Nxitja e arsimit profesional, tashmë nuk është vetëm një nevojë emergjente e ekonomisë për punëtorë të kualifikuar për profesione të ndryshme që kërkohen nga tregu i punës, por po kthehet në një trend që të rinjtë duan ta ndjekin. “Olimpiada e aftësive” e solli në formën më të mirë këtë trend, ku të rinjtë e kishin hedhur pas krahëve sikletin e zgjedhjes së tyre për t’u bërë hidraulikë, elektricistë, teknikë etj., duke e kthyer këtë shkollim në fakt, në pikën e tyre të krenarisë. Ministri i Punës, Blendi Klosi, tha se një ligj i ri, që lidh më mirë tregun e punës me arsimin profesional, do t’i propozohet parlamentit së shpejti. Ndërsa nga UET, në 10-vjetorin e krijimit të tij, vjen nisma për të hapur kolegjin profesional, me qëllim ndryshimin e konceptit të këtij sektori. Të rinjve duhet t’u jepet më shumë kohë për të vendosur të ardhmen e tyre, prandaj arsimi profesional do t’i përkasë edhe edukimit sekondar.
Muzikë live dhe instalacione fantastike anijesh, modele makinash të krijuara për ekspozim, motorë dhe një kullë Eiffel në miniaturë, të ftonin të vizitoje një nga panairet më të veçanta të hapura në Ekspo City. Veçantia e këtij panairi qëndronte te grupmosha që ai i drejtohej dhe që ishin nga 14-15-vjeçarë deri në 18 vjeç.
Këta mijëra të rinj, në vend që të harxhonin një ditë përpara kompjuterit, e harxhuan atë në një botë reale për të bërë një nga gjërat më të rëndësishme të jetës së tyre – afrimin drejt një profesioni. Ky panair edhe nëse nuk i ka bindur të gjithë që të afrohen te një profesion, të paktën ka krijuar një kulturë dhe ka tërhequr vëmendjen tek arsimi profesional.
Mijëra të rinj që ishin aty fundjavën që shkoi, linin të kuptoje një gjë, që zanatçiu sot nuk është i mërzitshëm, që zanatçiu sot është në fakt një modë. Nuk është më e bezdisshme të jesh një hidraulik, mekanik, elektricist, kuzhinier apo rrobaqepës. Përkundrazi, je trendi. I keqkuptuar në 25 vitet e fundit, zanati ishte konceptuar krejt gabim. Pak ose aspak të preferuar nga të rinjtë, zanatet ishin lënë në harresë duke sjellë nga ana tjetër një mbingopje të të rinjve me arsim të lartë, që përfundonin duke bërë punë të tilla, të cilat nuk e kërkonin këtë kualifikim. “Olimpiada e aftësive” që u mbajt në Tiranë në datat 20-22 Maj, mblodhi nxënës nga gjithë vendi për t’u njohur me mundësitë më të mira të formimit profesional dhe garancisë së punësimit që ofron ky arsimim. Këtë Olimpiadë e mbështetën dhe dy universitete, Universiteti Europian i Tiranës dhe Polis, të cilët nxisin formësimin e profesionistëve të lartë, shkollim profesional pas maturës. Pjesëmarrja e universiteteve u përshëndet nga ministri Blendi Klosi, i cili foli për mundësinë që u është dhënë universiteteve me ligjin e ri, që të kontribuojnë në arsimin profesional.
Në kuadër të kësaj, në vitin e 10-të të tij, Universiteti Europian i Tiranës po përgatitet për të hapur Kolegjin Profesional UET, ndërsa në një strategji që po zbatohet tashmë, po synon të kthejë masterat profesionalë sa më afër kërkesave të tregut të punës, duke përgatitur profesionistë të rinj të kualifikuar.
