Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Diplomohet brezi i 7-të i studentëve në vitin e 10-të të UET

$
0
0

diplomimiCeremonia e diplomimit për vitin akademik 2015-2016 shënoi daljen e brezit të 7 të të diplomuarve, në 10 vite jetë të universitetit

Civici: Kjo diplomë mund të jetë për ju arma më e fuqishme në jetë. Ky moment tregon se sa e rëndësishme është përpjekja e gjithsecilit prej jush në rrugën e dijes 

Kur studentja e parë, Vera Musmuça, nënshkroi kontratën e parë në vitin 2006, as ajo dhe as themeluesit e Universitetit Europian të Tiranës nuk e merrnin me mend se do të numëronin plot 15 mijë emra të tjerë pas 10 vitesh.  Me hedhjen e kapeleve akademike të brezit të 7 të të diplomuarve, Universiteti Europian i Tiranës shkruajti historinë e dekadës së parë të tij. Në vitin e 10 të jetës, u zhvillua dje ceremonia e diplomimit për dy ciklet e studimit Bachelor dhe Master për vitin akademik 2015-2016.

Veshjet akademike, lulet, prindërit dhe fjalimet e rastit ishin po aq të ngjashme me ceremonitë e viteve të tjera, por kishin dhe një tipar të veçantë, pasi këtë vit UET feston 10-vjetorin e krijimit.

Bilanci i këtyre 10 viteve flet vetë; 15 mijë studentë, 7 breza të diplomuarish dhe një ALUMNI i shtrirë kudo, në kompanitë më të mëdha në vend, në administratë, në politikë, në jetën akademike apo bizneset e tyre private. Ceremonia e djeshme, madhështore dhe e ngjyrosur me bojë qiellin e veshjeve akademike, kishte mbledhur 567 studentë së bashku  me familjarët e tyre. Të gjithë ata morën diplomën, nga të cilët 221 studentë u diplomuan në ciklin e parë të studimeve Bachelor në tri fakultetet, Juridik, Shkencave Sociale dhe Edukimit dhe Ekonomik-Teknologjia e Informacionit dhe

346 studentë u diplomuan në ciklin e dytë të studimeve në UET, Master i Shkencave dhe Master Profesional.

Presidenti i UET

Një porosi për të mos hequr dorë nga libri dhe nga dija erdhi për studentët nga profesori i tyre dhe Presidenti i UET, Prof. Dr. Adrian Civici. Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e diplomimit për vitin akademik 2015-2016 ai tha se dija duhet të jetë për ju arma më e fortë në jetë.

“Diplomimi është një moment i lumtur jo vetëm për ju studentë, por dhe për prindërit e të afërmit tuaj, sepse dhe ata ndihen sot sikur të kenë marrë një diplomë. Kjo diplomë mund të jetë për ju arma më e fuqishme në jetë. Ky moment tregon se sa e rëndësishme është përpjekja e gjithsecilit prej jush në rrugën e dijes.  Librin dhe dijen duhet ta keni si shokun e mikun më të rëndësishëm e më të afërt për ju. Të kuptoni se libri nuk është send luksi që ta mbash në bibliotekë, por ai është një armë në jetën që ju pret. Ju tani keni marrë një profesion me diplomimin tuaj, por ky profesion në vend që t’ju mbyllë një derë t’ju hapë me mijëra dyer të tjera”, tha ndër të tjera, Civici.

Sipas tij, një komb pasurohet vetëm kur është një komb i ditur.

Henri Çili: 10 vite më parë kishim ankth, sot UET ka një histori 

Për administratorin e universitetit, Henri Çili, i cili është dhe një prej themeluesve, ky është vetëm fillimi i shkrimit të historisë.

