatur. Prandaj thashë pak më lartë se arsimi i lartë është në pragun e një kapërcimi të rëndësishëm, që do ta quaja pa hezitim epokal, duke pasur privilegjin që të japë kontributet e veta për një progres të rëndësishëm në zhvillimet politike, ekonomike, sociale, kulturore e artistike në vend