“Të studiosh në Itali”, u ofron të gjithë studentëve shqiptarë mundësinë e një kontakti direkt me universitetet e vendit fqinj
Në fundjavë u organizua ceremonia e përurimit të edicionit të katërt të “Të studiosh në Itali”, një aktivitet promovues i sistemit akademik italian në Shqipëri. Ishin të pranishëm drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Adriana Frisenna, ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo dhe Redi Shtino zëvendësministër i Arsimit dhe Sporteve. I organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, nën kujdesin e Ambasadës Italiane dhe me mbështetjen e SIGAL UNIQA GROUP. “Të studiosh në Itali” u ofron të gjithë studentëve shqiptarë mundësinë e një kontakti direkt me Universitete të ndryshme, përfaqësuese të shumë rajoneve të Italisë. Përfaqësuesit e secilit Universitet të pranishëm do të bëjnë një prezantim të shkurtër, në mënyrë që të nxjerrin në pah specifikat dhe pikat e forta të ofertës së tyre arsimore, por do të jenë gjithashtu në dispozicion edhe për takime individuale me studentët e interesuar pranë stendave të vendosura enkas pranë Hotel Tirana International. Gjatë prezantimit të pranishmit u njohën dhe me dëshmitë e dy të rinjve shqiptarë që kanë studiuar në Itali dhe janë kthyer në vend duke sjellë me vete bagazhin e kontakteve, përvojave dhe njohjeve të fituara në Itali. Gjithashtu u dorëzuan dy bursa studimi për studentë të italianistikës së Universitetit të Tiranës, që do të frekuentojnë Laboratorin Ndërkombëtar “Peizazh dhe Shije” që do të zhvillohet në Gemona del Friuli nga data 21 korrik deri më 11 gusht 2016. Do të vazhdohet me prezantimet e çdo Universiteti, sipas radhës së mëposhtme: Università di Bologna, Politecnico di Torino, Università degli Studi di Bergamo, Università Ca’ Foscari di Venezia,Università degli Studi di Pavia, Università degli Studi Genova, Libera Universitàdi Bolzano, Università Cattolica “Nostra Signora del Buon Consiglio” , Universitàdegli Studi di Foggia, Università di Camerino, Università per Stranieri di Siena,Università del Salento, Università degli Studi di Trento, Università degli Studi di Napoli Federico II, Seconda Università degli Studi di Napoli, Università di Torino, Università degli Studi di Perugia, Università degli Studi di Trieste, Politecnico di Bari, Università degli Studi di Macerata. Edhe pse “Të studiosh në Itali” u drejtohet kryesisht studentëve që dëshirojnë të fillojnë ose të vazhdojnë studimet e tyre universitare në Itali, aktiviteti ishte një mundësi takimi i përgjegjësve të universiteteve italiane me ato shqiptare, në mënyrë që të nxitin kontakte të reja apo të forcojnë ato ekzistuese, për shkëmbime të mundshme studentore, si dhe për krijimin e kurseve didaktike/trajnimeve të përbashkëta.