Universiteti Europian i Tiranës feston 10-vjetorin të hënën që vjen, duke shënuar 7 breza të diplomuarish, përfshi edhe një brez me 136 doktorantë. I themeluar si një sfidë, UET ia ka dalë të jetë një “derë e hapur” që i ka dhënë mundësi formimi mijëra të rinjve. Në këtë jubile, UET ka bërë edhe një album me 100 momente në 10 vite. Këto janë momentet nga viti i parë akademik 2009-2010.
UET Press dhe Panairi i Librit, fillimi i një historie suksesi
Në vitin 2009, universiteti merr pjesë për herë të parë në Panairin e Librit. Në këtë vit, UET Press shënon një prezencë të jashtëzakonshme në Panairin e Librit, duke u bërë një nga shtëpitë botuese kryesore me impakt të rëndësishëm në jetën e redaksive dhe botimeve shqiptare. Preç Zogaj me librin e tij “Fillimet” e tranzicionit, me përmbledhjet e gjashtë librave të parë të tij të eseve politike, krijon një marrëdhënie të re mes universitetit dhe autorëve më të rëndësishëm të publicistikës, shkencës, botimeve të shndërruara në marrëdhënien botues-autor, në një marrëdhënie parësore dhe në një marrëdhënie që krijon hapësirë për autorin shqiptar. UET Press ka shënuar mënyra të reja të marketimit të librit, duke sjellë risi në këtë treg – Marrëdhëniet Publike. Libri duhet komunikuar. Libri u duhet çuar lexuesve që lexuesi ta përfillë atë. Në vitet e mëvonshme kjo praktikë e UET Press shënon disa nga rekordet që mbeten të pathyera në redaksinë shqipe. Preç Zogaj vazhdon të mbetet një autor i UET Press dhe cikli i tij i publicistikës politike dhe shumë libra të tjerë shërbejnë si një nga librat bazë të kujtesës së bashkëkohësisë shqiptare. Cikli i publicistikës politike të Zogajt ka 11 vëllime dhe mbyllet me librin “Fillimet” për ngjarjet e viteve ’90-’92.
UET pret promovimin e veprës së plotë të Ismail Kadaresë
Në vitin 2009, në Panairin e Librit të Tiranës, ka një ngjarje të veçantë. Ismail Kadare dhe Shtëpia Botuese e tij “Onufri”, pas një pune shumë të gjatë dhe këmbëngulëse, në një cilësi mjaft të lartë, botojnë të përmbledhur, në 20 vëllime, veprën e plotë të Ismail Kadaresë. Është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe UET bëhet vendi ku Kadare promovon veprën e tij të plotë. Ceremonia krijon një impakt të veçantë në Tiranë dhe shkrimtari Kadare pranon këtë bashkëpunim me UET, – bashkëpunim që vazhdon edhe sot e kësaj dite, – duke zgjedhur një universitet dhe, për më tepër një universitet privat, për të promovuar veprën e tij të plotë në bashkëpunim me shtëpinë botuese. Vepra e plotë e Kadaresë e promovuar në mjediset e UET është një mesazh për një urë lidhëse mes brezave, ndërkohë që një brez i ri lexuesish po vjen dhe vepra e Kadaresë tashmë klasike, në njëfarë mënyre, meriton të kalojë në brezin pasardhës. Ismail Kadare, në vitin 2009-2010 është edhe kryetar i bordit të besimit të UET.
“Hinterlandi i kuq” dhe Mustafa Nano, kthim në vendlindje dhe hyrje në ese
UET punon me më të mirët dhe shërben si antenë për të fiksuar ngjarjet më historike. Ndaj dhe UET PRESS ribotoi librin “Hinterlandi i kuq” të publicistit dhe moderatorit të njohur televiziv Mustafa Nano për të vazhduar bashkëpunimin edhe me një botim të ri “Unë jam gegë”. Botimi i tij i parë “Shqipëria dhe unë.com”, krijoi një nocion: eseistika e gjatë nga fillimi në fund, nocion i cili u përforcua në botimin e radhës. “Hinterlandi i kuq”, një nga librat më të suksesshëm publicistik, shitur më shumë se 10.000 kopje, është si një evokim i fëmijërisë dhe rinisë së autorit nga Skrapari. Libri shënon një risi dhe një përforcim të stilit gazetaresk Mustafa Nano dhe, nga ana tjetër, bën një kapërcim në eseistikën shqipare, ku përmbajtja shoqërohet me një stil shumë të bukur që e bën atë komunikativ. Mustafa Nano, një nga penat më furracake të gazetarisë shqiptare, – siç e quan ai veten, me librin “Hinterlandi i kuq” përforcon sprovën e vazhdushme, eseistikën e gjatë.
