Arkitekti shqiptar që punon si lektor në Universitetin e Yale-s në SHBA mbajti një leksion të hapur me studentët e degës së Komunikim Dizajnit në Universitetin Europian të Tiranës me temë; “Dizajni, Gjeometria dhe Pasqyrimi Dixhital : Shqyrtime Teorike dhe Praktike”
“Dinastia” e shqiptarëve të mëdhenj e arkitektëve të njohur Luarasi, ka nxjerrë në tre brezat e saj, njerëz që kanë përfaqësuar vlera profesionale dhe kulturore në ndërtimin e Tiranës, Shqipërisë por edhe më gjerë. I treti në rradhë, nipi i Skënder Luarasit, i quajtur po ashtu si gjyshi, Skënder Luarasi, mbajti një leksion të hapur me studentët e degës së Komunikim Dizajnit në sallën Aula Magna të Universitetit Europian të Tiranës.
Tema e leksionit – i cili u ndoq me interes jo vetëm nga studentët por edhe nga pedagogët e disiplinës – ishte “Dizajni, Gjeometria dhe Pasqyrimi Dixhital : Shqyrtime Teorike dhe Praktike”. Skënder Luarasi ka gradën PhD në arkitekturë dhe është lektor në Universitetin e Yale-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pasionin për arkitekturën e trashëgoi i vogël nga familja. Gjyshi i tij, Skënder Luarasi, veç shkrimtarit e përkthyesit të shquar që ne njohim, është edhe arkitekt i disa ndërtesave moderne shqiptare në vitet 20, 30 në Tiranë e në disa qytete të tjera të Shqipërisë. Ashtu si tregon arkitekt Luarasi, profesionin e pasionin e tij, ka nisur ta studiojë 22 vite më parë; që prej vitit 1995 ai jeton në Shtetet e Bashkuara ku pasi ka mbaruar studimet, ka marrë liçencën e arkitektit. Tashmë studimeve të tij, u është bashkangjitur procesi i doktoraturës në Universitetin e Yale-s.
Me metodën amerikane të një ekspertize të thellë, Luarasi thekson përpara studentëve të UET, nevojën e formimit të gjithanshëm të arkitektit. “Esenca e kurrikulës së arkitekturës është projektimi, ai që në SHBA quhet Design Studio. Përveç kësaj ka lëndë të tjera shkencore dhe humane që i nevojiten profesionistit. I domosdoshëm është edhe vizatimi – i lirë ose kompjuterik. Pra një sërë disiplinash formuese. Kjo të jep përshtypjen se arkitekti di gjithçka. Në fakt nuk di gjithçka. Arkitekti ka aftësinë e qasjes ndaj problemeve komplekse. Kjo është esenca e arkitektëve, qasja ndaj problemeve që nuk u dihen variablat e të dhënat sepse ka probleme që me kalimin e kohës komplikohen apo ndryshohen.”
Nuk kishte si të shmangej nga vëmendja e Skënder Luarasit edhe problemi urban e arkitekturor i Tiranës. E kjo jo vetëm në kuadrin e të qenit profesionist i fushës por edhe si trashëgimtar i arkitektëve që sollën frymën e arkitekturës moderne në kryeqytet.
“Sigurisht që Tirana ka ndryshuar shumë. Unë mendoj që ka gjithmonë vend për qëndrime të moderuara. Unë nuk jam dakord që Tirana të betonizohet më shumë se ç’është betonizuar, por nuk jam gjithashtu dakord me mendimin që në Tiranë nuk duhej ndërtuar gjë. Por sigurisht që e moderuara është shkelur. Unë mendoj që ka ende vend për përmirësime edhe në këtë Tiranë që është sot – përmirësim estetik, infrastrukturor. Ekziston mendimi që s’ka ç’të bësh më në Tiranë. Në fakt ky është gabim , nuk jam dakord me këtë. Nuk është e thënë të bësh ndërtesa 15 katëshe sepse ndërtesa nuk është e vetmja gjë që mund të bësh në një qytet – janë fasadat, janë infrastrukturat e rrugëve, është gjelbërimi, është rinovimi i ndërtesave ekzistuese, etj.”
Skënder Luarasi u shpreh se në Tiranë është prishur tashmë një pjesë e madhe e trashëgimisë kulturore. “Ajo që shumë njerëz e harrojnë është që në Shqipëri dhe në Tiranë, ka arkitekturë moderne të krijuar nga arkitektët shqiptarë – jo vetëm nga arkitektë ialianë. Por shumë prej këtyre objekteve janë prishur këto 20 vjet për qëllime biznesi dhe imobiliare. Publiku duhet të sensibilizohet per ekzistencën e ketyre objekteve të trashëgimisë moderne të arkitektëve shqiptarë. ” I pyetur nëse kishte ndonjë projekt të trashëguar nga i ati apo i gjyshi të cilin kishte në plan ta përfundonte Skënder Luarasi u shpreh se pothuajse të gjitha projektet e kohës në të cilën ata punuan, i patën realizuar. Arkitekti shqiptar që jeton e punon në SHBA ka publikuar disa artikuj në lidhje me punën e gjyshit, babait e të disa arkitektëve të tjerë modernë shqiptarë në revistën arkitektonike Forum A+P të Universitetit Polis.
Për shkak të angazhimeve profesionale përtej oqeanit, Luarasi nuk ka ardhur shpesh në Shqipëri. E megjithatë, në vazhdën e gjyshit e të atit, ai e ka lënë gjurmën e vet në peisazhin urban të kryeqytetit. I pyetur mbi projektet e tij në Shqipëri ai shprehet: “Nga projektet që kam bërë, vetëm një është ndërtuar. Kjo është një vilë në Linzë. Me publiken nuk jam marrë shumë, më tepër jam marrë me projekte të veçanta. Megjithatë, edhe këto i konsideroj objekte të një dimensioni estetik publik. Përderisa objekti në fjalë shihet nga teleferiku, i përket estetikës publike. Çdo objekt sado privat që të jetë, ka gjithmonë një faqe që e lidh me publiken. Ky është pak a shumë diapazoni i objekteve që jam munduar të krijoj gjatë kohës që kam qenë në Shqipëri”
Me ndërmjetësimin teknik e profesional të profesor Shpend Bengut, arkitekt Luarasi iu qas studentëve të dizajnit në një perspektivë makro sa i takon rolit të tyre në hapsirën publike. “Persektiva e arkitektëve sot është krijimi i rrjeteve për qasjen e problemeve të ndryshme me shkallë të vogël ose të madhe, në shkallë individi ose qyteti. Për mendimin tim arkitekti sot është më tepër se një profesionist që bën një objekt, është një aktor në mjedisin urban në përgjithësi, qoftë ky brenda qytetit apo jashtë qytetit; qoftë për objekte të vogla ose të mëdha”,- theksoi ai.