UET, së shpejti me kolegj profesional dhe kolegj sportesh
Ka qenë Administratori i UET, Henri Çili, që ka shpalosur platformën e këtij universiteti, në lidhje me zgjerimin drejt arsimit profesional. Duke parë të nevojshëm kualifikimin profesional të studentëve, Çili ka theksuar nevojën e një arsimi të lartë profesional, por jo një arsimi të mesëm profesional, pasi fëmijët nuk mund të vendosin ende për të ardhmen e tyre. “Në kuadrin e strategjisë së Universitetit Europian të Tiranës për të kaluar nga një universitet i përgjithshëm, parashikohet duke filluar nga ky vit, pra 2016, ngritja e kolegjit profesional dhe kolegjit të sporteve – të dyja dyvjeçare. Ideja është që të agregojmë atë numër studentësh, ose atë kërkesë studentësh, e cila nuk kënaqet me degët klasike universitare, por kërkon një profesion në një periudhë më të shpejtë për tregun e punës. Kjo nuk do të thotë që në elemente të tjera, siç është masteri profesional apo diplomat e tjera, të mos kemi elemente profesioni. Por kolegji profesional do t’i përgjigjet specifikisht kësaj kërkese. Kjo ishte dhe arsyeja e vajtjes sonë te ky panair, për t’u takuar pikërisht me fushatën që po merr qeveria për të fuqizuar arsimin profesional. Idetë tona janë pak a shumë të tilla – pro arsimit profesional por jo arsimit të mesëm profesional. Ai është shumë i vështirë pasi vendimi duhet të merret në një moshë psikologjike shumë të vogël, siç është mosha 14 vjeç. Arsimi profesional duhet të jetë një arsim i gjithi për sekondarin”, ka deklaruar Çili. Aktualisht, me këtë projekt është angazhuar departamenti i edukimit në UET, i drejtuar nga profesor Tomi Treska.
Blendi Klosi: Së shpejti, një ligj që lidh arsimin profesional me tregun e punës
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, duke vlerësuar pjesëmarrjen e dy universiteteve tha se “duhet të kuptojmë se kërkesat për profesione zgjidhen vetëm nga arsimi profesional dhe në këtë kuadër kurset që këto universitete ofrojnë, për mbi 18-vjeçarë, për studentë që duan të marrin një profesion, është një nga elementet e munguara deri tani. E përshëndesim shumë prezencën e tyre në këtë olimpiadë, mbështesim dhe inkurajojmë fort edhe duke pasur një bashkërendim të kërkesave për arsim profesional, hapjen e shkollës së lartë për arsimin profesional”. Edhe ministri Klosi pranoi se arsimi profesional nuk mund të mbetet vetëm në stadin e arsimit të mesëm, por duhet të përfshihet edhe sektori i Arsimit të Lartë. Ai deklaroi se së shpejti do të ketë edhe një ligj të posaçëm për të bashkërenduar kërkesat e bizneseve me produktin që del nga shkollat profesionale. “Universitetet e kanë këtë mundësi me anë të ligjit të Arsimit të Lartë, ndaj i nderuar zoti Çili, është ky panair që kërkon të ringrejë dhe të rikthejë në identitet arsimin profesional. Ne nuk kërkojmë që kjo të bëhet vetëm nga shkollat e mesme profesionale dhe nga qendrat e formimit profesional. Ka profesione të vështira që kërkojnë më tepër arsimim si ekspertët e IT dhe shumë të tjerë. Kjo olimpiadë na bën të mendojmë për një strategji të re për edukimin profesional. Do të paraqesim së shpejti një ligj, që do të zgjidhë disa probleme me mënyrën e lidhjes së këtij arsimi me tregun e punës dhe kërkesat e biznesit.”
Propozimi, profesioni postsekondar
Universiteti Europian i Tiranës propozon që të ndryshojë mosha për zgjedhjen e një profesioni dhe ai të bëhet një shkollim postsekondar pas një gjimnazi të përgjithshëm dhe universal. Gjatë fjalës së tij në konferencën e mbajtur nga ministria, përfaqësues të biznesit dhe të universiteteve, Henri Çili tha ndër të tjera se “shkolla, profesioni dhe tregu i punës janë në sinergji dhe konveniencë të përhershme. Bashkëpunimi mes tyre është i pandërprerë. Pse? Shkolla përgatit profesionistë, tregu ka nevojë për profesionistë. Shkolla merr nga profesionet dhe nga bota reale e dijes që u jep studentëve dhe ky zinxhir vazhdon pafundësisht. Por ne duhet të përballemi me një sfidë që ka edukimi si njerëz që merremi me edukimin. Ne duhet të përgatisim sot me mësues të formuar në të kaluarën, studentë për të ardhmen”. Nga ana tjetër, ai tha se bota është dinamike, profesionet kanë ndryshuar dhe duhet një reflektim në këtë listë profesionesh, që pastaj gjithë aktorët të marrin mesazhin nisur nga kjo listë, për të përgatitur ofertën edukative, për të përgatitur pozicionet e punës ose për të përgatitur shpërblim-motivimin.
