“Që pas daljes së udhëzimit të ministrit Tafaj për numrin e udhëheqjeve doktorale në tetor 2012, UET nuk ka marrë doktorantë të rinj, por ka përshtatur standardin dhe ka arritur të jetë shkolla e vetme doktorale e akredituar.”
Administratori i UET, Henri Çili, duke folur në ceremoninë e diplomimit të parë të doktorëve, vuri në dukje pesë hiperbola, gënjeshtra dhe të vërteta siç tha ai, në lidhje me Shkollën Doktorale të UET.
“Hiperbola e parë, UET ka shumë doktorantë. Nuk është fare e vërtetë, numri 64 përfaqëson më pak se 10% në pesë vjet të kandidatëve që ne kemi pasur në shkollën doktorale. Uria ishte shumë e madhe pasi kishte vite që ishte bllokuar, si në Shqipëri si në Kosovë dhe kishte sigurisht shumë kandidatë. Sistemi ynë e përballoi me qetësi dhe me saktësi. Nuk ka qindra doktoratura në UET, ka qindra seleksionime cilësore dhe ka pak doktorantë. Ne mendojmë që nga gjithë ky kontingjent i tri viteve të para, jo më shumë se 1/3 e tyre, çka është edhe një koeficient normal i UET edhe për cikle të tjera, do të arrijë në përfundim të suksesshëm”, tha Çili.
Hiperbola (gënjeshtra) e dytë sipas tij është se shkolla doktorale e UET-it është shkollë që vlen vetëm për brenda vendit.
“Nuk është e vërtetë. Shkolla është e akredituar dhe e licencuar në të gjitha ciklet dhe madje ndoshta është programi i vetëm në Shqipëri i akredituar nga profesorë të huaj, një profesor gjerman dhe një austriak. Elementi i dytë që doja të thosha në lidhje me shkollën doktorale të UET është që nuk mund të ketë një universitet privat kapacitete. Po ne kemi kapacitete, që nga viti 2009 ne kemi pasur në stafin tonë rreth 50% PhD profesorë të asoc. dhe prof. dr. në stafin tonë, në mënyrë permanente, që kanë siguruar 70-80% të udhëheqjeve doktorale.”
“Pika e tretë në lidhje me këtë hiperbolë, -tha Henri Çili, –është se në universitetet shqiptare nuk mund të ketë kërkim shkencor dhe sidomos në universitet private”.
“Ne kemi ndërtuar një strukturë koherente të integrimit të kërkimit shkencor në shkollën doktorale. Qoftë në 5-vjeçarin e parë, qoftë në 5-vjeçarin e dytë, duke arritur së fundi të strukturojmë një program të ri kërkimor me titullin “Shqipëria inovative”, me shtatë programe kërkimi dhe 21 drejtime të mëdha kërkimore, ku integrohet i gjithë stafi dhe të gjithë doktorantët. Dhe kemi venë për këtë bashkë me burimet njerëzore, një buxhet prej 500,000 euro për grantet kërkimore. Mos harrojmë se buxheti i agjencisë sonë kombëtare të kërkimit shkencor nuk është më shumë se 1 miliard lekë ose 1 mln euro. Rezultatet mbeten për t’i testuar.”
Administratori i UET gjykoi se hiperbola e katërt është se kemi bërë shumë doktorë.
“Sot ka nevojë në tregun shqiptar për dy profesione, për mjekë të mirë dhe për profesorë doktorë. Kjo tregon se këto kanë qenë dy sistemet e fundit monopoliste që kanë mbetur në Shqipëri, shpjegimi është shumë i gjatë edhe pse prej 25 vjetësh tranzicion nuk gjejmë profesorë dhe aq më tepër profesorë të mirë, e nuk gjen mjekë dhe aq më tepër mjekë të mirë. Ka pak, nuk ka shumë, duhet të ketë shumë më tepër”.
Si parabolë apo gënjeshtër të fundit, Çili renditi monopolin e doktoraturave të UET.
“Për t’i dhënë përgjigje pyetjes finale, a ka monopol për dhënien e doktoraturave UET-i? Jo nuk ka, përkundrazi ka efekt pionier të shkollës doktorale të UET. Por një gjë është e vërtetë, shkolla doktorale UET i dha fund monopolit në ciklit e tretë në Shqipëri dhe bashkë me kualifikimin shkencor të vitit tjetër, në një farë mënyrë është një vit pavarësie falë edhe premisave të reja që krijoi Reforma e Arsimit të Lartë dhe ligji i ri.”
Dy falënderime
“Sot këtu është momenti për të falënderuar ish-Kryeministrin Berisha, ish-ministrin Myqerem Tafaj, drejtorin e Agjencisë së Akreditimit zotin Meshi, kryetarin e këshillit të akreditimit Bardhyl Musain dhe gjithë ekipin që guxuan të gjithë të licencojnë universitetin e parë privat. Një vit më vonë, ka edhe tre ose katër të tjera dhe ky ka qenë efekti pionier ose demokratizues që ka hapur Universiteti Europian i Tiranës. Është rasti që të falënderojmë gjithë këta zotërinj, që shënuan një kthesë të re në sistemin e Arsimit të Lartë në Shqipëri.
“Dua të falënderoj shumë edhe një moment të ri, që lidhet me shkollën doktorale në UET. Të gjithë këta faktorë të sistemit të Arsimit të Lartë, duke filluar me ministren Nikolla, zonjën Malaj që e kemi pjesë të këshillit të akreditimit, të cilët me guxim kanë ndërmarrë një proces që lidhet me legjitimimin e kërkimit shkencor dhe të standardeve të ciklit të tretë dhe studimeve të avancuara të sistemit tonë të arsimit, kundrejt të gjitha tendencave monopolite, paragjykuese, pjesë e të cilave jemi shpesh herë Ministria dhe UET, por siç e patë, në momentin që nuk ka kufomë, nuk ka krim. Në momentin që nuk ka studentë doktorantë të rinj në këta tre vjet, atëherë nuk ka objekt krimi, përveçse një objekt përkushtimi”