Në kuadër të projektit “Erasmus Mobility”, zëvendësrektori për Kërkimin Shkencor dhe Metodologjinë, dr. Selami Xhepa dhe asc. prof. dr. Arlinda Ymeraj, bënë një vizitë pune në Universitetin shtetëror Óbuda, të Budapestit
Në Mesjetë ekzistonte një lloj hapësire europiane e Arsimit të Lartë, e ngjashme me atë aktuale, me studiues dhe studentë të lëvizshëm dhe një gjuhë të përbashkët, latinishten. Universitetet në shekujt 18 dhe 19, në pjesën më të madhe u bënë më pak ndërkombëtare, pasi ato adoptuan gjuhët kombëtare dhe u fokusuan në prioritetet kombëtare, saqë mund ta quajmë edhe nacionalizimin apo de-evropianizimin e Arsimit të Lartë në atë periudhë. Sot në shekullin XXI flitet çdo ditë e më shumë për nevojën e bashkëpunimit mes universiteteve në të gjitha dimensionet, kërkim shkencor, shkëmbim akademik dhe shkëmbime studentësh. Universitetet e një vendi të vogël si Shqipëria, që aspiron të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, e kanë sigurisht një ndër prioritetet e tyre këtë bashkëpunim. Universiteti Europian i Tiranës prej vitesh e ka bërë praktikë të funksionimit të tij ndërkombëtarizimin, duke marrë pjesë në shumë projekte europiane ose në bashkëpunime dypalëshe me homologët europianë. Në kuadër të projektit “Erasmus Mobility”, zëvendësrektori për Kërkimin Shkencor dhe Metodologjinë, dr. Selami Xhepa dhe asc. prof. dr. Arlinda Ymeraj, bënë një vizitë pune në Universitetin shtetëror Óbuda, të Budapestit. Dr. Xhepa mbajti një cikël leksionesh me studentë ndërkombëtarë të këtij universiteti në temën e përfshirjes financiare, financializimit dhe stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik, duke sjellë në auditor edhe eksperiencat e tregut financiar në Shqipëri. Po ashtu, dr. Xhepa ishte dhe moderator i panelit “Biznesi dhe Menaxhimi” në konferencën ndërkombëtare mbi “Menaxhimin, Sipërmarrjen dhe Benchmarking”, që u zhvillua me 29 Prill pranë këtij universiteti. Gjatë kësaj vizite, dr. Xhepa zhvilloi takime me zëvendësrektorin për Zhvillimin dhe Strategji, dr. László Nádai, me të cilin u diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit edhe në të ardhmen në shkëmbime studentësh dhe të stafit akademik, si një praktikë shumë e çmuar dhe e vlerësuar si nga studentët dhe nga trupa akademikë. U diskutuan gjithashtu edhe mundësitë e pjesëmarrjes së përbashkët në projekte kërkimore të financuara nga Bashkimi Europian, në organizime konferencash kërkimore, publikime të përbashkëta etj. Të dyja Universitetet janë në proces të zgjerimit të ndërkombëtarizimit të programeve të tyre studimore, prandaj dhe i kushtojnë rëndësi të posaçme fuqizimit të mëtejshëm të eksperiencave të tilla. Po kështu, një takim u zhvillua edhe me dr. Antal Szabó, drejtor shkencor i rrjetit të madh kërkimor, ERENET i Universitetit Corvinus të Budapestit. Sërish, qëllimi i diskutimeve ishte pjesëmarrja dhe aksesimi i stafit tonë akademik në rrjetin kërkimor ERENET, si një mundësi për të realizuar projekte të përbashkëta kërkimore dhe publikime të studimeve dhe kërkimeve që realizojnë kërkuesit tanë. Aktualisht, në kuadër të këtij projekti, UET ka një seri shkëmbimesh studentësh dhe të stafit të tij akademik, ku studentë të UET po ndjekin një semestër akademik pranë fakultetit të Biznesit në Universitetin Óbuda, ndërkohë që pranë UET pritet të vijnë gjithashtu studentë hungarezë, të cilët do të ndjekin lëndë që parashikohen në programin mësimor. Gjithashtu, anëtarë të stafit akademik të UET dhe kolegët hungarezë po shkëmbejnë ndërsjelltas zhvillimin e cikleve të leksioneve në lëndë të caktuara të programit akademik.
Strategjia e ndërkombëtarizimit
Po pse është aq i rëndësishëm ndërkombëtarizimi për një universitet? Blerjana Bino, drejtor për Zhvillimin e Projekteve dhe Partneritetet, zyrë që merret drejtpërdrejt me këto bashkëpunime, thotë për MAPO se “Ndërkombëtarizimi është bërë fjalë kyçe për Arsimin e Lartë dhe jo vetëm në Shqipëri, por në universitete në mbarë botën. Kështu UET ka ndërtuar strategjinë e ndërkombëtarizimit, e lidhur ngushtë me projektet dhe kërkimin shkencor dhe synon ta zhvillojë më tej atë. Ndërkombëtarizimi është një proces dinamik dhe nënkupton ndërveprim mes institucioneve, shkëmbime të dyanshme si edhe bashkëpunim mbi parime të përbashkëta”. Në këtë kuadër, UET jo vetëm mirëpret lektorë të huaj të ftuar për të pasuruar programet dhe mësimdhënien dhe për të zgjeruar rrjetin e bashkëpunëtorëve, por njëkohësisht stafi akademik i UET-it merr pjesë në cilësinë e lektorëve të ftuar në universitetet tona partnere, duke pasuruar kështu programet e tyre me raste tipike studimore nga Shqipëria apo Ballkani Perëndimor. “Këto shkëmbime shërbejnë së pari, për zhvillimin e stafit akademik në nivel personal dhe profesional, si edhe për vendosjen e lidhjeve për iniciativa të mëtejshme mes kolegësh. Së dyti, ndihmojnë në një ballafaqim me përvoja mësimdhënieje në universitetet europiane, duke risjellë këto eksperienca në auditor në UET. Së treti, këto shkëmbime shërbejnë për të zgjeruar rrjetin e partnerëve të universitetit, si edhe mundësitë për projekte institucionale. Së fundmi, ndihmojnë në shkëmbimet kulturore dhe si një farë reklamimi të Shqipërisë dhe potencialit të saj”, thekson Bino.
