Hanna Arendt sheh te moderniteti një krizë autoriteti, të tjerë shohin shpërbërje në formën e kaosit dhe pafuqisë morale. Të dy e lidhin modernitetin me humbjen (e autoritetit apo moralit) dhe sugjerojnë një kundërhistori ndaj paraqitjes iluministe të modernitetit si një shprehje dhe përmbushje e progresit. Ndërmjet lajmëtarëve të humbjes morale, Alasdair MacIntyre argumenton se modeli iluminist shënon një zbrite drejt asaj që ai e quan “kultura emotiviste”. Sipas MacIntyre, emotivizmi është doktrina sipas së cilës të gjitha gjykimet vlerësuese (evaluative judgments) nuk janë asgjë tjetër vetëm se shprehje preferencash, qëndrimesh apo ndjenjash. Emotivizmi bazohet në pohimin se meqenëse të gjitha justifikimet racionale për një moralitet objektiv kanë dështuar, atëherë e drejta dhe e gabuara nuk mund më t’u referohen kritereve përtej individit. Kësodore, emotivizmi paraqet triumfin e individualizmit burokratik, një botëvështrim në të cilin si doktrina kolektiviste ashtu edhe ajo individualiste bashkëndajnë përfundimin se arsyeja nuk mund të gjykojë ndërmjet vlerave rivale dhe se racionaliteti ka të bëjë vetëm me mjetet (jo synimet). Kjo është ajo që MacIntyre dëshiron të thotë kur sugjeron se vizioni bashkëkohor i botës është në mënyrë parësore Veberian. Pa mundësinë e mbështetjes te kriteret impersonale dhe të pakundërshtueshme, debati moral modern është kaotik dhe i karakterizuar nga pabashkëmatshmëria dhe pasosshmëria (incommensurability and interminability). Duke kundërshtuar pohimet për një progres moral, MacIntyre pohon se mbizotërimi i emotivizmit jo vetëm që tregon se “moraliteti” nuk është më ai që ka qenë, por edhe më i rëndësishëm është fakti se ai tregon se ajo që njëherë e një kohë njihej si moralitet, në ditët tona është zhdukur në një shkallë të madhe. Një fakt i tillë shënon një degjenerim dhe një humbje të madhe kulturore.
Në kundërpeshë ndaj krizës së autoritetit të sugjeruar nga Hanna Arendt, MacIntyre argumenton se kriza moderne e kuptimit është një funksion i shpërbërjes morale dhe se një shpërbërje e tillë e ka fillesën në inkoherencën e projektit intelektual iluminist. Por, njësoj si në rastin e Arendtit, ku ideje e autoritetit rrënohej nga abdikimi i themeleve transcendente (mbi të cilat mbështetej ideja e autoriteti), ashtu edhe MacIntyre e përcakton burimin e pafuqisë morale të kohëve tona në refuzimin që iluminizmi u bëri themeleve transcendente, si edhe përpjekjes së dështuar iluministe për të themeluar racionalisht moralitetin. Refuzimi racionalist i themeleve transcendente kërkon ndarjen e faktit nga vlera, një ndarje kjo që minon vetë projektin e një moraliteti racionalist. Brenda kornizës teologjike dhe teleologjike të mëparshme, projekti i etikës përcaktohej nga përpjekja për të lëvizur nga ajo që “është” tek ajo që “duhet” (from “is” to the “ought”), nga “njeriu ashtu siç ndodhi të jetë” te “njeriu ashtu siç mund të jetë nëse përmbush thelbin e natyrës së tij” (from “man-as-he-happens-to-be” to “man-as-he-could-be-if-he-realized-his-essential-nature.)” Por, në përpjekjen për ta themeluar moralitetin mbi imperativat e arsyes, teoricienët iluministë nuk mundnin më të adresonin çështjen e objektivave/synimeve të veprimit moral.