“Është ceremonia e 7-të e diplomimit në UET. Por nga hera e parë deri sot i vetmi ndryshim është se ne kemi një histori, kemi çfarë të tregojmë dhe ju keni se kujt t’i ngjani dhe shembujt e kujt të ndiqni në jetën tuaj profesionale. Për të mos thënë që kudo ju pret një koleg i juaji, një koleg i vëllazërisë së Universitetit Europian të Tiranës”, tha Çili në fjalën e tij.  Ankthi i tij dhe i të tjerëve që i besuan këtij projekti pas një dekade nuk  ekziston më. “10 vite më parë kur nisëm universitetin ne kishim një ankth që na ka shoqëruar gjithë kohës, i cili mund të konsiderohet se është duke përfunduar. Ankthi ishte të krijonim një biografi, të krijonim një histori dhe mendoj se 10 vjet janë një fillim i mirë për një histori. Ju jeni këtu, që nga studentja e parë e UET, Vera Musmuça deri te të diplomuarit e sotëm, jeni rreth 15 mijë studentë dhe 500 pedagogë që kanë shkruar faqet e para të historisë së UET”, theksoi Çili.

 

Ngjela: Mos harroni që duhet të triumfoni! Koha do të punojë për ju!

Fjalimi përshëndetës i avokat Spartak Ngjelës gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të Universitetit Europian të Tiranës

“Të nderuar studentë, jam e lumtur që jam ftuar të mbaj fjalën përshëndetëse në diplomimin tuaj.  Për të mos u bërë pesimistë që në fillim po ju them se asgjë s’keni mbaruar ende, por keni filluar atë që nuk e fillonit dot pa mbaruar këtë që po festoni sot.

Një gjë është e saktë; se dija është profesion dhe profesioni është personalitet.

Të gjithë e kanë të domosdoshëm profesionin për të fituar lirinë e tyre. Po duhet të dini se ju jetoni në një shtet borgjez. Nëse do të ishit në një shtet që ishte para 25 vitesh, tani do të kishte mbaruar gjithçka. Por për ju s’ka mbaruar.  Do të përplaseni me karrierën, me paranë, me tregun dhe korrupsionin.  Janë katër elementë që nuk u shpëton dot asnjë shtet i këtij sistemi. E mira është kjo: që të krijoni paranë nëpërmjet profesionit dhe personalitetin, nëpërmjet dijes.

Nuk ka personalitet tjetër përveç dijes.

Po të ishit në luftë duhet të ishit ushtarë të mëdhenj, këtu duhet dije.

Çfarë është ajo që dua t’ju kujtoj?

Dija është lumë. Ajo merret me pika dhe jepet lumë. Ju e keni marrë me pika. Kam respekt për universitetin tuaj dhe ju e keni marrë formimin tuaj akademik.

Por nuk është kaq e thjeshtë se pas kësaj gjithçka është e hapur.

Do të jetë fat për ju pas 6 vitesh nëse ky universitet do të ketë një emër të madh atëherë do të vlerësohet edhe një herë diploma juaj.  Në sistem janë gjërat të lidhura zinxhir, çdo gjë vjen nga personaliteti dhe personaliteti vjen nga dija.

Ju keni mbaruar për shkenca shoqërore, por duhet të dini tri gjëra themelore; të njihni mirë fjalën, konceptin dhe gjuhën e huaj në mënyrë që të krijoni vetes 3 aspekte të tjera: elokuencën, përqendrimin dhe zgjidhjen e saktë të një problemi dhe zgjidhjen e një çështjeje. Kjo është arsye që logjika dhe sistemi racional është ai që vlen.

Lërini përrallat e narracionet. Nëse dija do t’ju bëhet një pasion, sëmundje, do të varet nga zhvillimi shoqëror në Shqipëri.

Pesimizmi mund të jetë prezent sot te ju, por mundohuni që këtë pesimizëm ose këtë mos-siguri që të jep shoqëria aktuale ta ktheni në një motiv të brendshëm tuajin për të kapur atë e cila do t’ju bëjë që të ndiheni, në shoqëri, primarë.

Në vazhdën e madhe të përplasjes tuaj, mos harroni që duhet të triumfoni. Kush nuk e ka këtë, nuk ecën dot. Jam i bindur se e keni, universiteti ua ka dhënë.

Koha do të punojë për ju!”

 

“Suksesi juaj është suksesi ynë!”