Ymeraj: Si shërbejnë shkëmbime për pedagogët dhe studentët
Pas vizitës në Universitetin Obuda, Budapest, asc. prof. dr. Arlinda Ymeraj, flet për eksperiencën e saj dhe për rëndësinë që kanë këto shkëmbime akademike mes universiteteve.
Cila ishte eksperienca juaj gjatë këtij programi?
Programi “Erasmus Mobility” në mënyrën se si është konceptuar dhe zbatohet nga Universiteti Obuda, Budapest, sjell risi në dy drejtime themelore: Së pari, ky program përfaqëson një mënyrë të re të këmbimit kulturor e profesional ndërmjet institucioneve akademike. Programi është ndërtuar në funksion të një audience ndërkombëtare, të përbërë nga studentë të kombësive të ndryshme, të mbështetur nga programi “Erasmus”. Universiteti i Obudas pranon çdo vit rreth 100 studentë nga e gjithë Europa. Programi iu ofron studentëve gjatë një jave (Java ndërkombëtare), 13 tematika të ndryshme, të përzgjedhura nga 13 lektorë, të cilat zhvillohen intensivisht gjatë katër ditëve, përkatësisht 180 minuta për çdo tematikë. Larmishmëria e tematikave, eksperiencave si edhe e metodikave të prezantimit përbëjnë avantazhet e konceptimit të programit, gjë e cila reflektohet në nivelin e lartë të interesit të treguar nga studentët.
Së dyti, është një mundësi më shumë drejt zgjerimit të bashkëpunimit të qëndrueshëm me një institucion dinjitoz, që historikisht ka kontribuar në zhvillimin e shkencës dhe teknikës në nivel global. Universiteti Obuda është një universitet me reputacion mjaft pozitiv dhe me kontribut në historinë e zhvillimit botëror, i hapur ndaj bashkëpunimeve, si me vende të zhvilluara edhe me vende në zhvillim si Shqipëria. Nga ana tjetër, pjesëmarrja e ekipeve akademike nga Shqipëria dhe prezantimi i përpjekjeve për të përballuar sfidat e zhvillimit, është një mundësi më shumë në drejtim të rritjes së prestigjit të vendit tonë në rajon dhe më tej, në Europë.
Çfarë rëndësie ka për UET pjesëmarrja në këtë program?
Pjesëmarrja në këtë program është një mundësi me përfitim të shumëfishtë për UET: a) UET ka mundësi të prezantojë arritjet institucionale dhe akademike, duke dëshmuar pjekuri dhe seriozitet në krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme. B) UET mund të synojë të zgjerojë bashkëpunimin edhe me Central Europian University në Budapest (CEU), që do të hapte mundësi të pakufishme bashkëpunimi dhe integrimi, në një nivel më të lartë akademik dhe institucional. c) UET mund të përfitojë eksperiencë profesionale nga niveli akademik i Universitetit të Obudas, si edhe nga rrjeti i bashkëpunëtorëve. d) UET mund të përfitojë nga “binjakëzimi i programeve”, atje ku kjo mund të zbatohet.
Sa u shërbejnë pedagogëve dhe studentëve këto shkëmbime me universitete të tjera europiane?
Shkëmbimet me universitetet europiane janë të domosdoshme, njëherazi në planin akademik dhe atë social. Së pari, i shërbejnë rritjes së nivelit profesional në drejtim të metodikave të mësimdhënies (për pedagogët) dhe mësim nxënies (për studentët). Së dyti, i shërbejnë përshtatjes së një kulture tjetër pune e mësimi. Së treti, i shërbejnë njohjes së historisë dhe vlerësimit të kontributit të çdo shteti e kombi, kusht i domosdoshëm për të respektuar atë çka kanë arritur të tjerët dhe njëkohësisht për të synuar zbatimin e eksperiencave efektive në kushtet konkrete të çdo vendi.
Bashkëpunimi i UET-it me Universitetin Emden – Leer, Gjermani
Në javën ndërkombëtare, 25 – 29 Prill 2016, të zhvilluar në Universitetin Emden – Leer, Landi Nordheim Westfallen – RFGJ, një sesion i veçantë u është kushtuar zhvillimeve të fundit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë sesion të organizuar nga prof. dr. Reiner Osbild, profesor i ekonomisë në Universitetin e Emden-Leer, të ftuarit dhe studentët e degës së ekonomisë u njohën dhe diskutuan rreth zhvillimit ekonomiko-social të vende të Ballkanit Perëndimor, në rrugën e tyre drejt integrimit Europian. Nga Universiteti Europian i Tiranës në takim mori pjesë prof. dr. Engjëll Pere, i cili paraqiti një analizë krahasuese të zhvillimeve në dy vendet Ballkanike, Shqipëri dhe Maqedoni, duke u përqendruar në çështje të tilla si: rritja ekonomike, niveli i mirëqenies dhe diferencimi social, mirëqeverisja dhe problematika e saj, marrëdhëniet tregtare me jashtë, si dhe konkurrueshmëria e klima e biznesit. Takimi, i cili u vlerësua i suksesshëm nga organizatorët e tij, shërbeu gjithashtu si një mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit të UET-it me universitetit e huaja europiane.