UET, streha e projektit kërkimor rajonal të Zvicrës
Vetëm 3 vjet pas krijimit të tij, UET u bë institucioni që do të priste programin e madh 3 vjeçar të Ministrisë së Jashtme Zvicerane, për nxitjen e shkencave sociale në Ballkanin Perëndimor. Ky projekt krijoi, përmes një buxheti të rëndësishëm, një komunitet kërkimor shkencor nga të gjitha universitetet shqiptare të shkencave sociale, duke shënuar një politikë konstante të Zvicrës në drejtim të inkurajimit të demokracisë, debatit, kërkimit shkencor dhe lëvizjes së kërkimit shkencor me politikat publike. UET përmes ngritjes së kapaciteteve të tij kërkimore shkencore u bë mjedisi pritës që shërbeu si infrastrukturë për të gjithë komunitetin kërkues të shkencave sociale të fokusuara rreth temave të këtij projekti. Ky ishte programi i parë i rëndësishëm ndërkombëtar në të cilin UET u përfshi me sukses, duke krijuar pikërisht një destinacion të ri për shkencën dhe për kërkimin shkencor.
Krijohet UET Alumni, një për të gjithë, të gjithë për një
Alumni është një fjalë që vjen nga terminologjia anglo-saksone. Thënë ndryshe Alumni është shoqata e ish-studentëve (të diplomuar) të UET, që u krijua në UET si një risi në mjedisin universitar shqiptar. Takimet e tyre organizohen periodikisht çdo vit, në fund të majit, në formën e një festë. Takimet e diskutimet mes tyre shërbejnë si një referencë për ata që do të vijnë më pas në universitet. Alumni është përfshirë në një shkallë të gjerë në UET përmes bordeve të tregut të punës, që përbëhet nga ish-studentë të suksesshëm në tregun e punës. Nderimi me çmimin e karrierës apo konsultat periodike për zhvillimin e universitetit kanë një impakt të gjerë. Shoqata e Alumnit janë jashtëzakonisht të fuqishme në vendet perëndimore në krijimin e identitetit universitar. Fillesat e kësaj tradite në Shqipëri mund të krijojnë shansin për një solidaritet mes brezave të studentëve. Apeli moral i një studenti të UET është: “Dikush të ka mbështetur ty, ti duhet të mbështesësh dikë tjetër”. Kështu bëhen pjesë, të gjithë së bashku, në krijimin e historisë së universitetit.
Panairi i parë i Punës, UET nis takimin me tregun e punësimit
Ndër aktet pionere, (ndër 7-8 të tilla) është sigurisht dhe Panairi i Punës, një maket eksperimental i bërë tashmë traditë në UET. Rreth 50 kompani kryesore në Shqipëri qëndrojnë përgjatë një dite në hollin e universitetit, ku studentët bëjnë aplikimet e bisedat për punë, jo vetëm si praktikë institucionale por dhe si mundësira ideale për intershipe apo punësim. Kjo traditë është përforcuar prej mundësive të krijuara e prej kontakti të drejtpërdrejtë studentë- botë pune. UET me panairin e parë të punës, pas diplomimit të brezit të parë të studentëve, shënoi dhe përpjekjen sistematike për të ndjekur karrierën e studentëve të tij pas diplomimit duke i dhënë një dimension tipik bashkëkohor universitetit, i cili kujdeset për studentët edhe pas diplomimit të tyre.
