Kërkimi është bërë nga 11 studentë të Fakultetit të Shkencave të Edukimit, në Universitetin e Udines, Itali. Ankthet më të përhapura lidhen me vetminë dhe pamundësinë e krijimit të familjes.
Gjetja e një vendi pune është frika më e përhapur te të rinjtë. Katër në dhjetë studentë – e thënë në përqindje 41.2% – e vendosin të parën në kërkimin “Risqe të largëta/frikëra të afërta” të hartuar nga Fakulteti i Shkencave të Edukimit në Universitetin e Udines. Rezultatet e kërkimit, i realizuar në partneritet me edicionin e dymbëdhjetë të festivalit “afër/larg”, u bënë publike të nesërmen e Ditës Botërore të Punëtorëve, 1 maj. Ky studim tregon edhe problemin më të madh të të rinjve në rajonin verior të Italisë. Studimi u realizua edhe me ndihmën e studentëve që anketuan bashkëmoshatarët e tyre.
Frika për punën që nuk ekziston. Shqetësim jo vetëm për gjetjen e një vendi pune: Mes të rinjve ekziston edhe dëshira për të gjetur një punë që i vetërealizon, që i bën të lumtur, që i emancipon dhe i bën të pavarur, me qëllim që të ndërtojnë një familje. Por gjithashtu, kërkojnë edhe punë që nuk i largon nga njerëzit e dashur dhe t’i detyrojë të rrinë në vetmi.
Ankthet më të përhapura. “Frikërat më të shpeshta, lidhen me punën, me vetminë dhe me pamundësinë për të krijuar familje. Por gjithashtu, shumë kanë frikë të zhgënjehen nga pritshmëritë që kanë pasur në fillim. Kështu që, duke marrë parasysh edhe të dhënat sasiore e cilësore që vijnë nga anketimi, për të rinjtë, familja përfaqëson një vlerë dhe një pikënisje. Për të tjerë, familja përfaqëson frikë dhe pasiguri në ndërtimin e marrëdhënieve dhe në pak raste përgjigjet përshkruajnë një shoqëri me konkurrueshmëri të lartë, shoqëri ku mbizotëron urrejtja, mungesa e tolerancës, bullizmi dhe diskriminimi për studentët, të cilët deklarohen homoseksualë.”
Të rinjtë studiojnë të rinjtë. Grupi i studentëve i Shkencave të Edukimit ka realizuar anketat dhe ka interpretuar rezultatet. Ky studim përdor një metodologji të veçantë, pikërisht nga fakti se janë studentët që intervistojnë bashkëmoshatarët e tyre. Nuk bëhet fjalë për një kampion statistikor për gjithë popullsinë, por një riprodhim besnik cilësor i fenomenit me të dhëna që do të ishin skartuar në rast se do të bëhej një studim i gjerë sasior. “Kemi përdorur celularët dhe kompjuterët, jo për të mbledhur të dhëna numerike, por për të monitoruar ndjenja dhe emocione, të transmetuara nga një i ri te një tjetër, duke përdorur praktikat dhe mjetet më të shpeshta që ata përdorin për komunikim”, shpjegon vëzhguesi shkencor. Intervistat e realizuara në këtë mënyrë favorizojnë një natyralitet, besim dhe ndershmëri më të madhe, në raportin mes intervistuesit dhe të intervistuarit.
Kërkimet i koordinon një studente. Grupi i punës u koordinua nga Valentina Bernardinis, studente e nivelit Master në profilin e komunikimit të integruar organizacional. Kjo zgjedhje u bë për të garantuar një gjithëpërfshirje dhe një motivim më të madh në sytë e studentëve. Udhëheqës shkencor ishte Nicola Strizzolo, doktor i shkencave në Sociologjinë e Edukimit, me një eksperiencë të gjerë në kërkimet kombëtare dhe ndërkombëtare mbi të rinjtë, median dhe devijancat.
Kampioni i të intervistuarve. Nga të intervistuarit, 49 janë vajza dhe 46 janë djem. Mosha mesatare është 20 vjeç, (ku mosha minimale është 15 vjeç dhe ajo maksimale 25 vjeç). Të rinjtë e intervistuar janë nga rajoni verior i Italisë, me përjashtim të dy studentëve siçilianë, një roman, një nga jugu (i paspecifikuar vendi) dhe një studente sllovake. Pjesa dërrmuese janë studentë aktualë (84), disa jashtë rajonit të Udines dhe disa jashtë vendit (Francë, Angli dhe Holandë), 2 janë studentë të punësuar, 4 vetëm punojnë, 1 është biznesmen hotelesh, së bashku me të atin, dhe 3 të rinj janë të papunë.
La Repubblica