Fjalimi përshëndetës i Rektorit të UET, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, gjatë ceremonisë së diplomimit 

“Të dashur diplomantë! Nuk e di cila ka qenë shtysa kryesore që ju ka sjellë në auditoret e UET-së, ndoshta ka qenë dëshira për të studiuar në kryeqytet, dëshira për të shijuar lirinë që të jep dalja nga streha e sigurt familjare, dëshira për dije, dëshira për të qenë pjesë e një familjeje të madhe universitare, që ka qenë dhe vazhdon “të jetë kudo”. Cilado të ketë qenë shtysa për të ardhur në UET, uroj që secila dëshirë veç e veç apo të gjitha dëshirat së bashku, të jenë bërë realitet dhe të mos jeni zhgënjyer aspak nga zgjedhja juaj. Uroj që me zgjedhjen tuaj të keni bërë krenar edhe familjarët tuaj. Cilado të ketë qenë zgjedhja, prezenca juaj këtu tregon se ju ia keni dalë mbanë!

Përgëzime!

Keni lënë pas një rrugë të gjatë e të rëndësishme e hera-herës edhe të mundimshme të jetës suaj. Një rrugë që do ta kujtoni përherë e më me nostalgji. Por për momentin gëzojuni diplomës së Bachelor-it dhe mendoni për horizontin e gjerë të mundësive që hapet para jush. Tani ju mund të vazhdoni rrugën e dijes duke u bërë pjesë e studimeve Master Profesional apo Shkencor këtu në UET apo jashtë Shqipërie. Ose mund të kërkoni të integroheni në tregun e punës. Në të dyja rastet bazën e dijes dhe të kompetencave e keni të qëndrueshme dhe mbi të mund të ndërtoni gjithçka. Rrjeti social që keni thurur gjatë këtyre tri viteve studim mund të rezultojë i dobishëm dhe t’ju ndihmojë për ta nisur karrierën tuaj.

Ndajeni gëzimin tuaj legjitim me prindërit tuaj, bashkëshortin/bashkëshorten, fëmijët apo miqtë tuaj. Atyre u detyroheni shumë për mbështetjen financiare dhe shpirtërore gjatë gjithë studimit. Ata janë pjesë e pandashme e suksesit tuaj.

Unë shpresoj se institucioni që unë drejtoj, UET, t’ju ngulet në kujtesë si një ndjesi e këndshme pozitive. Besoj se unë bashkë me kolegët e mi kemi bërë maksimumin për t’ju krijuar kushte të favorshme gjatë studimit tuaj. Mos na harroni ne dhe universitetin tuaj. Me përfundimin e studimit, ju jeni pjesë e UET-ALUMNI. Edhe pse largoheni nga UET, unë bashkë me kolegët e mi vazhdojmë të ruajmë interes për zhvillimin tuaj akademik, profesional dhe njerëzor.

Duke ju përgëzuar edhe një herë për mbylljen me sukses të studimit Bachelor, uroj që koha e shpenzuar në UET t’ju ketë shërbyer mes të tjerash edhe për të kuptuar  se universiteti është vendi, ku njeriu mund të mësojë se si të jetojë më mirë”.

10-vjetori i Universitetit Europian të Tiranës kremtohet këtë shtator, duke shënuar dekadën e parë të rrugëtimit të tij si universitet privat

15 mijë studentë gjithsej janë regjistruar në UET në 10 vite, që nga viti 2006, nga të cilët vetëm një e treta janë diplomuar deri më tani

567 studentë të UET-it gjithsej mbyllën me sukses nivelit e parë të studimeve Bachelor dhe ciklin e dytë të studimeve, Master Shkencor dhe Master Profesional

221 studentë u diplomuan në ciklin e parë të studimeve Bachelor në tri fakultetet, Juridik, Shkencave Sociale dhe Edukimit dhe Ekonomik-Teknologjia e Informacionit

346 studentë u diplomuan në ciklin e dytë të studimeve në UET, Master i Shkencave dhe Master Profesional


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180