Universiteti Europian i Tiranës organizon nesër Forumin e dytë Universitet-Biznes, takimin e UET HR Club 2016, ku do të marrin pjesë 250 përfaqësues të kompanive më të mëdha në Shqipëri si dhe Blendi Klosi, Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Ky forum mbahet në kuadër të strategjisë së këtij universiteti “UET-Universiteti i Biznesit” dhe pas disa takimeve e kontakteve me përfaqësues të biznesit në vend.
Pyetja kryesore që shtron universiteti sot, sidomos në programet e masterave është; çfarë u duhet punëdhënësve?
Mbi këtë pyetje diskutimet mes auditorit akademik dhe atij sipërmarrës do të analizojnë vlerësimin e bizneseve për cilësinë dhe standardet e studentëve që punësohen; Përshtatja e programeve Master me kërkesat e tregut të punës; Bashkëpunimi ndërmjet biznesit dhe universitetit si përmirësim i inovacionit dhe ekonomisë; Kërkimi shkencor: Roli i universitetit si burim i kopetencave dhe zgjidhjeve të problematikave ekonomike; Hulumtimi i përbashkët Universitet – Biznes që parashikon që pedagogët të kryejnë studime për projekte të veçanta të kompanive: Plan Biznesi, Hulumtim të Tregut, etj..
Orkida Ilollari, Drejtoreshë e Shkollës së Studimeve Master në UET, thotë se ky takim vjen si nevojë e komunikimit mes universitetit dhe përfaqësuesve të sipërmarrjes për të analizuar dhe për të vendosur objektiva të mëtejshme bashkëpunimi, gjithçka si qëllim i përshtatjes së kurrikulave dhe profileve master për kërkesat e tregut të punës.