Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Përparim Fuga: Cilësia si kryefjalë

$
0
0

perparim-fuga10 vjet UET/ Prof. dr. Përparim Fuga: Kryefjala e arsimit të lartë sot duhet të jetë cilësia, nga mësimdhënia te kërkimi shkencor

Universiteti Europian i Tiranës feston 10-vjetorin e krijimit këtë 19 Shtator, por disa prej drejtuesve të tij kryesorë i janë bashkuar në gjysmën e rrugës, duke sjellë eksperiencat e tyre akademike. Prof. dr. Përparim Fuga nga Nëntori i vitit 2010 iu bashkua stafit të Universitetit Europian të Tiranës, në të cilin zhvillon aktivitetin e tij akademik si lektor titullar në lëndët mbi sigurinë kombëtare dhe statistikën në shkencat sociale.

Profesor Fuga ka një eksperiencë akademike dyzet–vjeçare si pedagog në Universitetin e Tiranës dhe si studiues në Institutin e Fizikës Bërthamore në Tiranë. Në periudhën 2002–2010, përmes konkurrimit individual, profesor Fuga iu bashkua Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) me qendër në Vjenë. Gjatë kësaj periudhe, ka fituar një eksperiencë të pasur në shumë drejtime, përfshirë problemet e sigurisë ndërkombëtare. Në këtë intervistë, profesor Fuga tregon se si vendosi të bëhej pjesë e UET-it dhe si e sheh ai sfidën e arsimit të lartë sot në vend.

Kur dhe në çfarë rrethanash iu bashkove stafit të Universitetit Europian të Tiranës?

I jam bashkuar UET në fillim të muajit Nëntor 2010, pas një eksperience të gjatë në institucione të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor në vend, si dhe pas një përvoje disavjeçare pranë Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike me qendër në Vjenë. Përvoja akademike dhe përvoja e fituar jashtë vendit pranë një organizmi të specializuar të Kombeve të Bashkuara të angazhuar shumë fort në problemet e sigurisë ndërkombëtare, ishin ndër faktorët që më shtynë t’i adresohem UET.

Çfarë keni gjetur dhe çfarë keni bërë në UET gjatë këtyre viteve? 

Koha tregoi se zgjedhja ime nuk ishte e gabuar. Kam gjetur një institucion të arsimit të lartë që të impresiononte me një numër pedagogësh me përvojë në akademi, shumë prej të cilëve kishin kaluar periudha relativisht të gjata jashtë vendit në universitete apo detyra të ndryshme brenda profilit të tyre të formimit, si edhe një numër pedagogësh të tjerë, më të rinj në moshë, shumica të shkolluar në universitetet jashtë vendit. Sikurse gjeta një institucion të organizuar, madje deri në atë shkallë sa shpesh më dukej se ishte tepruar në burokraci, rregull e disiplinë.

Gjithsesi, që nga ajo periudhë jam angazhuar në UET në dy drejtime, si pedagog dhe si drejtues. Si pedagog, duke ndarë me studentët jo vetëm njohuritë me natyrë teorike në fushën e sigurisë, por edhe përvojën time personale pranë një Agjencie që meritoi Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2005 për kontributin e saj të shquar për ruajtjen e paqes dhe sigurisë botërore. Në këtë kontekst, njohuritë e fituara në vite në një fushë kaq të gjerë si siguria ndërkombëtare, duke filluar nga procesi i monitorimit të armëve të shkatërrimit në masë, problemet e energjisë dhe sigurisë së saj; lufta kundër trafiqeve të ndryshme, terrorizmi, njohja e konventave ndërkombëtare në fushën e sigurisë etj., përbënin një bagazh të mirë teorik, por edhe një përvojë konkrete e personale, që meritonte të transferohej dhe te studentët.

Njëherazi, duke shfrytëzuar përvojën e fituar pranë një organizate ndërkombëtare ku cilësia dhe kontrolli i saj ishte kryefjalë e punës së përditshme, bashkë me kolegë të tjerë me përvojë jam angazhuar dhe me problemet e sigurimit të cilësisë në aspektet e veprimtarisë akademike në UET. Përfitoj me këtë rast të falënderoj tërë këta kolegë që kishin hedhur një bazë të mirë në drejtim të cilësisë, një themel të fortë, për të avancuar së bashku në këtë drejtim. E theksoj këtë fakt pasi lidhur me cilësinë ka këndvështrime të ndryshme; por unë i përmbahem parimit që cilësia nuk është vetëm detyrë e përgjegjësi e drejtuesve të një institucioni akademik, sado të aftë qofshin ata. Ajo është detyrë, angazhim e përgjegjësi e tërë personelit akademik e ndihmës. Nëse ky parim harrohet, ka pak mundësi që të arrihet suksesi me ndonjë rrugë tjetër. Prandaj këtë parim kam luftuar ta ngulis edhe më fort brenda UET-it, ta shndërroj në moto të punës për të pasur një ekip të përgjegjshëm, të aftë profesionalisht e të motivuar për të dhënë më të mirën e mundshme. Është e lehtë të thuash se “cilësia na dallon”, pasi për të arritur këtë duhet shumë punë, punë e mundimshme, e përditshme, që nuk sos kurrë, por me sadisfaksion kur sheh se si ajo ndikon në progresin e institucionit. 

Çfarë përfaqëson, sipas jush, UET-i në sistemin e arsimit të lartë?

Është një universitet që synon të ofrojë njohuri bashkëkohore në fushën e ekonomisë, shkencave juridike dhe shkencave sociale e të edukimit, duke e lidhur dhe përshtatur ofertën e tij akademike me tregun e punës, që punon fort për t’iu përmbajtur sa më rigorozisht standardeve shtetërore të cilësisë, duke pasur si shembull dhe ndjekur përvojën e mirë brenda vendit dhe të huaja, veçanërisht atyre anglo-saksone. Është një universitet ku studentit i kushtohet kujdesi maksimal jo vetëm gjatë viteve të shkollës, por edhe më tej, sigurisht në proceset akademike, por edhe në jetën e tyre sociale etj.

Cilat janë sipas jush, pas eksperiencës në UET, gjërat më të domosdoshme që duhet të ndodhin në arsimin e lartë në Shqipëri?

Zbatimi me rigorozitet i standardeve të cilësisë pa asnjë dallim mes institucioneve, ngritja e nivelit teorik të njohurive që transmetohen te studentët, organizimi i kërkimit shkencor të mbështetur sa më mirë financiarisht e të orientuar me përparësitë e interesat kombëtare dhe në shërbim të zhvillimit të vendit, transferimi i arritjeve të këtij kërkimi te studentët, përdorimi i metodave dhe teknikave bashkëkohore në procesin e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor si dhe racionaliteti, eficienca dhe meritokracia në drejtimin e institucionit, për të formuar specialistë të aftë të përballojnë kërkesat e tregut të punës sot e për vitet e ardhshme.

Gjithsesi, e theksoj përsëri, se arsimi i lartë në Shqipëri duhet të përballojë sfidën e masivizimit, për një ngritje të përgjithshme kulturore e profesionale në shkallë kombëtare, duke mbajtur njëherazi vëmendjen maksimale te cilësia, nga mësimdhënia te dhënia e titujve e gradave shkencore, te respektimi i standardeve nga një personel i aftë akademik, i disiplinuar, i motivuar, i drejtuar me profesionalizëm dhe i përkushtuar në misionin e tij fisnik.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Trending Articles