Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Ëngjëll Pere: Në UET krijohen elitat e profesionistëve të rinj

$
0
0

engjell pere10 vjet UET/ Prof. dr. Engjëll Pere, Dekan i Fakultetit Ekonomik dhe i Teknologjisë së Informacionit në UET

Prof. dr. Engjëll Pere është lektor i lëndëve Mikroekonomia, Kontabiliteti Nacional dhe Financat Publike etj. dhe ekspert në fushën e promovimit dhe zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME), ekspert në fushën e menaxhimit financiar të korporatave dhe fushën e legjislacionit fiskal dhe procedurave tatimore. Me një eksperiencë të gjatë në organizata dhe projekte të rëndësishme shkencore ai vjen në UET në vitin 2010. 

Kur dhe në çfarë rrethanash iu bashkove stafit të Universitetit Europian të Tiranës?

Faktikisht jam pjesë e stafit të Universitetit Europian të Tiranës nga fillimi i vitit 2010, megjithëse realisht, rreth 1-2 vite përpara, kam qenë i angazhuar në këtë Universitet si pedagog i jashtëm pranë Seksionit të Ekonomiks-it. Megjithëse nuk kam qenë ndër pedagogët e parë në UET, e aq më shumë ndër themeluesit e tij, besoj se interesi në angazhimin në këtë Universitet, (atëherë mjaft i ri), ishte ai që tërhoqi edhe mjaft pedagogë të tjerë: aktiviteti dinamik, fleksibiliteti në ofrimin e një kurrikule sa më eficiente, mundësitë për një menaxhim më autonom dhe efektiv të burimeve, gjallëria e jetës akademike e studentore etj. Nga ana tjetër, pas një periudhe relativisht të konsiderueshme në arsimin e lartë, angazhimi në UET ishte edhe një sfidë e re, për të kuptuar më mirë ndryshimin thelbësor që po ndodhte në strukturën universitare në vendin tonë me përfshirjen në të edhe të sistemit të arsimit të lartë privat.

Çfarë keni gjetur dhe çfarë keni bërë në UET gjatë këtyre viteve?

Në mënyrë të sintetizuar, mund të them se kam gjetur një ambient të karakterizuar nga një punë mjaft intensive dhe sigurisht, kam dashur dhe jam munduar të punoj intensivisht. Në këtë aspekt, një nga gjërat e para që kam kuptuar këtu është se ndërtimi i një Universiteti privat, në veçanti në ambientin tonë, është diçka aspak e lehtë, përkundrazi kërkon një angazhim dhe dedikim të plotë. Fakti që sot UET është në përvjetorin e 10-të të tij, ku statistikat tregojnë një rritje të vazhdueshme të interesimit të publikut për këtë institucion, është rezultat në radhë të parë i kësaj pune dhe serioziteti të të gjithë stafit akademik. Personalisht gjatë këtyre viteve jam i angazhuar në funksione të ndryshe, si pedagog, Përgjegjës Departamenti dhe së fundmi Dekan i Fakultetit të Ekonomisë dhe Teknologjisë së Informacionit. Sidoqoftë, ajo që karakterizon në tërësi këtë institucion është harmonizimi i raporteve midis tri aspekteve të veçanta: anës akademike, punës kërkimore e shkencore dhe angazhimit social. Në këtë këndvështrim, mund të them se sot UET ka krijuar dhe konsoliduar pikërisht mekanizmin e kontributit të gjithsecilit individ në këto aspekte. Në të tria drejtimet mendoj se puna e bërë dhe arritjet mund të vlerësohen në mënyrë të konsiderueshme. Së pari, në drejtim të kurrikulës akademike, i gjithë stafi ka qenë i angazhuar në mënyrë të vazhdueshme (të thuash “periodikisht” është pak) në ndërtimin e programeve sa më afër tregut të punës, me diskutime, përshtatje dhe ndryshime, të cilat mendohet se kanë qenë më afër profesioneve të kërkuara. Së dyti, në drejtim të veprimtarisë kërkimore e shkencore, pavarësisht nga arritjet konkrete, sot në UET është krijuar një strukturë e qëndrueshme, ku gjithsecili ka të përcaktuar drejtimin e kërkimit të tij bazë, si dhe konkretisht angazhimin për një projekt të caktuar. Në aspektin e angazhimit social, besoj se ajo që “bëhet” në UET dhe që “bën” UET-i, është e qartë për cilindo.

