Nga Goustave de Troique, Le point
Kemi lexuar kaq shumë përcaktime të prejardhjeve të ndryshme, që do të thotë se nuk është e lehtë të mbetemi te një tjetër, akoma. As nuk duam të ngatërrohemi në polemikat që herë pas here skepticistët kanë krijuar midis tyre. Si nëse konsiderohet një shkencë e veçantë, si një shkencë e të gjitha shkencave, ose një jo – shkencë, kuptimet e sotme janë kaq të përziera, sa për fat të keq u japin të drejtë atyre që besojnë se filozofia nuk ka lidhje me vetë jetën, dhe kështu nuk sjell asnjë lloj dobishmërie tjetër përveç se një ushtrim intelektual shqeto. Dhe as nuk na intereson të merremi me totalin e rastësive që ndryshuan qëllimin dhe konceptin e filozofisë. Le të mjaftohemi të themi se nëse sot mund të duket si diçka e paarritshme dhe e pafrytshme, por në epokat klasike të Lindjes dhe Perëndimit, filozofia u përpoq t’iu përgjigjet pyetjeve të mëdha mbi Universin dhe njeriun, dhe sidomos u përpoq të themelojë një mënyrë jetese, një ndihmë të rëndësishme për Njeriun si një pjesë e Universit. Nëse do të bazohemi në traditat e lashta greke, ai që formoi për herë të parë fjalën Filozofi ishte Pitagora, i cili deklaroi se ai vetë nuk ishte një njeri i ditur, por ishte një njeri që dashuronte Diturinë, pra një “Filozof”. Ky është shpjegimi më i thjeshtë dhe më i thellë që gjejmë. Është pra Dashuria mbi Diturinë, ajo që mund të mundë njerëzit, ajo që i hap sytë botës, ajo që e nxjerr nga një izolim egoist, dhe është ajo që e bën të jetë i shqetësuar në një mënyrë të shëndoshë në kërkimin dhe gjetjen e disa të vërtetave të dobishme mbi ekzistencën e tij. Dashuria është një motor i rëndësishëm, dhe kur Dashuria udhëheq te Dituria, shumë dyer të brendshme, që deri atëherë ishin të mbyllura dhe të panjohura për vetë veten e tij, hapen. Nuk kërkon askush “të Vërtetën”, të Vërtetën e Madhe dhe unike, pasi dihet së njerëzit do të bëjnë gabim. Por çdonjëri, çdo filozof me mënyrën e tij, u mundua të gjente disa çelësa që do t’u lejonin të gjithë njerëzve – jo vetëm atyre, individualisht – të arrijnë në një vend, në një nuancë të së Vërtetës.
Ku na shërben?
Pas shumë vitesh përpjekjesh për të na mbushur mendjen se Filozofia nuk shërben për asgjë, dhe që as nuk ka të bëjë fare me jetën reale, kuptohet që kushton shumë rimarrja e idesë së dobishmërisë së saj. Është e qartë se si ushtrimi i mprehtësisë mendore nuk vlen asgjë më shumë, përveçse zhvillimin e “muskujve” mendore, për të mprehur gjuhët dhe penat, për të mund të shprehet dikush ose të shkruajë me një mënyrë gjithmonë e më konfuze, pavarësisht se fenomenikisht duket një mënyrë intelektuale. Kjo formë e filozofisë nuk mund të na ndihmojë si njerëz. Por le të kthehemi në praktikën që përpiqemi t’i japim jetës. Kush nuk i ka bërë pyetje vetes në moshën fëminore, në adoleshencë, në moshën rinore dhe madje dhe në pjekurinë e tij, disa herë fshehurazi që të mos tregojmë dobësi apo padituri? Sa herë këto pyetje nuk mbeten në ajër në dimensionin e të pamundurës dhe të paarritshmes? Sa herë nuk jemi torturuar duke menduar mbi lindjen dhe vdekjen, sëmundjen dhe pleqërinë? Sa herë nuk kemi kërkuar një përgjigje mbi botën dhe praninë tonë mbi të? Sa herë nuk jemi rrotulluar përreth idesë së Zotit, disa herë duke e refuzuar për arsye të ndërlikueshmërisë së saj dhe herë të tjera duke e lënë të jetojë si një ndjenjë e pamundur për t’u kuptuar? Sa herë nuk na është nevojitur Filozofia për t’u ndihmuar kundrejt dyshimeve, ankthit dhe dëshpërimit? Dimë që Filozofia nuk na shërben për të na bërë të ditur dhe as për të gjetur çelësin e mistereve të Universit. Por gjithashtu, dimë se na shërben për të qartësuar disa pasiguri, për të përdorur mendjen tonë, për t’i shtruar vetes sonë jo vetëm pyetje, por edhe të guxojmë të gjejmë përgjigje. Dimë që nuk dimë asgjë, ashtu sikur bukur thoshte Sokrati, por për këtë na nevojitet Filozofia, pasi ajo na vë në rrugën e dijes. Dalëngadalë, pa u nxituar, pa ankth, duke pranuar larminë e pafund të sigurive që fitojmë. Filozofia na shërben për të jetuar. Është një art shumë i vështirë me të cilin asnjeri nuk merret dhe asnjeri nuk duket se njeh teknikën dhe mënyrat e tij. Thjesht vijmë në jetë dhe lejojmë instinktin të na tregojë rregullat e lojës, ose i shtrembërojmë sipas pranimeve parodike. Por Jeta, me shkronja të mëdha është diçka tjetër krejt ndryshe. Jeta është të dimë se kush jemi, të dimë se nuk jemi unikë, se ato që na duken teste të dhimbshme dhe vështirësi, nuk janë asgjë tjetër përveçse shkallë për të mësuar t’ia arrijmë vetë, t’ia dalim mbanë me mjetet që ne disponojmë. Është të intuitojmë se po ikim drejt një kohe-vendi dhe le të mos jetë ai që njohim deri tani. Është të konceptojmë një fije lidhjeje reciproke që mund ta quajmë – nëse duam – përjetshmëri. Filozofia shërben për të justifikuar Jetën dhe jo për t’u lënë të zvarritemi nga ajo. Shërben për të vlerësuar të gjitha gjallesat dhe jo vetëm njerëzit. Shërben për të shikuar qiellin dhe tokën, për të gdhendur në thellësinë e tokës dhe për të shpuar thellësinë e qiellit, për të parë përreth, për të menduar dhe për të ndjerë. Që të jemi filozofë do të thotë të jemi të ndërgjegjshëm të pyetjeve dhe përgjigjeve të tyre, të papërcaktuara, por që shkojnë drejt një kuptimi gradual të së Vërtetës. Asnjeri nuk do të na paguajë për këtë. Nuk fitojmë mjetet e jetesës me këtë mënyrë, por ajo që fitojmë është të dimë se si të jetojmë dhe të jemi mjaft të kompletuar me sigurinë tonë brendësore dhe vetëbesimin.