Projekti “Politikat e BE-së: Eksperiencat e mësuara nga vendet e Visegradit” ka mundësuar disa leksione të përvojës së vendeve të Visegradit, në Universitetin Europian të Tiranës.
Nga Egon Loli
Tashmë që Shqipëria ka marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, përpara vendit shtrohet çështja e modelit që duhet ndjekur për të rrugëtuar natyrshëm drejt unionit 28-anëtarësh. Pikërisht, vende të Europës Lindore si Polonia dhe Hungaria – të ngjashme me ne sa i përket përvojës komuniste – mund të tregojnë një alternativë konkrete të rrugës që Shqipëria mund të ndjekë. Projekti “Politikat e BE-së: Eksperiencat e mësuara nga vendet e Visegradit”, mbështetur nga Fondi Visegrad për studimet Universitare, ka mundësuar disa leksione të përvojës së vendeve të Visegradit, në Universitetin Europian të Tiranës. Nëpërmjet këtij projekti, synohet të transferohen njohuritë, praktikat më të mira dhe sfidat e integrimit Europian nga vendet e Visegradit (Hungari dhe Poloni), drejt vendeve aspirante për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE (si Shqipëria) nëpërmjet zhvillimit të kurseve akademike të përbashkëta. Në datën 7 maj 2016, profesor Janusz Ruskowsi nga Universiteti Szczechski i Polonisë mbajti një leksion për studentët e Masterit në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Politike sa i përket Qeverisjes Shumë Nivelëshe (Multi Lever Governance) brenda BE, si dhe konceptit të Europianizimit (Europeanization) të institucioneve. Në përvojën e Polonisë, dhënë përmes slideve, profesor Ruskowski, ndër të tjera theksoi se gjatë procesit të Europianizimit të institucioneve lind nevoja e rregullimeve të ndryshme strukturore, sepse procesi i Qeverisjes Shumë Nivelëshe përfshin një përqendrim më të madh të funksioneve.
Përvoja e Hungarisë në tranzicionin demokratik drejt Evropës
Në vazhdim të projektit të mbështetur nga fondi i Visegradit për studimet universitare “Politikat e BE: Eksperiencat e mësuara nga vendet e Visegradit”, ishte gjithashtu i ftuar në UET pedagogu i Shkencave Politike në Universitetin e Europës Qendrore në Budapest, prof. Andras Bozoki. CEU (Central European University) është një nga universitetet partnere të UET në kuadër të programit Erasmus Mundus Sigma Agile, në bashkëpunimin dhe shkëmbimin akademik. Hungaria është një nga vendet e Evropës Lindore, që ka kaluar një proces relativisht të gjatë anëtarësimi në BE pas daljes së saj nga perdja e hekurt sovjetike – saktësisht 15 vite nga viti 1989 deri në vitin e anëtarësimit të saj, 2004 – një rrugëtim institucional që mund t’i shërbejë vendit tonë si shembull i afërt progresi. Por leksioni triorësh i profesor Bozokit, mbajtur në sallën Concilum me studentë të Masterit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, nuk ishte thjesht instruksion teknik mbi procesin e anëtarësimit. Ai bëri një parashtrim të gjerë të koncepteve gjeostrategjike të vendeve të Visegradit – duke specifikuar këtu Hungarinë – dhe evolucionit të terminologjisë politike në procesin e anëtarësimit. Leksioni i tij ishte së pari, i një interesi akademik – duke theksuar këtu rëndësinë e integrimit evropian si një ndërmarrje komplekse e demokratizimit të të gjitha sferave të shoqërisë. Artikujt e tij akademikë, janë botuar në disa revista, ndër të tjera edhe në Comparative Sociology apo East European Constitutional Review, e që tregojnë rëndësinë gjithëpërfshirëse të procesit të integrimit edhe në sferën sociologjike apo atë të së drejtës.
