Komunikimi ka arritur stadin më të lartë, ndaj jo vetëm kompanitë, por edhe universitetet po iu kushtojnë një vëmendje të veçantë marrëdhënieve me publikun
Jetojmë në epokën e komunikimit. Do të thotë që komunikimit i kushtohet kohë dhe ekspertizë sepse është faktori që ndërlidh të gjithë veprimtarinë e njeriut. Kërkimet e shumta që ndërmerren në lidhje me komunikimin dhe marketingun si pjesë e tij, synojnë të jenë sa më frytdhënëse. Në këtë kuadër, Universiteti Europian i Tiranës, krijoi skuadrën UET Enterprise, në të cilën është e përfshirë edhe ekspertiza e këshillimit të marketingut. Po çfarë duhet të marrë parasysh një komunikim dhe marketing i mirë? Së pari, të njohësh audiencën është themelore për këdo që punon në role komunikimi. Sot ne jemi të aftë të dëgjojmë shumë më kujdesshëm audiencën tonë e të kuptojnë se çfarë mendojnë ata rreth nesh. Gjithashtu, i rëndësishëm është edhe përdorimi i mjeteve alternative të komunikimit publik. Të tilla si blogjet interaktive që janë një alternative shumë e mirë e shtypit të shkruar apo audioviziv. Komunikimi dhe marketingu janë krijim. Si të tilla, kanë nevojë gjithmonë për mënyra të reja qasjeje ndaj publikut. Eksperimentimi produktiv nuk është tabu. Më poshtë, në një artikull të The Guardian, disa specialistë komunikimi japin nga një pikëpamje të tyre të shkurtër mbi mënyrën sesi e konceptojnë marrëdhënien me publikun në kuadrin e kërkimeve shkencore të zhvilluara mbi komunikimin.
Tracy Playe, specialiste e komunikimit në Pickle Jar Communications Ltd, specialiste e edukimit të marketingut dhe këshilluese komunikimi
Universitetet duhet të përgatiten të investojnë më tepër kohë dhe para në komunikim: Në vitin 2005 unë u përfshiva në një projekt të Universitetit Warwick për të shtuar profilin e kërkimeve universitare nëpër kanalet televizive përreth botës. E bukura e kësaj është që akademikët i komunikuan kërkimet e tyre vetë, por të redaktuara në një mënyrë që transmetuesit do ta pëlqenin dhe do ta përdornin. Bërja e kësaj kërkon një sërë gjërash:
– Buxhetin e duhur: videoja e prodhuar për standard transmetimi nuk është aspak e lirë;
– kohë: kërkimet e mira në fushën e komunikimit kërkojnë kohë – për një PR profesional dhe më e rëndësishmja, akademik;
– kreativitet: kjo nevojitet për të gjetur një projekt të mirë dhe për të bërë lidhjen me “botën reale” – gjë që do të donin transmetuesit të bënin në mënyrë që të funksiononte.
Mësimet që nxorëm ishin që ky sektor ishte shumë i rezervuar për të qenë i përfshirë dhe që ata thjesht nuk ishin të përgatitur për të investuar kohë dhe para në PR dhe në komunikim të cilësisë së mirë. Çështja e kohës dhe e parave qëndron deri kur ne të tejkalojmë problemet e mësipërme – përndryshe ne nuk do të jemi asnjëherë të aftë të bëjmë projekte të mira komunikimi.
Mithu Lucraft, menaxher PR-i: Marrëdhëniet e mira janë baza e komunikimit të mirë
Historitë më të mira janë ato në të cilat i njeh gazetarët, ke kaluar kohë duke komunikuar me ta dhe duke kuptuar se çfarë realisht ata duan më pas, u dërgon historinë tënde. Kjo mund të bëhet ballë për ballë por edhe nëpërmjet mjeteve virtuale të kanaleve online. Duhet të përmendim këtu që nuk kanë vetëm gazetarët kanale online. Kushdo mund të jetë influencues, kudo që të jetë dhe është realisht e rëndësishme të mendosh të ndërtosh marrëdhënie me njerëzit. Por mos ndiq vetëm bashkëbisedime në hapësirën e medias sociale – përfshihu në to.
