Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Dr. Arolda Elbasani: Iniciativa e ndryshimit të sistemit vjen nga institucionet private

$
0
0

arolda elbasani fotoAkademikja shqiptare në Itali, Arolda Elbasani, në një intervistë për MAPO, flet për karrierën e saj jashtë vendit, problemet e europianizimit të Shqipërisë, radikalizmin islamik dhe sfidat e arsimit shqiptar

Nga Erjon Uka

Me temë “Shqipëria si objekt studimi: Ekonomia, politika, zhvillimi social, e ardhmja”, Universiteti Europian i Tiranës zhvilloi në datat 29-30 prill, Ditët e Studimeve Shqiptare, për të tretin vit radhazi. Risia në këtë event ishin akademikët shqiptarë nga diaspora, ata që kanë ndërtuar një karrierë akademike në universitetet më prestigjioze kontinentale dhe anglo-saksone. Arolda Elbasani, kërkuese në European University Insitute në Firence, në një intervistë për gazetën MAPO rrëfen vështirësitë e arsimimit jashtë, jo vetëm për të arritur rezultate akademike, por në të njëjtën kohë për të shtypur paragjykimet apo diskriminimet. Në fokusin e saj janë çështjet e europianizimit dhe demokratizimit të Shqipërisë dhe së fundmi, kërkimet e saj janë fokusuar në rigjallërimin e Islamit dhe radikalizmi islamik, që është një nga derivatet e këtij fenomeni. “Radikalizimi është një nga këto trajta të reja, por nuk është as dominant, as shqetësues, përderisa kufizohet në grupe të papërfillshme individësh. Për ta vënë në një balancë krahasuese – Shqipëria ka shumë më tepër kriminelë apo gjyqtarë të korruptuar se sa radikalë, dhe rreziku nga këta të fundit është i papërfillshëm në krahasim me atë që vuajmë nga këta të parët. Ballkani është në rrezik nga korrupsioni endemik në nivelet e larta të politikëbërjes, që shpesh lidhen me krimin dhe e vesh atë me imunitet”, shprehet Arolda Elbasani gjatë intervistës. Sheh shumë probleme në sektorin publik të Arsimit të Lartë, ndërsa sektori privat, edhe pse me probleme, shërben si një nxitës i konkurrencës dhe rritjes së cilësisë, pasi diktohet nga konkurrenca e tregut.

Cili ka qenë shkollimi juaj në Shqipëri dhe si arritët që të arsimoheshit jashtë shtetit?

Në Shqipëri kam bërë shkollën fillore dhe gjimnazin e përgjithshëm “Oso Kuka” në Shkodër. Asnjë nga këto shkolla nuk kanë qenë institucione ‘elitare’, por unë kam pasur gjithmonë një slogan timin personal: Puno dhe insisto që të bëhesh dikushi. Unë besoj se edukimi im në Shqipëri dhe sidomos ajo disiplina personale që më ka mbajtur të izoluar nga trendet e ‘modës’, ka qenë një bazë solide për të vazhduar më tej.

Sigurisht që studimet jashtë nuk ishin një hap i lehtë apo automatik. Së pari, unë vija nga ‘periferia’ – pa lidhje, pa mbështetje, pa strategji – kështu që duhet të gjeja rrugën vetë. Së dyti, kur studion jashtë përballesh me një sistem që ne nuk e njohim dhe nuk jemi trajnuar ta përballojmë. Për shembull, përveç punës duhet të dish të ‘shesësh’ atë që bën; duhet të zhvillosh lidhje institucionale e personale; duhet të kuptosh si funksionojnë këto dhe ne duhet t’i mësojmë duke bërë dhe duke e pësuar. Së treti, është dhe problemi ‘gender’ – në Shqipëri studimet e larta shihen si një mënyrë për të siguruar një punë të rehatshme dhe ti duhet të shpjegosh gjerë e gjatë që puna kërkimore vetëm e rehatshme nuk është.

Cilat janë disa nga vështirësitë që një student shqiptar ndesh në përpjekjen për të ndërtuar një karrierë akademike jashtë vendit? Ka pasur paragjykime dhe si keni arritur t’i shtypni ato?

