Në datat 26-28 maj, është organizuar panairi “Ditët e Orientimit të Karrierës së Maturantit”, me pjesëmarrjen e 25 universiteteve.
Në kuadër të ligjit të ri të Arsimit të Lartë, ministrja Nikolla sqaroi përpara maturantëve kriteret e aplikimit në universitete.
Për tre ditë me radhë, në ambientet e City Expo, është zhvilluar panairi “Ditët e Orientimit të Karrierës së Maturantit”. Në kuadër të ndryshimeve që do të bëhen sipas ligjit të ri të Arsimit të Lartë, është parë e nevojshme që maturantët të kenë mundësinë e orientimit për të ndjekur studimet në universitet. Kanë qenë plot 25 institucione të Arsimit të Lartë, publike dhe private, që kanë ofruar çdo informacion të nevojshëm për vizitorët. Në më të shumtën e rasteve, nxënësit ishin të interesuar mbi programet e studimit të ofruara, për mjediset dhe infrastrukturën e universiteteve, tarifat e përcaktuara dhe njohjen me stafin akademik. Ata janë të orientuar drejt programeve të studimit që kanë një perspektivë në tregun e punës dhe që i shërbejnë rritjes së karrierës së tyre profesionale. Universitetet tashmë do të kenë autonomi në përzgjedhjen e studentëve, bazuar gjithmonë në kriteret e përcaktuara nga ligji i ri i Arsimit të Lartë. Numri i studentëve të pranuar do të jetë në përputhje me kapacitetet fizike të universitetit dhe numrit të pedagogëve, duke synuar një edukim shumë më cilësor. Mesatarja 6 është përcaktuar nga Këshilli i Ministrave si kriteri bazë për aplikimin në universitet, ndërsa gjimnazistët që nuk e arrijnë këtë mesatare, do të orientohen drejt shkollave apo kolegjeve profesionale.
Lindita Nikolla: Universitetet janë autonome në procesin e pranimeve
Duke e ndjerë të nevojshme sqarimin e shumë risive që sjell reforma e re në Arsimin e Lartë, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, ishte vetë prezente në këtë panair, për të bashkëbiseduar me maturantët. Ajo foli për orientimin e maturantëve, duke u bërë thirrje edhe universiteteve, që të vënë në dispozicion të tyre çdo informacion të nevojshëm. “Sot është një ditë e veçantë e zhvillimit të përgjegjësive të përbashkëta, për atë që kemi detyrim, informacionin tërësor dhe transparencën e plotë, për çdo maturant dhe prind për një proces, i cili për shkak të implementimit të ligjit të ri të Arsimit të Lartë, këtë vit ka një specifikë të veçantë. Institucionet e Arsimit të Lartë, për shkak të zgjerimit të autonomisë institucionale, marrin këtë vit një rëndësi të dorës së parë, për sa i përket procesit të pranimeve të reja në programet e studimit në Institucionet e Arsimit të Lartë në vend”, u shpreh Nikolla. Diçka shumë e rëndësishme është edhe vendosja e notës mesatare 6 si kriter hyrës në universitet, një fakt ky i sqaruar edhe në Manualin e Maturantit, që iu është vënë në dispozicion gjithë gjimnazeve. “Të gjithë ata maturantë që kanë notën mesatare mbi gjashtë, do të vijojnë me procedurat, por pa humbur mundësinë edhe maturantët që kanë notën mesatare nën gjashtë për të vijuar studimet e tyre në kolegje profesionale. Ata do të jenë të ekspozuar në këto ditë të orientimit të karrierës”, tha Nikolla.
Tonin Gjuraj: Orientimi i studentëve është thelbësor
“Duke qenë se ne jemi në pritje të udhëzimeve të reja për pranimet në vitin e ardhshëm akademik, në përputhje me ligjin e ri të Arsimit të Lartë, në mënyrë që të qartësoheshin këto procedura për nxënësit, kërkuam organizimin e një panairi të tillë. Insistuam pasi si një institucion i Arsimit të Lartë, vlerësojmë çështjen e orientimit të maturantëve dhe këshillimin e karrierës. Zonja Nikolla u tregua shumë e gatshme për diçka të tillë, duke punuar për organizimin e një panairi të përbashkët për universitetet si private ashtu edhe publike”, thotë Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj.
“Ideja është që nxënësit e gjimnazeve tani janë në momentin e përzgjedhjes jo vetëm të IAL-ve që ato do të duan të vazhdojmë studimet e larta, por edhe të programeve të studimit. Pikërisht ky panair, ka shërbyer për të sqaruar dhe për të qartësuar nxënësit si do të plotësojnë formularët dhe si do të përzgjedhin IAL-të që dëshirojnë. Këtë vit, ndryshe nga vitet e tjera, formulari paraprak bëhet edhe për IAL-të private, pavarësisht se afati i regjistrimit në këto institucione nuk do të jetë vetëm gushti, por do të vazhdojë edhe pas këtij afati”, shtoi ai.
Universiteti Europian i Tiranës, ka qenë i pari, i cili që në muajin shkurt ka përcaktuar kuotat. Ato janë vendosur në përputhje me kapacitetet fizike të universitetit dhe numrin e pedagogëve, duke respektuar edhe parimin e shumëkërkuar “një kut, një masë”. “Ne kemi deklaruar kuotat që në shkurt. Kuotat u vendosën në bazën e kapaciteteve dhe të njëjtën gjë kërkojmë edhe nga universitetet e tjera. Ne kemi dorëzuar këto kuota, nxënësit u orientuan në këtë panair dhe më pas Agjencia për Zhvillimet Arsimore do të bëjë ballafaqimin e kuotave me kapacitetet fizike dhe burimet njerëzore që kemi në dispozicion. Gjithmonë mesatarja do të jetë mbi 6 për nivelin e studimeve Bachelor”, përfundon zoti Gjuraj.