Universiteti Europian i Tiranës feston 10-vjetorin të hënën që vjen, duke shënuar 7 breza të diplomuarish, përfshi edhe një brez me 136 doktorantë. I themeluar si një sfidë, UET ia ka dalë të jetë një “derë e hapur” që i ka dhënë mundësi formimi mijëra të rinjve. Në këtë jubile, UET ka bërë edhe një album me 100 momente në 10 vite. Këto janë momentet nga viti i parë akademik 2008-2009.
Burset e nderit, për fëmijët e heronjve të atdheut
Një nga aktivitetet e vitit 2008, që themelon një risi është plotësimi i bursave të UET me kategorinë e fëmijëve të policëve dhe ushtarakëve të rënë në krye të detyrës. Nën kujdesin e zonjës Liri Berisha e të Ministrisë së Brendshme, ky bashkëpunim ka qenë i vazhdueshëm, duke siguruar një mbështetje për këtë grup vërtet fatkeq, por krenar për kontributin sublim të prindërve të tyre për shërbimin publik dhe shoqërinë. Ky komunitet i bursistëve të UET për fëmijët e ushtarakëve të rënë në krye të detyrës është një nga komunitetet që është zhvilluar më shumë, duke u dhënë mundësinë dhjetëra individëve që të gjejnë mundësinë të kenë një fat të ndryshëm dhe një mënyrë të re të ecjes përpara, duke lënë pas fatkeqësinë e prindërve, me krenarinë e veprës së tyre sublime. Ky rrjet bën pjesë në sistemin e bursave të UET, duke shënuar ndoshta një precedent – në mënyra të ndryshme jo thjesht shteti nëpërmjet një pensioni, por e gjithë shoqëria duhet t’u jetë mirënjohëse këtyre njerëzve që kanë rënë në krye të detyrës duke i shërbyer publikut.
3 fate njerëzore, bursat e dhimbjeve të Gërdecit
Një universitet i hapur ndaj shoqërisë është një universitet i ndjeshëm ndaj të vërtetave, qofshin ato edhe krejt të dhimbshme, siç ishte dhe tragjedia e Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 qytetarë shqiptarë dhe, sigurisht, shumë më tepër fëmijë jetimë. Disa prej fëmijëve jetimë të tragjedisë së Gërdecit përfituan bursa sociale nga UET. Ceremonia e paharrueshme në Bashkinë e Tiranës dëshmoi vëmendjen e universitetit ndaj rasteve të ndjeshme, si dhe përfaqësoi një guxim publik. A duhet të kujdeset shoqëria për viktimat e një aksidenti të tmerrshëm teknologjik siç ishte Gërdeci, në kushtet kur tema ishte shumë e nxehtë politikisht? Ky ishte debati i madh që u hap. Bursat për lehtësimin e dhimbjeve të fëmijëve jetimë u dhanë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe i opozitës së kohës Edi Rama, si dhe nga Rektori i UET.
“Debate bashkëkohore”, sipas prof. Artan Fuga
Kursi i parë i programeve Master, program që në atë kohë ekuivalentohej, në përfundim, me “diplomë e nivelit të dytë”, filloi në UET në vitin akademik 2008-2009 dhe u licencua si “debate bashkëkohore”. “Debate bashkëkohore” ishte një kurs hyrës dhe integrues për të gjitha llojet e diplomave të ciklit të dytë, për të agreguar e sjellë në një model të përbashkët “studentin Master”, që vinte nga studime, universitete dhe kohë të ndryshme. Ky lloj kursi trajtonte debatet kryesore bashkëkohore të kohës, themeluar dhe ideuar nga Prof. Artan Fuga, lektori i parë i këtij kursi në auditorin e tejmbushur “Aula Magna”. Universitetet më të rëndësishme e kanë për traditë një kurs hyrës transversal, i cili kompleton dhe drejton studentët në debatin e epokës në të cilën ndodhen, duke i dhënë një dimension të domosdoshëm studentit: atë të qytetarit dhe njeriut që jeton epokën dhe kontekstin e saj. Kush, më mirë se profesori i filozofisë Artan Fuga, mund ta ideonte dhe ta kthente këtë kurs në shumë të ndjekur, në kurs që shënonte një risi për universitetet shqiptare ku nevoja për një lidhje direkte me debatet bashkëkohore ishte më shumë se e domosdoshme. Pothuaj të gjithë universitetet karakterizoheshin nga programe të vjetra, të papërditësuar, në rastin më të mirë të dhjetë apo njëzet viteve më parë. Kursi “Debate bashkëkohore” do të rikthehej në auditoret e UET-it dhe në të gjitha programet, si pjesë e rëndësishme për studimet bazë dhe, bashkë me një grup tjetër lëndësh, krijuan një modul të plotë, pjesë e kurrikulës të çdo dege, që i takojnë formimit të përgjithshëm, ose siç quhet ndryshe, “dijes sokratike”, të cilat e bëjnë studentin një qenie intelektuale, ndonëse nuk ka depërtuar ende në thellësitë dhe teknikalitetet e profesionit.
