OECD mbështet krijimin e një mjedisi të favorshëm për bashkëpunimin biznes-akademi-qeveri, për të zhvilluar inovacionin
Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) – Programi Rajonal i Evropës Juglindore, organizoi konkursin Triple Helix në Shqipëri. Me mbështetjen e iniciativave nga OECD, nisur që në vitin 2015, konkursi ishte një risi e madhe për ekosistemin shqiptar, ku morën pjesë më shumë se 25 përfaqësues të institucioneve private, publike dhe akademike, për të zhvilluar ide dhe modele të partneritetit. Përmes këtij projekti, OECD synon të mbështesë qeverinë shqiptare, në krijimin e një mjedisi të favorshëm për bashkëpunimin biznes-akademi-qeveri, për të zhvilluar inovacionin dhe për të ndihmuar kompanitë shqiptare të kuptojnë dhe të korrin përfitimet e njohurive komercialiste dhe akademike, për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e tyre kërkimor.
UET u përfaqësua në konkurs, përmes projektit të ideuar nga zëvendësrektorja, prof. dr. Luljeta Minxhozi. Ideja e projektit konsiston në ngritjen e një Inkubatori të Biznesit në Universitet, si një shërbim ekstra për studentët dhe stafin e UET-it. Universiteti Europian i Tiranës, është udhëheqësi dhe institucioni pritës i Inkubatorit të Biznesit. Ky projekt, i lidhur me partnerë publikë, privatë dhe qeveritarë, synon të ofrojë një urë lidhëse midis studimit dhe hulumtimit më botën e biznesit. Prezantimi i projekteve, u zhvillua ditën e Martë, 9 Shkurt, në ambientet e institutit “Harry Fultz”.