Në datat 25-27 Shkurt, në Tiranë do të jetë një ndër filozofët më të njohur bashkëkohorë, Roger Scruton. UET-Press boton dy libra të tij në gjuhën shqipe
Avokat Ngjela, thekson mungesën e konceptit në ligjërimin politik shqiptar dhe imponimin që na bën koha, për t’i hedhur sytë drejt filozofisë analitike. Hysamedin Feraj, nga ana tjetër, mendon se filozofia analitike dhe ajo sintetike, shkojnë bashkë dhe flet për rol aktiv të filozofit në shoqëri.
Ishte sërish Llogaroja që mirëpriti për tre ditë diskutimet e klubit të filozofisë “Russell”, në kuadër të aktivitetit tashmë të kthyer në traditë “Anuarët e filozofisë”, me temë “Filozofia analitike dhe filozofia kontinentale: A mund të kapërcehet diferenca mes tyre?”. Ky aktivitet zhvillohet si pjesë e nismës së ndërmarrë nga Universiteti Europian i Tiranës, për të rihedhur sytë drejt mendimit filozofik. Të ftuar në këtë aktivitet ishin filozofë dhe pedagogë, gazetarë, studiues dhe dashamirës të filozofisë. Por nuk do të përfundojë me kaq, pasi aktiviteti do të pasohet nga ardhja në Tiranë e filozofit të famshëm britanik, Roger Scruton dhe botimin e dy librave të tij nga UET-Press. Ndërsa në objektivat e universitet për vitin e ardhshëm, është hapja e studimeve për degën e filozofisë si në Bachelor, ashtu edhe Master.
I pari që referoi në këtë takim ishte Spartak Ngjela, avokati i pasionuar pas filozofisë analitike. Ai theksoi se filozofia mbështetet në dy shtylla kryesore, që janë numri dhe koncepti. “Unë jam pesimist në lidhje me konceptualizmin në ligjërimin politik shqiptar. Debatet tona ngrihen në mungesë të koncepteve, prandaj më duhet të them që jemi një shoqëri jokonceptuale dhe sigurisht që kjo na shpie në mediokritet”, -tha gjatë leksionit të tij avokati. Ai beson fort se matematika është baza e filozofisë dhe shkencës dhe prandaj thotë se filozofia analitike është në koherencë me zhvillimet e sotme. “Filozofia kontinentale na dha makinën me avull dhe e falenderojmë, por filozofia analitike na dha kompjuterin. Sot është koha të shkojmë drejt analitikes dhe shkencës”, u shpreh ai.
Duket se nuk ishte i këtij mendimi, filozofi Hysamedin Feraj, i cili mbrojti tezën se filozofia analitike dhe ajo sintetike shkojnë së bashku, pasi siç thotë ai “Nuk mund të flasim për ndonjë konflikt midis filozofimit analitik dhe sintetik, sepse nuk dimë ndonjë filozof që bën analizë por nuk bën sintezë. Kjo është punë e përditshmërisë dhe fokusit të përditshëm të punës por jo konflikt. Pajtohem me avokatin në thënien e tij se filozofia analitike ka prodhuar kompjuterin, por filozofia sintetike-kontinentale ka prodhuar njeriun.” Përsa i përket kuptimit të filozofit, Feraj mendon se roli i tij është të jetë aktiv në shoqëri. “Filozofi duhet të jetë aktiv në shoqëri. Ndryshe nga perceptimi i krijuar, sikur filozofi është një person larg realitetit, në të vërtetë ai ka detyrimin të jetë jo vëzhgues por aktiv në problemet që has shoqëria. Gjithashtu një filozof duhet të jetë i pozicionuar në idetë e tij. Dikush që nuk pozicionohet në një rrymë ose nuk krijon një të tillë por njeh dhe pranon të gjitha ideologjitë tjera, mund të jetë një mësues shumë i mirë i filozofisë por asnjëherë nuk mund të quhet filozof.”
Ledian Rusta, pedagog nga Universiteti i Tiranës, referoi mbi dallimet e filozofisë analitike me atë kontinentale, ndërsa Klementin Mile dhe Gjergj Sinani, referuan mbi disa koncepte të filozofit gjerman Martin Heidegger.
Nisma që vjen nga Korça: Filozofia që në parashkollorë
Vitin e kaluar, pjesëmarrësit në “Anuarët e filozofisë”, nënshkruan një peticion për Ministrinë e Arsimit, ku kërkohej rikthimi i filozofisë si një lëndë bazë në gjimnaze. Këtë vit, Administratori i UET-it, Henri Çili, përsëriti rëndësinë e një reflektimi mbi filozofinë. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, vetëm 13 nxënës në 50 mijë maturantë, zgjedhin Filozofinë si lëndë me zgjedhje në provimet e Maturës. Në të njëjtën linjë, është edhe departamenti i shkencave sociale në universitetin “Fan Noli” në Korçë. I ftuar këtë vit në aktivitetin e klubit “Russell”, pedagogu Eriseld Kalemaj, flet për rëndësinë e filozofisë në edukim dhe përpjekjen prej më shumë se tre vitesh të universitetit “Fan Noli”, që nocionet e para filozofike të jepen që në kopshte. “Nuk duhet harruar që edhe në qytetet që janë larg Tiranës, ka të rinj që duan të mësojnë filozofinë. Ne si departament, kemi një projekt për filozofinë te fëmijët, i cili në shumë vende të botës ka nisur të lëvrohet. Kjo do të thotë që fëmijët në kopshte marrin një tekst ose roman filozofik, sigurisht i përputhur me kapacitetin e tyre psikologjik dhe fillojnë diskutimin mbi nocione dhe pyetje filozofike, si për shembull: Ç’është dashuria apo ç’është jeta. Sigurisht që qëllimi kryesor nuk është të përgatisim filozofë, por të krijojmë një mendje reflektive, të kemi një person që di si të mendojë dhe të reflektojë. Përmes kësaj, ne nxisim te fëmijët si të kuptojnë botën, jetën dhe miqtë apo të mendojnë rreth dashurisë dhe problemeve”, shprehet Kalemaj.