Libri i fundit me proza i Arti Lushit, “Gjakime” ka qenë objekti i diskutimit në Klubin e Librit “Kadare”, në Universitetin Europian të Tiranës. Me pedagogë, studentë, studiues dhe dashamirës të letërsisë, prozat e Lushit ishin ftesë për reflektim në identitetin njerëzor. Vetë autori u shpreh se: “Është një libër i shkruar me shumë dashuri dhe më ka dhuruar kënaqësi të mëdha në 4-5 vitet që e kam shkruar. Jam përpjekur të hedh dritë në një aspekt më të errët të natyrës njerëzore, në të pandërgjegjshmen e tij.”
Ndërsa studiuesi Behar Gjoka u shpreh i entuziazmuar nga vepra e Lushit, si një përpjekje serioze për të eksperimentuar me krijimtarinë. Ai tha se: “Këto proza janë diçka mes tregimit dhe poezisë, por mund të jenë skica, ashtu siç mund të jenë vetëm një sentencë. Gjithashtu, Arti ka lëvruar edhe gjuhën shqipe, duke përdorur fjalë që thuajse janë harruar nga komunikimi ynë. Shkrimtari nuk duhet të ketë frikë të përfshijë në vepër komunikimin tonë të përditshëm”.
Klubi i Librit “Kadare” në UET bën bashkë dashamirësit e letërsisë për të diskutuar mbi autorë të huaj si Sartri, Dostojevski, Orwelli, Kafka apo shkrimtarë shqiptare si Kadare, Kongoli apo vetë Arti Lushi.