Çfarë përfaqëson, sipas jush, UET-i në sistemin e arsimit të lartë? 

Duke qenë pjesë e stafit të UET-së, e ndiej diçka të vështirë t’i përgjigjem kësaj pyetjeje pa rënë në mungesën e modestisë. Sidoqoftë duke u munduar për ta parë këtë Institucion nga jashtë, mendoj se UET përfaqëson një kontribut mjaft domethënës e të veçantë në zhvillimin e arsimit të lartë në tërësi dhe në veçanti të atij privat te ne. Ai përfaqëson një filozofi të suksesshme në ngritjen e një institucioni privat që synon të angazhohet sa më intensivisht në krijimin e elitës dhe profesionistëve të rinj dhe më gjerë në tërë jetën shoqërore të vendit tonë. Rezultatet janë evidente, por sigurisht ato janë të kufizuar në fund të fundit në harkun kohor të një dhjetëvjeçari, i cili për çdo aktivitet, në veçanti për atë të fushës së edukimit, është mjaft pak.

Cilat janë sipas jush, pas eksperiencës në UET, gjërat më të domosdoshme që duhet të ndodhin në arsimin e lartë në Shqipëri? 

Aktualisht, kur ligji i ri për arsimin e lartë dhe kërkimin është në fazën e parë të zbatimit të tij, mendoj se përgjigja e kësaj pyetjeje do të kishte të bënte pikë së pari me implementimin e këtij ligji në praktikë. Ndryshimet që kërkohen, konceptualisht dhe teknikisht mund të jenë të shumta, por ajo që është themelore dhe njëkohësisht mjaft e qartë, për të cilën biem dakord të gjithë, është rritja e nivelit cilësor të arsimit të lartë. Por sa e thjeshtë duket aq e vështirë është kjo. Parë në një këndvështrim të gjerë, ajo lidhet me zhvillimin ekonomik të vendit në tërësi, kur arsimi është pikërisht një funksion i varur i këtij zhvillimi; është e lidhur me rritjen e nivelit të arsimit në tërësi (shkolla e lartë përbën vetëm ciklin e tretë të procesit të edukimit), me mundësitë reale për të, burime akademike e financiare etj.

Por në një këndvështrim më të ngushtë, d.m.th. nëse disa “variable” të sistemit do t’i konsideronim si pak të mundshme për t’u ndryshuar, si për shembull mundësitë financiare në tërësi, (publike dhe private), kërkesën relativisht të lartë për studim, arsimin profesional relativisht të kufizuar, nivelin e caktuar të përgatitjes në shkollat e mesme, etj., në një këndvështrim afatshkurtër, mund të shikohen më me kujdes disa aspekte ndër të cilat shkurtimisht mund të përmend: Së pari, një rol më eficient të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në aspektin monitorues dhe rregullues të të gjithë sistemit. Megjithëse kjo përbënte në vetvete një çështje të rëndësishme të vetë ligjit të ri të arsimit të lartë, përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik, sidomos në aspektin e pranimeve të reja treguan se diçka mund të ishte bërë ndryshe. Së dyti, krijimi i një ambienti më të shëndoshë e akademik në bashkëjetesën e sektorit publik dhe privat, duke i parë këto sektorë jo thjesht konkurrues, por mbi të gjitha, në këndvështrimin shoqëror, si komplementare të njëri-tjetrit. Së treti, ndërtimin e procedurave më të thjeshta e të qëndrueshme për pranimet në universitete, ku “merita” jo vetëm të jetë kriteri bazë, por të sigurohet edhe mundësi praktike për realizimin e këtij kriteri.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Trending Articles