UET Alumni – një risi cilësore për t’u ndjekur nga universitetet e tjera
Ndër universitetet shqiptare, Universiteti Europian i Tiranës ka themeluar i pari traditën e komunitetit të Alumnit. Kjo është një frymë e re, që synon të krijojë një komunitet akademik, por edhe të sjellë pranë studentëve, ekspertizën e tregut të punës. Bashkëpunimi me UET Alumni, rrit ndjeshëm cilësinë e institucionit. UET është i ri, por kategoritë e studentëve dhe llojet e diplomave që ka nxjerrë, janë nga e gjithë shoqëria. Universiteti është vazhdimisht në një lloj reforme të moderuar, për të bërë një relacion sa më dinamik mes studentëve të diplomuar dhe asaj që kërkohet nga tregu i punës.
Studimet universitare janë aspekt i papërsëritshëm në jetën e njeriut. Nuk ka fuqi tjetër që mund ta ndryshojë shoqërinë në atë mënyrë që mund ta bëjë universiteti – edukimi dhe dija mund ta transformojnë atë thellësisht. Nga auditori Aula Magna, në takimin e gjashtë të të diplomuarve të UET, në të gjashtin vit në radhë të diplomimit, i gjashti brez i UET Alumni, vjen me traditë të mishëruar dhe me histori suksesi për të treguar. Alumnit janë tashmë profesionistë nga më të suksesshmit në fushat e tyre e me ndikim të konsiderueshëm në shoqërinë e gjerë. UET Alumni është pasqyra e punës e Universitetit Europian të Tiranës dhe bilanci i arritjeve të tij cilësore në jubileun e 10-vjetorit. Nga viti 2009 deri në vitin 2015 janë diplomuar gjashtë grupe studentësh. Në total, janë diplomuar rreth 5900 studentë, në të tria ciklet e studimit. Pedagogë, studentë, të diplomuar, profesionistë të fushave të ndryshme, juristë, ekonomistë, specialistë komunikimi dhe studiues të ndryshëm të politikës, ishin bërë bashkë në kremtimin e gjashtë të bashkëpunimit të Universitetit Europian të Tiranës me produktin e vetë intelektual dhe profesional në tregun e punës.
UET Alumni – gjurma kryesore që UET ka lënë në shoqërinë shqiptare në dhjetë vitet e jetës së tij akademike – janë kryesuar fillimisht nga Rudin Lalo si president i parë; më pas nga Ervin Salianji dhe tashmë, presidente e Alumnit është Eneda Tarifa. Institucioni i Universitetit Europian të Tiranës nxit vazhdimisht kthimin e ish-studentëve në qeverisjen e mirëfilltë të UET. 90% të burimeve të reja njerëzore, UET i ka krijuar vetë. “Kjo ilustron lidhjen produktive të Alumnit me universitetin” – u shpreh administratori i UET, Henri Çili, gjatë takimit.
Në vazhdim, UET, do të kryejë ristrukturimin e bordeve të tregut të punës – një organizëm këshillimor pranë departamenteve. Këto borde do të përbëhen nga njëmbëdhjetë Alumni në secilin departament – të gjithë në pozicione të rëndësishme në biznes, në shoqërinë civile, në organizata jo qeveritare, në politikë, në administratën publike apo në organizma ndërkombëtare. Alumnit në këto borde, do të jenë të dobishëm në funksion të këshillimit të studentëve në tregun e punës.
Në takimin e gjashtë të UET Alumni, ishin mbledhur profesionistë të ndryshëm nga fushat e drejtësisë, ekonomisë, politikës, mediave e sipërmarrjes – ish-studentë të UET nga më të suksesshmit në shoqërinë e gjerë. Në fjalën e mbajtur, ata shprehën mirënjohjen dhe vullnetin për të vazhduar bashkëpunimin me universitetin në projektet dhe kërkimet e ndryshme shkencore. Në përfundim të takimit zyrtar, UET organizoi për Alumnit e vet një koncert mirënjohjeje, me pjesëmarrje të këngëtarëve si Vedat Ademi, Xhon Treni, Sardi Strugaj, Aldo Bardhi dhe Antonela Cekixhi.
Eneda Tarifa, Presidente e UET Alumni
“Ky është një takim midis UET-save siç e quajmë ne në zhargonin tonë këtu. Synimi ynë është që përveç aktiviteteve të parashikuara në kalendar e që bëhen përvit, në vitin e gjashtë të funksionimit tonë – ajo që dua ta realizoj e të quhet një nga aktivitetet që në kohën e presidencës, Eneda e ka iniciuar – është mbledhja e fondeve. Jam shumë e kënaqur t’ju komunikoj që këto fonde do të çohen në godinën e re të UET, që do të ndërtohet shumë shpejt e ku do të kemi një bibliotekë fantastike. Aktivitetet tona nuk janë të shpeshta, rreth katër ose pesë në vit, por janë cilësore. Ne duhet të mbajmë lidhjet e kontaktet me njëri-tjetrin. Kemi ndërmend të zgjerojmë asamblenë me mbi njëqind pjesëtarë të rinj – ky është një super lajm!”
Henri Çili, administrator i UET
“Më tepër se angazhim, Alumni është një rrjet, është një frymëzim. Ky komunitet i Alumnit na nderon. Fuqia jonë vjen nga fuqia e tij në botën reale të punës e biznesit. Historia e UET dhe vazhdimi i saj është një histori që fuqizon edhe më tej diplomën tuaj.