Oh, për të të dhënë një shembull: Kur unë kam aplikuar për doktoraturë në Institutin Universitar Europian në Firence, profesori që ishte i interesuar në projektin tim dyshonte se mos mashtroja sepse CV-ja i dukej shumë e bukur për të qenë e një shqiptareje. Atëherë ishte periudha kur shqiptarët në Itali shiheshin si kriminelë ose në rastin më të mirë, emigrantë të prapambetur dhe unë isha shqiptarja e parë që shkelte në atë departament. Në fakt, para se të shqyrtohej si gjithë të tjerët, aplikimi im është verifikuar për falsifikime të mundshme. Më pas qeshnim mbi këtë me profesorin në fjalë dhe një kolege, me të cilët më vonë u bëmë miq. Pastaj ka dhe paragjykime shumë më të “holla” sepse sidoqoftë, je në mjedise elitare dhe njerëzit kanë etikë sjelljeje. Por, në fund të fundit, kur arrin në pikën që puna jote publikohet, citohet, vlerësohet, është puna që flet. Dhe lëkura të bëhet gradualisht më e fortë dhe e kupton se disa gjëra janë pjesë e rrugës dhe është më mirë t’i injorosh.

Cilat janë disa nga arritjet tuaja akademike?

Unë tani punoj dhe drejtoj dy projekte kolektive së bashku me prof. Olivier Roy, në Robert Shuman Center for Advaced Studies. Të dyja projektet kanë në fokus lidhjet mes fesë dhe shtetit në demokracitë pluraliste. Së bashku me Olivier Roy, që është një emër i rëndësishëm në fushën e studimeve islamike, kemi publikuar një libër dhe një artikull. Unë vetë kam publikuar disa artikuj mbi Islamin dhe demokracinë.

Një temë tjetër mbi të cilën punoj dhe publikoj është Europianizimi i vështirë i Ballkanit Perëndimor. Mbi këtë kemi publikuar disa artikuj dhe gjithashtu një libër. Së fundi, po punojmë mbi disa artikuj lidhur me Europianizimin dhe problemin e ‘kapjes së shtetit’.

Ju studioni çështjet e demokratizimit dhe europianizimit në Shqipëri, por të para në një kontekst nga jashtë Shqipërisë. Çfarë mund të thoni më tepër për këto sfida, që në një farë mënyre po mbajnë peng integrimin e Shqipërisë?

Për t’i rënë shkurt një shpjegimi të gjatë, Europianizimi në Shqipëri është shpesh çështje premtimesh politike që mbesin fjalë boshe ose reforma të stilit potenkin. Çdo mazhorancë dhe parti politike premton me të lartë avancimin në BE; ligjet dhe institucionet në fakt janë ndryshuar non stop sipas kërkesave të BE-së apo donatorëve të ndryshëm. Ndërkohë, indekset që matin ecurinë e reformave si Bertlessman Transformation Index apo Freedom House, tregojnë që vendi ka mbetur stagnant në kohë. Do të thotë që ne ndryshojmë ligjet por këto mbeten në letër! Shpjegimi më i drejtpërdrejtë është një elitë politike që përfiton nga një sistem i pareformuar – fuqi, lekë, imunitet, lidhje. Prandaj, nga një anë premton reforma, nga ana tjetër reziston ndryshimet thelbësore. Problemi tjetër, është që faktori ndërkombëtar shpesh bie në qorrsokakun e lojërave politike dhe nuk di ose nuk do të ndajë shapin nga sheqeri. Problemi i radhës është një shoqëri civile e dobët dhe e politizuar, që shpesh funksionon si aneks i partive politike apo makineri për të thithur fonde donatoresh dhe jo si mekanizëm kontrolli social.

Radikalizmi islam është fokusi juaj kohët e fundit. Sa e rrezikuar është Shqipëria dhe Ballkani nga një fenomen i tillë dhe çfarë mund të bëhet për të ndalur këtë situatë?

Unë në fakt studioj rigjallërimin e Islamit si një aktor që për mirë apo për keq merr trajta të ndryshme, sidomos në kontekstin e hapjes së komunikimit me vende të ndryshme dhe rryma të ndryshme fetare. Radikalizimi është një nga këto trajta të reja, por nuk është as dominant, as shqetësues, përderisa kufizohet në grupe të papërfillshme individësh. Për ta vënë në një balancë krahasuese – Shqipëria ka shumë më tepër kriminelë apo gjyqtarë të korruptuar se sa radikalë dhe rreziku nga këta të fundit është i papërfillshëm në krahasim me atë që vuajmë nga këta të parët. Ballkani është në rrezik nga korrupsioni endemik në nivelet e larta të politikëbërjes, që shpesh lidhen me krimin dhe e vesh atë me imunitet. Madje dhe radikalizimi ka lidhje me politikat e papërgjegjshme. Të mos harrojmë, radikalizimi i vërtetë në Shqipëri ka ndodhur në periudhën e parë të tranzicionit, kur organizata të paregjistruara terroriste mirëpriteshin si “investues ekonomikë” dhe kishin lidhje preferenciale institucionale me hierarkinë e shërbimeve sekrete dhe më gjerë. Kështu që ato bënin si të donin, se s’kishte kush i kontrollonte.