Një talent si Alban Skënderaj, studenti ka gjithnjë nevojë për modele
Këngëtari i talentuar Alban Skënderaj gjatë një bashkëpunimi me UET merr mbështetjen për sponsorizimin e albumit të tij duke vlerësuar fort talentet – qoftë përmes bursave të talenteve, qoftë nëpërmjet projekteve të ndryshme kulturore, universiteti promovon modelin shoqëror të përpjekjes, dublimimit dhe të atyre të rinjve të cilët vijnë nga çdo cep i shtresave shoqërore, nga çdo periferi dhe ndërtojnë një sukses. Bashkëpunimi me UET për këtë album të radhës synon të sjellë mesazhin e mbështetjes për të tillë të rinj e të tillë talente.
2 korriku, 20 vjet më pas, ekspozita e të ikurve në ambasada
Ishte korriku i vitit 2010. Kanë kaluar 20 vjet nga ngjarja e jashtëzakonshme e ambasadave. Të vërtetat historike rreth kësaj date janë të dhimbshme. Nevoja për t’i rikujtuar ato është e jashtëzakonshme. Në praninë e Kryeministrit Sali Berisha në Muzeun Kombëtar u hap ekspozita për 2 korrikun e hapjes së ambasadave, me foto të panjohura të kësaj faze, të marra nga arkivi i Ministrisë së Brendshme. Pamjet janë drithëruese. Fotot e 6 mijë shqiptarëve janë të denja për rekordet e gjenocidit nazist, të kampeve të përqendrimit. Ekspozita shënon një vëmendje të UET jo thjesht ndaj ngjarjeve historike dhe përkujtimit të tyre, por dhe kulturës së imazhit, duke nisur dhe krijimin e arkivës universitare.
Historia politiko-juridike shqiptare, vështrime pas shekullit të parë
Nëse shteti shqiptar ishte një ide gjeniale e Rilindësve dhe një përpjekje e mundimshme e brezave të tërë shqiptarëve, 100 vjet pas shekullit të parë, historia juridiko-politike e Shtetit Shqiptar dhe aspekte të ndryshme të saj lokale, kombëtare, ndërkombëtare, të organizimit institucional duhet analizuar. Profesori i shquar i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, Ksenofon Krisafi, ka nisur një cikël botimesh, në këtë fazë shumë të pjekur dhe në fund të karrierës së tij akademike, me aspekte të ndryshme të jetës politiko-juridiko të shtetit shqiptar, të parë me një vështrim juridik apo analizave të thelluara dokumentare, përqasjeve të kryqëzuara të karakterit historik dhe atij juridik, apo të së drejtës ndërkombëtare. Profesori më i shquar i të drejtës ndërkombëtare në Shqipëri, dhe në të njëjtën kohë një nga njerëzit me një eksperiencë të jashtëzakonshme në këtë drejtim si diplomat në vite, si ekspert i të gjitha marrëveshjeve dhe negociatave ndërkombëtare të Shqipërisë në 30 vitet e fundit, sjell në këtë cikël botimesh një përvojë shumë të shquar, të gjithë esencën e punës së tij 45 vjeçare. Ky cikël nis një projekt kërkimor 5 vjeçar që do të shtohen në vite në kuadër të projekteve kërkimore të Universitetit Europian të Tiranës, udhëhequr nga vetë Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, në cilësinë e Dekanit të Fakultetit Juridik në UET.
33 intervista-dëshmi nga Sokol Balla, UET dokumenton historinë
UET Press botoi librin me përmbledhjen e 33 intervistave – dëshmi nga karriera e moderatorit të njohur televiziv dhe gazetarit Sokol Balla. Ky libër u pasua shumë shpejt me dy të tjera, po nga i njëjti autor: “Fjala e lirë, sfidë europiane” dhe “Vit i mbarë”. Universiteti tregon dhe një herë vullnetin dhe ambicien për të dokumentuar historinë, ashtu si e kanë përjetuar dhe perceptuar figura të njohura të gazetarisë dhe të jetës publike shqiptare. Këto botime janë në zbatim të filozofisë për dokumentimin e arritjeve më të mira të gazetarisë dhe publicistikës, duke seleksionuar ato që i mbijetojnë kohës, për t’i vënë në shërbim, si burim parësor a dytësor, për studentët, për disertacionet, temat e masterit, doktoratura, punimet shkencore etj. Sokol Balla është një nga rastet e këtij bashkëpunimi. UET ka tashmë disa libra të tillë, duke krijuar kështu një bazë të fuqishme për një referencë, edhe shumë vite më pas, të gazetarisë shqiptare.