Mundësia më e madhe e komunikimit që akademikët në Arsimin e Lartë kanë është pjesëmarrja në kanalet sociale. Është shumë e rëndësishme jo vetëm të monitorosh bisedat por edhe të përfshihesh në to. Nëse është e nevojshme, ndrysho strukturën e skuadrës tënde të PR në mënyrë të tillë që të monitorosh në pyetje dhe përgjigje të bisedave me palët e interesuara.
Heath Baker, menaxher i përgjithshëm i TopLine Communications, një PR B2B dhe konsultues i medias sociale në IT dhe sektorët e edukimit
Problem nuk është shtypi i shkruar por strategjia e komunikimit. Të etiketuarit e shtypit të shkruar si joefektiv, është një rast klasik i mjeshtërit që fajëson veglat e tij. Në duart e duhura, mund të jetë jashtëzakonisht efektiv në marrjen e të gjithë fakteve të një historie nga gazetarët në kohën e duhur. Nëse një institut i Arsimit të Lartë nxjerr shtyp të shkruar që dështon që te titujt, atëherë ata kanë të gjithë strategjinë e komunikimit të gabuar. Çfarë ju bën të besoni se do të ishin pak më mirë po të përpiqeshin të tërhiqnin vëmendjen përmes blogjeve, Twitter-it apo ndonjë medie tjetër?
Përdorimi i medias sociale rrit presionin ndaj institucionit për të ofruar shërbime të mira: Nëse mesazhet tuaja nuk kontrollohen më nga skuadra juaj e shtypit dhe shpërndahen te studentët tuaj ose bashkëpunëtorë të tjerë, institucioni është nën presionin e të ofruarit të një shërbimi të mirë. Një shkrim i publikuar në anglisht në Mbretërinë e Bashkuar, nuk mund të përkthehet dhe të shpërndahet në Kinë. Sidoqoftë, një student kinez që shkruan në blogun RenRen rreth përvojës së tij në Universitetin e Bath-it për shembull, është i vlefshëm – sigurisht nëse përvoja e tij është pozitive. Jepuni studentëve kanalin e tyre në Youtube, që të paraqesin perspektivat e tyre në idenë e jetës studentore. Fakti që përmbajtja e pakontrolluar është e vërtetë, do ta bëjë të paçmueshëm dhe është e vështirë të mohosh se sa influencues që është Youtube sot.
Lorna Gozzard, drejtoreshë e “Kindred” – media dhe agjenci marketingu
Investo kohë në ndërtimin e profilit tënd si komunikues. Ndërtimi i një komunikuesi dhe folësi të mirë mund të jetë një proces i gjatë. Nevojitet karizma, por në tregun konkurrues, duhet gjithashtu të ketë diçka të re për të thënë. Ndërtimi i profilit të tij rreth kërkimeve është një pikë e mirë nisjeje. Kjo do të thotë të jesh tepër proaktiv në mundësitë që të ofron media: Nëse një ngjarje bën bujë, ti mund të jesh në telefon duke ia shitur ekspertëve si një komentues i përshtatshëm që në 7 të mëngjesit për shembull – gjë që është më mirë se tre orë më vonë, sepse je i pari. Përmirësimi i kërkimit të tij në Google është gjithashtu çelës. Sa më tepër prani digjitale të ketë kërkuesi, edhe nëse bëhet fjalë për blogje të vogla apo nëpër tituj, aq më të dukshëm do të jenë ata për kërkimin. Mos e nënvlerësoni vlerën e medias tradicionale. Ndërkohë që nuk dëshirojmë aspak të pakësojmë vlerën e medias digjitale dhe sociale, ia vlen të kujtojmë se njerëzit ende vazhdojnë të konsumojnë kanalet mediatike tradicionale. Në fakt, për një pjesë të madhe të audiencës, kjo është mënyra më e madhe e të lidhurit me njerëzit.
Burimi: The Guardian