Gjithnjë e më shumë besohet se shpjegimi i veprimit konsiston në nxjerrjen zhveshur të mekanizmave fiziologjikë dhe psikologjikë, që përbëjnë bazën e veprimit. Kur Kanti pranoi se ekzistonte një mospërputhje e thellë ndërmjet çdo rrëfimi të veprimit që pranon rolin e imperativit moral në udhëheqjen e veprimit dhe çdo lloj shpjegimi mekanik të këtij lloji, ai u ndje i detyruar të arrinte në përfundimin se veprime që i binden dhe trupëzojnë imperativa morale duhet të jenë, nga këndvështrimi shkencor, të pashpjegueshëm dhe të pakuptueshëm.
Duke iu referuar ndërgjegjes individuale më shumë se sa vlerave të përbashkëta, moraliteti në formën e tij të tanishme është boshatisur nga gjithçka që përmbante më parë. Kësodore, MacIntyre shkruan: “Në momentin kur nocioni i qëllimit apo funksionit thelbësor njerëzor zhduket nga moraliteti, atëherë fillon të duket e papranueshme që të trajtosh gjykimet morale si pohime faktuale”. Natyrisht, prania e themeleve apo traditave që sigurojnë standarde të përbashkëta për të gjykuar ndërmjet këndvështrimeve të ndryshme, nuk e shteron debatin serioz rreth interpretimit. Ashtu siç na tregojnë shekuj të tërë komentarësh të shkrimit të shenjtë, debate reale dhe shpesh të pasosshme mbi kuptimin dhe interpretimin e shkrimit të shenjtë, kanë ekzistuar vrullshëm edhe para zhvillimit të emotivizmit. Por, MacIntyre argumenton se jeta moderne dallohet nga fakti se debatet mbizotëruese rreth të drejtave, drejtësisë i konsiderojnë objektivat/synimet si të pabashkëmatshme (incommensurable) dhe si të tilla ata janë të pazgjidhshme në sferën publike. Kësisoj, “normat (ligjore) bëhen koncepti primar i jetës morale” në sferën publike dhe moraliteti në vetvete bëhet kompetencë e sferës private. Objektivat moralë janë thjesht çështje ndërgjegjeje individuale. Ndoshta në mënyrë paradoksale, norma të tilla esenciale moderne janë të gërshetuara me një “grup mbetjesh të fragmentuara” nga këto tradita të hershme.
Fuqia e tyre e vazhdueshme, qoftë edhe një mbetje e saj, në diskursin moral dëshmohet nga mungesa e konsekuencës në mbajtjen e nocioneve moderne individualiste të të drejtave dhe dobishmërisë, krahë për krahë me nocione klasike të virtytit. Karakteri deontologjik i gjykimeve morale është hija e konceptimeve të ligjit hyjnor, të cilat janë mjaft të huaja ndaj metafizikës së modernitetit dhe… karakteri teologjik është i ngjashëm me hijen e konceptimeve të natyrës dhe aktivitetit njerëzor, të cilat po ashtu nuk ndihen si në shtëpi në botën moderne”.
Nëse debati moral modern karakterizohet nga mungesa e konsekuencës dhe papërcaktueshmërisë, atëherë një varfërim i tillë moral e ka homologun e tij në një vizion atomist të jetës sociale, një vizion ku qytetarët qëndrojnë në marrëdhënie me njëri-tjetrin si të huaj, njësoj sikur të ishin mbledhur së bashku në një ishull të pabanuar si pasojë e mbytjes së anijes. MacIntyre argumenton se duke qenë të paaftë për të hyrë në marrëdhënie me njëri-tjetrin përmes objektivave moralë të përbashkët, atëherë ndërveprimi social ndërmjetësohet nga normat ligjore dhe procedurat që janë ndërtuar posaçërisht për të gjykuar ndërmjet pretendimeve të palëve të huaja ndaj njëra-tjetrës. Liberalizmi shfaqet si shprehja politike e refuzimit historik dhe intelektual të moralit publik, në favor të nocioneve të privatizuara të së mirës. Por, tradita liberale nuk e shteron shkallën e problemit, ndonëse qarkullimi i saj midis filozofëve morale e pajis MacIntyren me rastin më të shpeshtë për ankesë. Ai argumenton se projekti iluminist është një refuzim i një tradite të tërë morale në të cilën “Mendimi i Aristotelit përbënte thelbin intelektual… Asnjë doktrinë nuk e ka përligjur veten në një shumëllojshmëri kaq të gjerë kontekstesh se sa aristotelizmi… Kur moderniteti kreu sulmin e tij mbi një botë më të vjetër, atëherë eksponentët më të ndjeshëm (të modernizmit) e kuptuan se ata duhej të hidhnin nga pushteti aristotelizmin” Nëse problemi në fjalë është varfërimi amoral që rrjedh saktësisht nga një lëvizje e tillë, atëherë të gjitha teoritë politike post-iluministe të traditës perëndimore janë të përfshira (në këtë varfërim amoral) – marksistë, konservatorë dhe liberalë njësoj. Me fjalë të tjera, nëse refuzimi i transcendencës teologjike dhe teleologjike në çështjet njerëzore është fajtori përfundimtar në procesin e kalbëzimit moral, atëherë e tërë tradita morale perëndimore është në vetvete e “rraskapitur”.
