Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Logjika aristoteliane, edhe sot e paprekur

$
0
0

aristotle-17Nocionet janë esencë ose formë e sendit, njohja e të cilit është qëllim themelor i të menduarit. Nocionet më të larta të gjinisë, që përfshijnë në vete të gjitha nocionet e tjera, janë kategoritë. Kategori të tilla, sipas Aristotelit, ka dhjetë: substanca, kuantiteti, kualiteti, relacioni, vendi, koha, pozita, posedimi, veprimi dhe durimi.

Logjika e Aristotelit me disa teza të veta themelore ka ruajtur vlerën e vet dhe deri sot ajo merret si model për themelimin e logjikës elementare, kështu që edhe Kanti mundi të vërtetonte se si logjika e Aristotelit mori një formë aq të përsosur, saqë pas saj nuk ka mundur të bëjë një hap përpara, as nuk ka qenë e detyruar të bëjë një hap prapa. Logjika e tij, në radhë të parë, shqyrton çështjet lidhur me nocionet, gjykimet (deklaratat, fjalitë) përfundimet dhe argumentet. Nocionet janë esencë ose formë e sendit, njohja e të cilit është qëllim themelor i të menduarit. Nocionet më të larta të gjinisë, që përfshijnë në vete të gjitha nocionet e tjera, janë kategoritë. Kategori të tilla, sipas Aristotelit, ka dhjetë: substanca, kuantiteti, kualiteti, relacioni, vendi, koha, pozita, posedimi, veprimi dhe durimi. Në veprat logjike të Aristotelit (të grumbulluara më vonë nga nxënësit e tij me titull Organon) janë shqyrtuar hollësisht dhe jashtëzakonisht në mënyrë ekzakte edhe disa probleme logjike fondamentale, si janë parimet e të menduarit, induksioni dhe deduksioni, përkufizimi, teoria e silogjizmave, argumentimi, gabimet logjike etj. Aristoteli konsideron se ekzistojnë tri parime të përgjithshme të të menduarit: Parimi i identitetit, parimi i kontradiksionit dhe parimi i përjashtimit të së tretës. Kushdo që dëshiron të mendojë në mënyrë konsekuente, nuk mund të mendojë në kundërshtim me kuptimin e këtyre tri parimeve, sepse këto nuk janë farë zbulimesh rasti, por vlejnë për vetë njëmendësinë. Përveç shpjegimit të hollësishëm të teorisë së silogjizmit kategorik-asertorik (çka konsiderohet kontribut më i madh i tij në logjikë) në veprat e tij e gjejmë edhe logjikën shumë të ndërlikuar modale, si dhe fillimet e shumë teorive logjike të mëvonshme. Dhe ndonëse Aristoteli në themel përpunoi parimet e logjikës rreptësisht formale, prapëseprapë ai nuk i ndau në mënyrë abstrakte format e të menduarit të logjikshëm dhe të drejtë nga vetë qenia. Për të p.sh., edhe kategoritë janë jo vetëm predikatet më të përgjithshme të të menduarit, por njëkohësisht edhe përcaktimet më të përgjithshme të çdo gjëje ekzistuese. Logjika për A. nuk është ndonjë qëllim i vetvetes dhe nuk merret me abstraksione boshe, me forma “të kulluara” të mendimit, por niset nga sendi real dhe e studion ashtu si shprehet në të menduarit. Lidhur me ketë, Aristoteli në Hermeneutikë tregon se thëniet e gjykimit janë në raport të njëjtë sikurse sendet në njëmendësi, kështu që lidhja e nocioneve është tregues i lidhjeve të vetë sendeve. Ndonëse fillimet e logjikës, madje edhe të zgjidhjes së çështjeve të caktuara logjike, mund t’i kërkojmë edhe te Sokrati e Platoni, prapëseprapë, Aristoteli përgjithësisht konsiderohet themelues i logjikës si disiplinë e veçantë. “Filozofia e parë” (ose më vonë e quajtur metafizikë për arsye se në përmbledhjen e veprave të tij është “pas fizikës”) studion parimet e fundme, më të larta dhe më të përgjithshme të çdo gjëje ekzistuese, andaj është mësim mbi shkakun e parë, mbi qenien në përgjithësi. Shkencat e veçanta studiojnë aspektin e caktuar të qenies, por jo edhe qenien në vetvete. Prandaj, sipas Aristotelit, duhet të ekzistojë shkenca, e cila duhet të merret me parimet që janë themel për tërë kuptimin dhe njohjen e të gjitha përcaktimeve të veçanta. Pikërisht këto parime i studion metafizika ose filozofia e parë, kështu që objekt i saj i studimit është materia, forma, shkaku i lëvizjes, qëllimi i ekzistimit e të tjera. Kjo disiplinë është njëkohësisht edhe më e vështira, sepse është më abstraktja, por me vetë këtë fakt ajo është edhe shkenca më ekzakte. Shumë teza metafizike të Aristotelit provojnë tendencën realiste-materialiste, me të cilën iu kundërvu botës së ideve të Platonit, duke konsideruar se idetë janë imanente për vetë sendet dhe jo modele transcendentale të sendeve. Me një varg argumentesh bindëse dhe spirituoze, A. në përgjithësi i hedh poshtë bazat e doktrinës së Platonit mbi idetë. Do të duhej të kishte më shumë ide sesa sende të veçanta, meqë do të duhej të ekzistonin idetë edhe mbi marrëdhëniet e tyre; do të duhej të ekzistonin idetë e drobitjes, kurse kjo është në kundërshtim me vetë përkufizimin e idesë; si mund të ekzistojë veçmas substanca dhe ajo nga e cila përbëhet substanca; në qoftë se në të gjitha idetë qëndron burimi i lëvizjes, atëherë edhe ato lëvizin.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180