Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Ceremonia: Diplomohen 64 doktorantët e parë në UET

$
0
0

diplomimi doktoraturatUniversiteti Europian i Tiranës, pas 5 vitesh, nxjerr brezin e parë të Shkollës Doktorale. Respektimi i standardeve e cilësisë, bënë që vetëm 10 për qind e kandidatëve të arrinin të merrnin titullin “Doktor”

Një thyerje të monopolit, një mundësi për të gjithë, por një pamundësi abuzimi për askënd. Shkolla Doktorale e Universitetit Europian të Tiranës, 5 vite pas marrjes së licencës, duke u bërë shkolla e parë doktorale e një universiteti të pavarur privat, jep diplomat e 64 studentëve të parë të saj. Vetëm 64 studentë arritën të marrin titullin doktor shkencash, ndërsa aplikuan mbi 700 vetë, u regjistruan 350 studentë, por rrugëtimin deri në fund dhe përballjen me standardet e kaloi vetëm 10 përqindëshi i tyre. Ceremonia e diplomimit e organizuar dje në UET, shënoi shpërndarjen e diplomave për 50 studentë nga Shqipëria, 10 nga Kosova dhe 5 studentë të tjerë të huaj nga Turqia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Drejtuesit e UET-it vunë në dukje se në këtë rrugëtim, kjo shkollë u përball me paragjykime dhe sulme të ndryshme, por tregoi me qetësi dhe durim se ajo kishte vetëm një sfidë përpara dhe kjo ishte sfida me cilësinë dhe standardet, të cilën ajo e ka arritur. Prof. dr. Romeo Gurakuqi, Drejtor i Shkollës Doktorale UET, thotë se pas 5 vitesh jetë të Shkollës Doktorale, vetëm 10% e studenteve që kanë hyrë kanë mundur t’i rezistojnë intensitetit dhe rregullave të programit, duke e përfunduar me sukses, theksoi ai. Rektori, prof. dr. Tonin Gjuraj bëri të qartë se një udhëheqës doktorature me titullin prof. dr. nuk kishte më shumë se 5 studentë në udhëheqje, ndërsa një profesor i asociuar, më shumë se dy udhëheqje. E pranishme në këtë ceremoni ishte dhe Zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, e cila e cilësoi e vlerësoi si sukses punën e bërë nga Shkolla Doktorale në UET. Rektori i Universitetit të Nju Jorkut në Tiranë, Fatos Tarifa, tha se “si i jashtëm e konfirmoj atë që thonë drejtues të shkollës me respektimin e standardeve. Unë kisha 5 udhëheqje dhe nga këto vetëm njëri student është diplomuar sot, dy janë në proces dhe dy u tërhoqën në mes të rrugës. Kjo është një diplomë e vlefshme. Gojët e liga le të flasin, por e vërteta është se UET nuk është monopol, universitete të tjera private kanë hapur programet e doktoraturës, ajo që bëri UET-i është demokratizimi dhe vendosja e standardit të meritokracisë”, u shpreh Tarifa, duke përshëndetur këtë ceremoni.

Civici: Sfida ishte me cilësinë dhe standardet

Presidenti i UET-it, prof. dr. Adrian Civici ka qenë drejtor i parë i Shkollës Doktorale UET, kur u hap në vitin 2011 dhe sot pas 5 vitesh ai konstaton jo pa kënaqësi se sfida e vërtetë e kësaj shkolle në këtë rrugëtim ka qenë cilësia dhe standardet akademike, jo numri i të diplomuarve, që është shumë i vogël. “Pesë vite më pas, nga tetori i vitit 2011, kur ne zyrtarisht filluam programin e shkollës doktorale, kemi mundësinë të diplomojmë 64 doktorantët e parë, që në fakt janë pak po të kemi parasysh kohën e gjatë të doktoraturës, po edhe janë shumë po të kemi parasysh standardet, pse jo edhe vuajtjet që ata kanë kaluar në emër të cilësisë akademike, në emër të kërkimit shkencor dhe në emër të një profili profesional. Pse vendosi UET pikërisht në 2010 për të hapur një shkollë doktorale? Ishte një analizë që ne bënim gati katër vite mbasi universiteti kishte filluar aktivitetin, mbasi ishim licencuar dhe ishim shkolla e parë private që mori statusin “universitet” duke u licencuar në të tria ciklet. Njëkohësisht kishte jo vetëm numrin e duhur të profesorëve të nevojshëm në të gjitha fushat për të udhëhequr doktoraturat, por edhe një vizion, një filozofi përsa i përket doktoraturës në vetvete si pjesë e kërkimit shkencor dhe jo si një spaletë e ciklit të tretë që dikush do ta ketë për të treguar që tashmë i ka mbaruar të tria ciklet. Mbasi u ndërthurën gjithë këto elemente, ne vendosëm që mund të aplikonim dhe mund të kishim një shkollë doktorale që të ishte brenda standardeve, aq më tepër që ishim në një moment që vazhdon dhe sot, ku doktoraturat në përgjithësi vazhdojnë të jenë të shtrënguara me gjithë nevojat e jashtëzakonshme që ka shoqëria shqiptare për të pasur sa më shumë të doktoruar. E përsëris, jo të doktoruar formalisht, por profesionistë të vërtetë, jo vetëm në fushën akademike, por edhe në fushën profesionale”, tha Civici ndër të tjera.