Si rezultat, në kohët e sotme ne jetojmë në një botë ku racionaliteti ka të bëjë kryesisht me mjetet dhe jo me objektivat/përfundimet. Autoriteti burokratik është pika kulmore e kësaj ndarjeje ndërmjet faktit dhe vlerës, sepse ai e përligj pushtetin e tij duke i bërë apel efikasitetit dhe ekspertizës, në vend të objektivave/përfundimeve të tij. Por, MacIntyre argumenton se efikasiteti burokratik është një mit në vetvete: Parashikimet, të paraqitura pothuajse si ligje, të cilat përbëjnë ekspertizën, janë thjesht një fantazi që përgënjeshtrohet nga peripecitë e jetës. Mjeshtëria dhe ekspertiza janë iluzionet që maskojnë mungesën e konsekuencës të projektit racionalist. Në të vërtetë, MacIntyre arrin në përfundimin se kulti bashkëkohor i ekspertizës “maskon dhe fsheh në vend që të ndriçojë dhe ai varet për fuqinë e tij në suksesin për të maskuar dhe fshehur” (…) MacIntyre sugjeron se kriza moderne morale është si një sëmundje që prek vetë fuqinë tonë të perceptimit dhe përfytyrimit. Thelbësore për situatën moderne është padituria jonë, se tanimë barbarët mbajnë frerët e pushtetit”
Gjithsesi, MacIntyre këmbëngul se nihilizmi i Niçes është pika kulmore logjike e filozofisë morale moderne, vetëm nëse refuzimi iluminist i teleologjisë së Aristotelit ka qenë i drejtë. MacIntyre argumenton se jo vetëm që refuzimi i teleologjisë së Aristotelit ka qenë i gabuar, por edhe se një rikthim dhe riparaqitja e traditës aristoteliane mund të kthejë “kuptueshmërinë dhe racionalitetin e qëndrimeve dhe angazhimeve tona morale dhe sociale. Këtu qëndron projekti shëlbyes i MacIntyre: Tradita aristoteliane na mundëson të rimësojmë se autoriteti i ligjeve dhe virtyteve mund të vendoset vendosmërisht në një koncept të së mirës, që është në vetvete kuptimplotë vetëm brenda kontekstit të disa praktikave dhe traditave. Në kundërshtim me narrativën individualiste të botës, të mirat “mund të zbulohen vetëm duke hyrë në ato lloj marrëdhëniesh që përbëjnë komunitetet, lidhja qendrore e të cilave është një vizion dhe kuptim i përbashkët i të mirave” Ndonëse ky formulim është disi tautologjik, gjithsesi MacIntyre sugjeron se kjo traditë e virtyteve na tregon rrugët, në të cilat format lokale të bashkësisë presupozojnë e ringjallin një jetë morale vitale dhe e mbështetin atë përmes “epokave të reja të errëta, të cilat janë tashmë mbi ne”.
Fragment i shkëputur nga Roxanne L. Euben, “Enemy in the Mirror”, (Princeton University Press 1999), f. 133-136.