Kam kënaqësinë të shpreh se e kapëm 10-vjetorin dhe tashmë mund të diskutojmë realisht për një bilanc. Duam të zhvillojmë nëpërmjet jush si Alumni, një kulturë të re në Shqipëri, një kulturë donacioni. Nuk është e thënë të jetë vetëm në para, mund të jetë në forma nga më të ndryshmet. Ky donacion do të shkojë në funksion të ndërtimit të bibliotekës së re të UET – me kontributin e rëndësishëm edhe të Alumnit tanë. Kultura e Alumnit shprehet në gjeste të vogla miqësore, të cilat bëjnë të mundur mbështetjen e të tjerëve që nuk e kanë pasur këtë mundësi – duke e shndërruar kështu instrumentin e edukimit të lartë, në një mjet për të ndryshuar jetët e tyre.”
Adrian Civici, President i UET
“Në filozofinë e re të edukimit, nëse ka një gjë që duhet të ndryshohet, është pikërisht fakti që akademikët dhe universitarët duhet të jenë sa më të paktë në drejtim. Nga ana tjetër, sa më të shumtë duhet të jenë ekspertët, ata që kanë përfunduar, ata që vijnë nga realiteti konkret dhe nga fushat e jetës.
Ne kemi nevojë për Alumnit sepse kemi nevojë të ndiejmë se çfarë vlerash kemi krijuar, se sa të aftë kemi qenë për të prodhuar ato dije, ato njohuri dhe atë investim. Në çdo mbledhje tonën, kur ne gjykojmë çfarë kemi bërë mirë e çfarë duhet të bëjmë më mirë, vazhdimisht i referohemi shembullit të Alumnit. Ne kemi nevojë të vazhdojmë të marrim koncepte të reja nga të gjithë ata që kanë mbaruar universitetin e që janë pasqyrë e jona – në mënyrë që, të gjithë bashkë, të formojmë një identitet në shoqërinë shqiptare e t’i japim kuptim rolit të universiteteve. Unë mendoj që ky është kuptimi i vërtetë i Alumnit. Kjo, mund të vijë vetëm nga universitetet dhe nga asnjë vend tjetër.”
Tonin Gjuraj, Rektor i UET
Ne kemi porositur përgjegjësit e departamenteve që Alumnit, si anëtarë të bordeve të tregut të punës, të jenë pjesë e auditorëve, si të ftuar për lëndët që kanë natyrë praktike-profesionale. Kjo krijon atë që quhet klimë e pasur në mësimdhënie.
Një falënderim të veçantë meritojnë Alumnit që vijnë nga Kosova. Kjo do të thotë që numri rritet – institucioni rritet. Nëse flitet për forcim të lidhjeve me tregun e punës, kjo bëhet nëpërmjet Alumnit. Evropa sot, universiteti modern, ju kushton një rëndësi të madhe. Alumnit që kanë eksperiencë të gjatë në tregun e punës, mund t’ju tregojnë studentëve aktualë dy gjëra – zhvillimin afatgjatë të karrierës kundrejt një programi i caktuar dhe së dyti, zhvillimin personal.
Ferit Duka, Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe të Edukimit, si dhe Rektori i parë i UET
“Ju jeni historia e këtij universiteti. Ju përfaqësoni sloganin kryesor të UET – Ne jemi kudo! Nëpërmjet jush, ne jemi kudo – në institucionet e administratës, qendrat e biznesit dhe kudo ku jeni ju!
Nga lartësia e dhjetë viteve, ne jemi krenarë teksa ju shohim. Kemi filluar në disa mjedise fare modeste te Rruga e Elbasanit dhe tashmë UET është një nga operatorët kryesorë të Arsimit të Lartë në shkallë republike dhe në hapësirën shqiptare në tërësi dhe ajo që më bën krenar është përfaqësia juaj kaq masive. Ju përçoni frymën e UET në institucionet ku jeni – universiteti nëpërmjet jush, përcjell frymën dhe mesazhet e veta në tërë hapësirën shqiptare. Uroj që ju t’i keni gjithnjë e më të forta lidhjet me institucionin nga keni dalë!”
Resul Sinani, përfaqësues i Alumnit UET nga Republika e Kosovës. Brezi i fundit i doktorantëve të diplomuar
“Tash e tutje do të jem një nga UET-sat më të zëshëm në Kosovë. Në emër të të gjithë studentëve dhe ish-studentëve nga Kosova, më lejoni të falënderoj UET për mundësinë që na ka dhënë të vijmë këtu dhe të bëjmë një shkollë doktorale. Në aspektin personal, ndihem mirënjohës për këtë, sepse unë prej 17 vjetësh punoj në media dhe nuk kisha mundësi të mendoja për të studiuar diku jashtë për shkak se në Prishtinë nuk ekziston mundësi e tillë. UET na dha mundësinë që ne ta ndjekim këtë rrugë bashkë me ju e të kurorëzohemi sot si doktorët e parë të shkencave të komunikimit – andaj, ju ndihem mirënjohës. Ky cak i kurorëzuar sot është shumë i rëndësishëm për mua, për kolegët e mi nga Kosova, për UET dhe në përgjithësi për arsimin shqip në mbarë trojet shqiptare!