Ai propozoi që në këtë kuadër, Shqipëria duhet ta zgjerojë, ta thellojë e ta bëjë të plotë reformën e profesioneve të rregulluara. “Sot kemi vetëm 17 profesione të rregulluara. Kjo listë duhet të zgjerohet sepse shoqëria duhet të garantohet me profesionistët që dalin në tregun e punës. Unë kisha dhe një ide origjinale dhe kontraversive. Sipas studimeve të specialistëve tanë, por edhe të studimeve bashkëkohore, mosha për ta zgjidhur profesionin vërtitet mes 18 dhe 25 vjeç. Pse? Zhvillimi psiko-emocional i të rinjve të epokës postmoderne dhe rrethanat e industrializimit, krijojnë mundësinë që kjo moshë të vonohet paksa. Ndoshta duke mbajtur kryefjalën e arsimit profesional, kemi nevojë në vitet e ardhshme ta reformojmë si koncept duke i dhënë shumë më tepër përparësi arsimit postsekondar profesional, në krahasim me arsimin e mesëm profesional. Është shumë arbitrare që t’u thuash sot adoleshentëve 14-vjeçarë ta gjejnë çfarë profesioni duan kur çdo zgjedhje tjetër e tyre që nga ato të dashurisë deri tek ato të martesës e përfaqësimi ligjor, bëhet duke filluar nga 18 vjeç. Ky është një diskutim i gjatë e për t’u parë. E rëndësishme është që profesioni ose arsimi profesional është kthyer në qendër të vëmendjes”, theksoi Çili.
Panairi i punës në UET, mundësi për të punuar në profesion
Eksperienca e studentëve që kanë përfituar mundësi për intership pranë kompanive të mëdha
Mes 54 kompanive pjesëmarrëse në panairin e punës, që organizohet çdo vit nga Universiteti Europian i Tiranës, shumë studentë kanë arritur të gjejnë intershipe apo vende pune. Jo vetëm studentët në prag diplomimi, por edhe studentë të vitit të parë apo të dytë mund të marrin pjesë duke dorëzuar CV-të e tyre dhe letrat e motivimit. Pikërisht për këtë fakt, ky panair është një test i mirëfilltë për studentët që duhet të familjarizohen me intervistat e punës. Erika Guçe, studente në vitin e tretë për financë, ka qenë pjesëmarrëse edhe në panairet e mëparshme. “Është viti i tretë radhazi që unë jam pjesëmarrëse e panairit të punës dhe kam pasur kënaqësinë dhe mundësinë të marr informacione pranë kompanive pjesëmarrëse. Panairi është shumë i vlefshëm dhe këtë e kanë treguar rezultatet ku shumë studentë janë interesuar te pjesa më e madhe e kompanive për të pyetur për mundësitë e intershipit dhe për mundësitë e punësimit. Nga ajo çfarë unë kam vërejtur, mundësitë e punësimit dhe intershipet janë më se të vlefshme për studentët, nisur dhe nga eksperienca ime”, thotë Erika, e cila ka edhe një eksperiencë në Raiffeisen Bank. “Në vitin e dytë të studimeve të mia, me anë të panairit të punës dhe me ndihmën e pedagoges Ermira Qosja, unë arrita që të jem pjesë e një intershipi pranë Raiffeisen Bank. Ky intership konsistonte në një program që zgjaste për një periudhë 1-vjeçare, ku studentët trajnoheshin si agjentë shitjesh. Fillimisht bëra aplikimin për intership, më pas bëmë një intervistë, nga ku unë u përzgjodha për të vazhduar më tej. Gjatë këtij intershipi, kisha mundësinë të mësoja si të punoja në grup, të realizoja detyrat që më përcaktoheshin dhe të provoja veten në sektorë të ndryshëm.” Ajo tashmë ka realizuar një tjetër intervistë pranë kësaj banke, për të fituar një vend pune të përhershëm. Për të, një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe parapërgatitja për intervistën e punës, pasi aty çdo student duhet të shpalosë aftësitë personale. “Intervista është një provë e rëndësishme për të fituar një vend pune, prandaj duhet të kujdesemi që ajo të shkojë sa më mirë. Nga eksperienca ime mund të them që është shumë e rëndësishme të jesh i informuar për kompaninë ku aplikon, si dhe pozicionin e punës. Duhet të jesh i qartë në atë çka thua, të tregosh përkushtim, motivim, fleksibilitet dhe inteligjencë. Një veshje e përshtatshme është shumë e vlefshme, pasi me anë të saj ti tregon seriozitetin me të cilin ti ke marrë këtë intervistë dhe këtë vend pune”, përfundon Erika.