Si e shihni Arsimin e Lartë shqiptar? Sipas mendimit tuaj, cilat janë disa nga problemet themelore të organizimit të tij? Cilat janë sfidat e kërkimit shkencor?

Është e dhimbshme të thuhet, por është koha që ta përballojmë – një pjesë e mirë e Arsimit të Lartë publik është bërë pre e politikave klienteliste dhe dominohet nga nipa, mbesa, kunata, e nuse të personave me fuqi, që e shohin universitetin si strehë për një punë të rehatshme. Për më tepër, ka institucione “kërkimore” që prodhojnë politikë sepse krerët janë vënë aty të bëjnë pikërisht këtë. Këta profesorët-politikanë shpesh mbajnë dhe nga një OJQ nën sqetull dhe vjelin fonde për të shtuar përfitimet personale. Në këtë kontekst, institucionet publike duan të mbrojnë domenin e vet duke funksionuar si centrifugë që përjashton influencat dhe idetë e reja. Arsimi privat ka problemet e veta por të paktën ka më tepër llogaridhënie sepse në fund të fundit bëhen llogaritë me ekonominë e tregut, që indukton një farë dinamizmi, hapje dhe kërkese ndryshimi. Në fakt, nëse ka iniciativa ndryshimi të sistemit, kjo po vjen nga institucionet private. Këto të fundit janë më të interesuara të kenë indikatorë të matshëm suksesi sepse u shton vlerën në treg. Zgjidhja është futja e një sistemi kompeticioni – nuk duhet të ketë institucione të mbrojtura; të gjithë duhet të vlerësohen në mënyrë të pavarur sipas indikatorëve ndërkombëtarë; nuset e gratë apo profesorët-politikanë që kanë zënë karriget duhet të nxirren; të mirëve që bëjnë punë t’u jepen mundësi të avancojnë në sistem.

A mund të flasim për një diasporë akademike shqiptare dhe a është e nevojshme që akademikët shqiptarë në Europë dhe SHBA të mblidhen në mënyrë periodike për të krijuar një “komunitet shkencor” ku jepen ide, punime apo nisma me impakt në shoqërinë shqiptare?

Sigurisht që ka plot akademikë shqiptarë nëpër botë që mund të integrohen në forma të ndryshme për të hapur apo revolucionarizuar sistemin. Të jemi të qartë – një Bachelor apo doktoraturë jashtë nuk të bën akademik se shoh që në Shqipëri kjo keqpërdoret; janë publikimet, projektet, citimet që të bëjnë akademik. Për më tepër, hapja ndaj akademikëve që punojnë jashtë mund të jetë një lidhje e frytshme për të dyja palët. Të gjithë ne duam të bashkëpunojmë, të krijojmë lidhje, të aplikojmë për projekte, të marrim fonde kërkimore dhe jemi në kërkim të këtyre. Nga ana tjetër, përfshirja e akademikëve të huaj, shqiptarë ose jo, do e shkundë sistemin sepse do të vendosen parametra të rinj pune, rezultatesh dhe pritshmërish.

Librat dhe artikujt e lartpërmendur në intervistë, mund t’i gjeni duke klikuar linket e mëposhtme:

http://www.palgrave.com/us/book/9781137517838

http:// www.tandfonline.com/doi/full/10.1080/14683857.2015.1050273

http:// www.tandfonline.com/doi/abs/10.1080/13510347.2012.738328

http://journals.cambridge.org/action/displayAbstract?fromPage=online&aid=9875966

http:// www.tandfonline.com/doi/abs/10.1080/09668136.2015.1136596?journalCode=ceas20

https://www.routledge.com/European-Integration-and-Transformation-in-the-Western-Balkans-Europeanization/Elbasani/p/book/9780415594523


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180