Kushtetuta, baballarët e saj: Dhjetë vjet më pas, debati vazhdon
Dy bashkëkryetarë të komisionit për themelimin e Kushtetutës së re Shqiptare, Arben Imami dhe Sabri Godo të ulur në panelin e Konferencës Shkencore: Kushtetuta Shqiptare, 10 vjet më pas, në nëntor të vitit 2008. Panel shumë prestigjioz, debat shumë i gjallë. Sot, Sabri Godo nuk jeton më dhe ndoshta ky moment, është një nga dëshmitë e tij të fundit në lidhje me një akt historik siç ishte kushtetuta e vitit 2008, e cila u hartua në kushte sui generis pas krizës së vitit 1997, pas dështimit gati 8 vjeçar (që prej 1991) të demokracisë së re shqiptare, për të miratuar një Kushtetutë. Politikanë, juristë, aktorë analizuan përvojën 10 vjeçare të Kushtetutës Shqiptare, çfarë ishte mirë dhe çfarë ishte keq, çfarë ishte funksionale e çfarë ishte bllokuese. Me këtë konferencë, UET kontribuoi në elaburimin e debatit politiko-publik në Shqipëri, për aktin më të lartë të zhvillimit të një shoqërie, kushtetutën e vendit. Debati i zhvilluar në këtë konferencë u bë, më pas, pjesë e përmbajtjes së njërit prej numrave të radhës të revistës “Jus & Justicia”.
Kur Erion Veliaj filloi të frymëzohej nga Obama
Nga libri i Obamës, sigurisht. Ishte koha e zgjedhjeve në SHBA dhe për herë të parë u shfaq një kandidat potencialin real, me ngjyrë, për t’u bërë president i Shtëpisë së Bardhë. Jehona erdhi e jashtëzakonshme dhe në Shqipëri. Bashkë me jehonën, erdhi i botuar në shqip edhe libri i kandidatit për president, Barak Obama “Unë guxoj. Guximi për të shpresuar”. Ky libër u prezantua për studentët e UET-it, nga Erion Veliaj, në atë kohë kryetar i lëvizjes G99, një nga fansat e stilit politik e komunikativ të Obamës. Në universitet u debatua për librin, si dhe rreth risisë e fenomenit “Obama” në politikën botërore, për shanset se si Amerika e dikurshme e dallimit racial, Amerika e dikurshme e segregacionit… të mund të çojë në Shtëpinë e Bardhë një president me ngjyrë, për më tepër me baba mysliman. Një president me origjinë afrikane në Shtëpinë e Bardhë. Pas këtij lloj debati të drejtuar nga Erion Veliaj, – Veliaj ka shkruar parathënien e librit, – temat sfiduese, siç ishte dhe kjo e Obamës, u bënë pjesë e auditorit UET.
Senati i parë akademik, pedagogët udhëheqin universitetin
Institucionet akademike private janë të reja dhe të reja janë edhe mënyrat e zgjedhjes së institucioneve akademike brenda tyre. Pas strukturimit të plotë dhe përfundimit të ciklit të parë të studimeve, UET konstituon Senatin Akademik të universitetit dhe krijon, me këtë rast, një precedent – zgjedhjen e anëtarëve të jashtëm për anëtarë të senatit akademik, nga radhët e figurave të rëndësishme të jetës së vendit, si kryetari i Gjykatës së Lartë, ose zv. guvernatori i Bankës së Shqipërisë e kështu me radhë. Anëtarët e jashtëm kontribuojnë në fushën akademike me pjesëmarrjen e tyre në mbledhjet e senatit, ndonëse nuk kanë votë të drejtpërdrejtë. Senati është organi më i lartë i universitetit, ku merren të gjitha vendimet akademike dhe është, në të njëjtën kohë, faktor në zhvillimin bazë të universitetit. Në Senat diskutohen çështje me natyrë akademike, si dhe çështje që lidhen me zhvillimin strategjik të universitetit. Zgjedhjet për senatin akademik zhvillohen rregullisht në UET. Senati i parë i UET përfshin një përfaqësues të prindërve, një përfaqësues të studentëve dhe pedagogë. Senati mbetet një burim i rëndësishëm i oponencës së stafit menaxherial dhe i vendimmarrjes strategjike-akademike për zhvillimin e institucionit.
Adam Miçnik, disidenti legjendar për politikën dhe historinë në UET
Universiteti është një pikë, një stacion për personalitete të fuqishme botërore. Eshtë rasti i disidentit të famshëm polak Adam Miçnik, i cili u bë pjesë e konferencës “Politika dhe historia”, në Universitetin Europian të Tiranës. Miçnik mban një referim shumë interesant rreth politikës, historisë dhe ideologjisë. Miçnik është një zë emblematik i disidencës në Europën lindore, në të njëjtën kohë edhe i jashtëzakonshëm, edhe intuitiv. Miçnik debaton me pedagogë e studentë dhe, gjatë fjalës së tij, ndiqet me kureshtje të plotë për atë se si ai, – një nga aktorët kyçë të transformimeve në Poloni, – krijon, imagjinon ose vlerëson nga gati njëzet vjetët e ndryshimeve demokratike në Europën Lindore. Adam Miçnik në këtë aktivitet thekson nevojën se si kujtesa për të shkruar nuk duhet përdorur për hakmarrje, revansh ose ndarje shoqërore, por për çlirim nga e keqja dhe ecja përpara.