Meqenëse fusha e studimeve politike të krahasuara është një ndër mënyrat më të mira të analizës së progresit të demokracisë shqiptare, profesor Bozoki zhvilloi gjerësisht një krahasim të demokracive apo të proceseve demokratike të vonuara, në vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë. Ai u tregua realist në shpjegimin e tij përpara studentëve, kur theksoi se procesi demokratik nuk ndodh vetvetiu dhe nuk duhet marrë asnjëherë si i mirëqenë në cilëndo fazë të tij. Demokratizimi i sferës politike dhe publike mund të bëjë progres, por po ashtu, mund të bëjë edhe regres në kohë. Këtë të fundit, ai e përshkroi me termin “Vajmarizim” – marrë pikërisht nga shembulli i dështimit tragjik të demokracisë liberale në Republikën e Vajmarit në Gjermaninë e viteve ‘30, ndjekur nga ardhja në pushtet e Hitlerit. Hungaria dhe Shqipëria kanë pasur perceptime të ngjashme në pëlqyeshmërinë respektive ndaj anëtarësimit në BE – në Hungari rreth 90% e votuesve në referendum kanë qenë pro, ndërsa në Shqipëri, kanë qenë pro mbi 80% e të anketuarve në disa studime me këtë tematikë. Por jo vetëm kaq. Profesor Bozoki shpjegoi se hungarezët e perceptonin anëtarësimin si një “detyrë” teknokratësh nëpër zyrat e largëta të Brukselit, shkëputur nga realiteti i përditshëm. Ndërkohë që në Shqipëri këtë përshtypje ta japin zhvillimet e tensionuara në gjirin e klasës politike – ngjashëm me faktin që këtu, diplomatët e huaj perceptohen gjerësisht në rolin e gjyqtarit mes palëve. Për të treguar se ashtu si në rastin e vendit të tij, por edhe të vendeve të tjera, demokratizimi është një proces gjithëpërfshirës, që kërkon përmbushjen e një sërë kriteresh të matshme, profesor Bozoki bëri një pasqyrë të zhvillimeve të brendshme politike të shumë shteteve me regjime hibride në vitet ‘90 – të cilat kishin arritur me sukses të përmbushnin standardet e vendosjes së shtetit të së drejtës (si Spanja apo vendet e Visegradit), kishin qëndruar në të njëjtin nivel, apo ishin përkeqësuar (shumë vende të Lindjes së Mesme apo ish-republika Sovjetike). Niveli i konkurrencës, përfaqësimi i popullsisë, liritë dhe të drejtat civile apo mundësitë e barabarta janë disa nga treguesit e performancës së këtyre vendeve. Shqipërisë, në procesin e integrimit evropian i mbetet vetë t’i vlerësojë këta tregues të rëndësishëm të demokratizimit. Duke cituar shprehjen e Schumpeter “Nuk duhet t’i presim të gjitha nga demokracia”, profesor Bozoki theksoi nëpërmjet leksionit se ky proces është i larmishëm dhe varet konkretisht nga kushtet e çdo vendi. Në rastin e Shqipërisë, kjo e bën të vështirë ndjekjen e një shembulli, por përmbushja e kritereve do ta bënte demokracinë shqiptare një vlerë të shtuar në unionin 28-anëtarësh. Hungaria, për shembull, e ka “jetuar” procesin e integrimit përmes tri periudhash pesëvjeçare – këto, të përcaktuara nga Këshilli i Evropës si “deadline” në përmbushjen e kritereve. Megjithëse në perceptimin e gjerë të hungarezëve, këto ishin vonesa të lodhshme, për të mos e “arritur” asnjëherë “trofeun”, vendi u bë pjesë e BE-së në vitin 2004. Në të njëjtën mënyrë, megjithëse për një kohë shumë më të gjatë, mund të finalizohen edhe përpjekjet e shqiptarëve.
I pyetur nga studentët e Universitetit Europian të Tiranës mbi situatën e krijuar në kufirin hungarez me refugjatët sirianë të larguar nga vendi i tyre në luftë, profesor Bozoki u shpreh se kjo dhe një sërë zhvillimesh të tjera nga vendi i tij, janë tiparet e reja që qeveria autoritariste e kryeministrit Orban, po i jep Hungarisë. Sipas tij, politika ndonjëherë është thellësisht irracionale, por është e rëndësishme të mos identifikojmë domosdoshmërish qytetarët me partitë apo qeverisjen. Bozoki u shpreh se thënia e ish-presidentit të Venezuelës “Miqve të mi u jap gjithçka, kundër armiqve përdor ligjin”, përbën ilustrimin tipik të sjelljes së qeverisë hungareze dhe të faktit që demokracia nuk është proces automatik – ajo nuk “pret pas dere” sapo sistemi totalitar bie. Koha e gjatë e anëtarësimit, përshtatjet e shumta, numri i traktateve të nënshkruara përpara anëtarësimit, por edhe fenomene të lindjes së autoritarizmit pas anëtarësimit, tregojnë të gjitha se demokratizimi është një proces i gjatë, kërkon vullnet dhe varet nga shumë faktorë, ndonjëherë edhe jashtë kontrollit të politikave strategjike.
I pyetur për rolin e Shqipërisë në tranzicionin post-komunist, profesor Bozoki i sheh vendet e Visegradit pak më tepër sesa katërshja Poloni, Hungari, Çeki dhe Sllovaki. E thënë ndryshe, për të, rëndësia e Evropës Lindore shtrihet në më tepër sesa vendet e Visegradit. Ajo fillon prej tri republikave baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, përfshin Slloveninë, Serbinë dhe mund të bashkojë edhe vende të Ballkanit Perëndimor, si: Shqipëria, Mali i Zi apo Maqedonia. Rëndësia e këtij “rripi të gjatë” gjeostrategjik që fillon në Detin Baltik dhe mbaron në Detin Jon është “amortizimi” i tensioneve mes BE nga njëra anë dhe Rusisë e Turqisë, nga ana tjetër. Në këtë këndvështrim, procesi i integrimit evropian të Shqipërisë nuk është thjesht çështje e interesit të brendshëm, por gjithashtu faktor në arenën rajonale.
Në vitin 1989, Andras Bozoki mori pjesë në tryezën e rrumbullakët të negociatave të tranzicionit, ndërsa në vitet 2005-2006, ai shërbeu si ministër i Kulturës i Hungarisë.