Gjuraj: Rrugëtim i vështirë

Rektori i UET-it, prof. dr. Tonin Gjuraj e krahasoi këtë udhëtim 5-vjeçar të shkollës, si një udhëtim me makinë gjatë të cilit ka përballur shumë vështirësi, kundërshtarë dhe sfida. “Nuk ka qenë rrugëtim nëpër një autostradë të shtruar mirë e me sinjalistikë të qartë, por një rrugë me gropa, me tabela herë të dukshme e herë të padukshme, me një polici rrugore, hera-herës të rreptë me respektimin e rregullave, hera-herës vetë të paqartë për rregullat e qarkullimit, një polici, e cila herë na ndalte për mosrespektim rregullash, e hera-herës na ndalte për t’i fiksuar rregullat e udhëtimit bashkë me ne. Rruga vështirësohej herë pas here edhe nga protestat e shpeshta publike të moshuarish mbi motorë e këmbësorë që kërkonin të na nxirrnin nga rruga, thjesht sepse mendonin se rruga u përkiste vetëm atyre. Por ne kemi vazhduar rrugën përpara. Çdo vështirësi e kemi përdorur si një trampolinë. Dhe kemi arritur në këtë stacion me studentët tanë të parë të doktoruar, disa prej të cilëve janë njëkohësisht edhe bashkëpunëtorët tanë të vyer në këtë rrugëtim të vështirë 5-vjeçar”, tha ndër të tjera Gjuraj.

Gurakuqi: PhD e UET, në majën më të lartë të formimit arsimor në Shqipëri

Shkolla Doktorale do të orientohet në vitin 2016 drejt rritjes së kontrollit të brendshëm procedural, drejt përforcimit të pozicionit të drejtuesit metodologjik, përmes tri drejtuesve të tjerë metodologjikë: Seniorë për çdo fakultet, stabilizimit përfundimtar të udhëheqjeve doktorale, rritjes së fondit të programit të antiplagjiaturës dhe rinovimin e tij. Prof. dr. Romeo Gurakuqi është Drejtor i Shkollës Doktorale në UET dhe gjatë ceremonisë, tha se kjo shkollë synon që ta bëjë këtë gradë shkencore majën më të lartë të formimit arsimor në Shqipëri. “Shkolla Doktorale UET ofron një shërbim të standardizuar dhe ka krijuar një sistem të tërë rregullash për t’u zbatuar që synojnë arritjen e bashkësisë më të përparuar të Universiteteve që ofrojnë PhD, rreth e qark vendeve të OECD. Organizimi struktural i deritanishëm, i bazuar në ligjin për arsimin e lartë në RSH, që ishte në fuqi deri në shtator 2015 dhe organizmi aktual që zhvendos lehtësisht organizmin e programit të Shkollës Doktorale drejt disa rregullave te reja, por jo aq shumë të ndryshme, ka synuar çmontimin e trashëgimisë shqiptare të punimit doktoral, të realizuar nga një punë e mbikëqyrur vetëm nga një udhëheqës, në organizmin e një shkolle të mirëfilltë trajnuese, që ka standardet e veta metodologjike të unifikuara, nxit studim të thelluar teorik të doktorantit dhe një ligjërim të qartë dhe të perfeksionuar nga pikëpamja e shkrimit të punimit, ndërtimit të hipotezës pyetjeve kërkimore dhe analizës e rezultateve. Vështirësia kryesore në këtë drejtim ka qenë e lidhur me sfondin edukativ dhe prejardhjen e doktorantëve nga pikëpamja e shkollës pararendëse”, tha Gurakuqi ndër të tjera.

 

 

Doktoranti i parë nga Kosova

Bashkim Rrahmani, i doktoruar në Juridik për të Drejtën Ndërkombëtare, mbajti një fjalë përshëndetëse gjatë ceremonisë së djeshme në UET, duke falënderuar profesorët për punën e tyre, e cilësoi këtë shkollë si një rrugëtim të rëndësishëm të jetës. “UET krijoi hapësirë mësimi dhe lehtësoi procesin e zhvillimit të shkathtësive për studim dhe për debat akademik. Krijoi hapësirë dhe mundësi për ngritje të pyetjeve, të cilat janë shumë të rëndësishme në botën akademike dhe sa më të vështira janë pyetjet aq më të mira do të jenë dhe përgjigjet. Ne patëm pyetje të vështira gjithë kohës por dhe përgjigjet e mira nuk i lamë mangët”, tha ai ndër të tjera. Më tej Rrahmani vlerësoi UET-in për standardet e vendosura gjatë shkollës doktorale. “Kemi përgjegjësinë për të dëshmuar se diplomën e morëm gjatë një procesi që nuk ka përfunduar dhe që nuk përfundon. Është akoma më e vështirë për ne të mbajmë një diplomë nga një universitet si UET”, theksoi ai.

 

Nora Malaj: UET sfidoi paragjykimet

Zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, e pranishme në ceremoninë e dhënies së diplomave të doktoraturave në UET, e cilësoi këtë nismë të UET-it si të guximshme dhe të suksesshme. “Para 5 vitesh, kur UET aplikoi për të marrë licencën për hapjen e kësaj shkolle, ishte një guxim i madh, por sot me këtë ceremoni, ai vërteton se i ka luftuar paragjykimet dhe ky guxim kurorëzohet me një sukses”, tha ndër të tjera Malaj. Ajo e cilësoi rrugëtimin e kërkimit shkencor si të vështirë dhe uroi të gjithë të diplomuarit për punën e tyre dhe për pasionin e vendosur në këtë përkushtim. “Jemi sot këtu për të respektuar punën, për të respektuar njëri-tjetrin, pasi punimi shkencor është një sakrilegj, jo vetëm një privilegj dhe shkenca ndihmon në emancipimin e një shoqërie”, theksoi ajo ndër të tjera.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180