Edi Rama, ide për arsimin e lartë: Konkurrues, me një kut, një masë
Kryetari i opozitës, Edi Rama, në prag të zgjedhjeve të vitit 2009, bën një prezantim të programit për arsimin në UET me studentët. Rama shfaq termat e parë të vizionit të tij për reformimin e arsimit të lartë. Ai fut për herë të parë termin e konkurrencës së lirë e të ndershme dhe të trajtimit të barabartë të sektorit publik dhe privat nëpërmjet standardeve që njohin rolin shumë të rëndësishëm të këtyre institucioneve të reja në jetën publike. Universiteti është një urë për komunikim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët politikë për të impaktuar në shërbim të interesit publik dhe të sektorit. Programet e partive politike të të gjitha krahëve, për këtë element, promovojnë legjitimimin me të drejta të barabarta të sektorit privat në arsimin e lartë, përtej çdo paragjykimi dhe kundër çdo abuzimi: trajtim të barabartë, të ndershëm dhe me parimin “Një kut, një masë”. Ky ishte dhe angazhimi i përfaqësuesve të UET në konferencën kombëtare të PS-së në Durrës, në vitin 2008, për arsimin dhe ishte pikërisht Edi Rama që përmendi para studentëve vizionin e tij për arsimin e lartë.
Rrjeti i parë i ekselencës, UET gjurmon më të mirët
Hubert Petit takohet me studentët ekselentë në UET dhe mban një leksion. Kanë filluar të jenë të pranishëm lektorët e parë të huaj në UET. Një prej tyre është pikërisht ish zv. ambasadori i BE-së në Tiranë, Hubert Petit, i cili me theksin e tij akademik, u rikthye në UET për të dhënë një cikël leksionesh për politikat e BE-së dhe integrimin europian. Petit është një specialist shumë i rëndësishëm dhe studentët kanë ndjekur, përmes tij, jo vetëm një akademik, por edhe një person që ka pasur një zë ekzekutiv në politikat e BE-së në rastin shqiptar. Petit ka punuar në funksione të rëndësishme për të qenë në cilësinë dhe standardin e lektorëve ndërkombëtarë. Në përfundim të këtij leksioni, studentët pajisen me një certifikatë pjesëmarrje dhe krijojnë një ide se çfarë do të thotë të punosh me një lektor të huaj, me standardet dhe idetë e një bote të hapur dhe një informacion të përditësuar. Programi i lektorëve të huaj në UET, pjesë e internacionalizimit të tij, nisi me këto module të para, duke u konkretizuar, më pas, në sistem, i cili tashmë është i plotë dhe i institucionalizuar. Lektorët e huaj janë të pranishëm në shumicën e kurseve të UET.
2006-2009, UET hedh kapelet e para të të diplomuarve
Eshtë fundi i vitit të tretë akademik. Ceremonia e parë e diplomimit të studentëve të parë, të programit Bachelor, zhvillohet në Pallatin e Kongreseve. Kjo ceremoni krijoi një emocion të veçantë – kurrë nuk ke mundësi të dytë për të përjetuar këtë emocion të parë. Si i tillë emocioni i pedagogëve themelues dhe studentëve të parë ishte i jashtëzakonshëm, në një ceremoni brilante në Pallatin e Kongreseve në tiranë. Kemi mundësinë të shohim finalizimin. Koha po vërtetonte sfidën e ndërtuar mbi pyetjen “E bën dot?” Po, studentët e parë u diplomuan nga institucioni duke shënuar të diplomuarit e parë dhe duke siguruar vazhdimësi. Prindër, të afërm të studentëve që u diplomuan, gjithë stafi akademik u mblodhën në Pallatin e Kongreseve në ceremoninë e parë të diplomimit. Njëkohësisht, është krijuar edhe sistemi i veshjeve për të gjitha nivelet akademike, duke theksuar një precedent në ceremonitë e para të diplomimit. Dy ose tre universitete të tjera private përpara UET, në vitin 2009, kanë bërë ceremoninë e diplomimit duke kontribuar të gjithë së bashku në themelimin e kësaj ngjarjeje shumë tipike për universitetet anglo-saksone. Ceremonia e diplomimit ka rekuizitën e vet, ceremonialin e vet dhe veshjen e vet. Veshjet e dizajnuara nga stilistja Rezarta Skifteri përfaqësojnë frymën e universitetit dhe janë një ndërthurje e blusë me të bardhën, duke ruajtur identitetin vizual të universitetit deri në pikën e fundit që është pikërisht veshja ceremoniale e diplomimit.