Rektori i UET, prof. dr. Tonin Gjuraj dhe presidenti i UBT, prof. dr. Edmon Hajrizi, shprehën qartë interesin e përbashkët të dy institucioneve, për të thelluar më tej bashkëpunimin akademik
Arsimi është rruga e zhvillimit të një kombi, aq i domosdoshëm për shqiptarët që jetojnë në dy shtete të ndryshme, Shqipëri e Kosovë. Të rinjtë studiojnë në të dyja anët e kufirit, por tashmë është bërë më i prekshëm ky bashkëpunim nga institucionet e Arsimit të Lartë.
Në datën 20 maj 2016, Universiteti Europian i Tiranës ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi akademik me partnerin e vet kryesor në Republikën e Kosovës, University for Buisiness and Technology në Prishtinë (UBT). Si institucione të Arsimit të Lartë me misione përmbushëse për shoqërinë, UET dhe UBT, ndajnë interesa dhe objektiva në shkëmbimin studentor dhe në çështjet e zhvillimit të programeve të përbashkëta. Në takimin e nënshkrimit të marrëveshjes mes dy universiteteve, rektori i UET, prof. dr. Tonin Gjuraj dhe presidenti i UBT prof. dr. Edmon Hajrizit, shprehën qartë interesin e përbashkët të dy institucioneve për të thelluar më tej bashkëpunimin akademik mes tyre por edhe me institucione të tjera të ngjashme, në mënyrë që të asistohet në përmbushjen e qëllimeve. Sipas draftit të nënshkruar nga dy drejtuesit e universiteteve, marrëveshja do të jetë e vlefshme në një periudhë trevjeçare, duke filluar nga ky vit akademik, që përket me vitin e dhjetë të jetës akademike të UET.
Marrëveshja mes UET dhe UBT , do të ketë në fokus të saj promovimin e disa aktiviteteve mes universiteteve. Ndër të tjera:
- Zhvillimin dhe implementimin e projekteve në fusha të interesit të përbashkët në politikat rajonale dhe qëllimet e zhvillimit.
- Shkëmbimet e personelit akademik dhe kërkimor.
- Shkëmbimet e studentëve.
- Zhvillimin e aktiviteteve kërkimore, si konferenca ndërkombëtare dhe seminare.
- Zhvillimin e bashkëpunimit për botime të përbashkëta në anglisht.
- Organizimin e aktiviteteve për shkolla 9-vjeçare në Shqipëri dhe Kosovë.
- Bashkëpunimin në organizimin e konferencës ndërkombëtare të Ditëve të Studimeve Shqiptare në UET dhe tashmë, të ndërlidhur me UBT.
- Si dhe çdo lloj aktiviteti tjetër të interesit të përbashkët.
Në arritjen e kësaj marrëveshjeje, pati kontributin e vet edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, zoti Qemal Minxhozi. Ky i fundit ka kontribuar në marrjen e vendimit nga ana e Qeverisë së Kosovës për njohjen e diplomave dhe koordinimin e vizave të autoriteteve të ndryshme kosovare në UET. Marrëveshja mes UET dhe UBT Prishtinë, do të ketë rolin e vetë në shumëfishimin e impaktit akademik dhe në përgjysmimin e kostove kërkimore shkencore mes dy universiteteve. Gjithashtu, nga kjo marrëveshje do të ndërmerren së bashku edhe projekte ndërkombëtare me Erasmus+ si dhe aplikime për Horizon.