Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Iliaz Shehu, i riu që rrëzon paragjykimet për Filozofinë

$
0
0

Iliaz ShehuProfil/ Nga UET-i në Sorbonë, pse studimi i Filozofisë nuk duhet të jetë tabu, por privilegj

Dikur, filozofi i madh francez Rene Dekart, pati thënë ‘Cogito ergo sum’ – mendoj, pra jam. Nga të paktët të rinj që e synojnë filozofinë në vendin tonë, kjo shprehje i shkon më së miri për shtat Iliaz Shehut. I diplomuar në Universitetin Europian të Tiranës, në vitin 2011 për Shkenca Politike, pasioni i tij ishte studimi i mendimit politik bashkëkohor. Disa referenca të pedagogëve të UET-it dhe një konvertim diplome, i mundësuan atij të thellohej më shumë për filozofinë, në Paris. Iliazi ka marrë shumë nga Franca, përgjatë viteve të studimit. Në universitetet Paris 8 dhe Sorbonë, aty ku ai ka kryer licencën dhe Masterin, Iliazi ka rënë në kontakt jo vetëm me literaturën më të mirë të mendimit filozofik, por ajo që çdo student pse jo do ta ëndërronte – është gjendur pranë pedagogëve, personaliteteve europiane të fushës. Studentët shqiptarë në auditorët e huaj prestigjioz, janë një vlerë e paçmuar e rinisë dhe e ardhmes së vendit.

I pyetur për interesimin e tij ndaj filozofisë dhe më konkretisht për raportet mes tregut të punës dhe kësaj disipline, Iliazi thotë se nuk ekziston ndonjë ndarje precize mes teorisë dhe praktikës në filozofi. “Filozofinë nuk e kam parë kurrë në funksion të tregut, as tregun në funksion të filozofisë. Prej kohësh ekziston një ndarje e thellë mes tyre, që ka ardhur jo pa arsye. Tregu ka bërë që filozofia të perceptohet si njëfarë ishulli, në të cilin shijohen pushimet, pa marrë parasysh realitetin ku jetojmë. Pikërisht, ky lloj paragjykimi duhet të hidhet poshtë. Filozofia nuk është neutrale. Nëpërmjet saj veprohet, ajo është e aplikueshme. Për sa u përket studimeve të mia, ato nuk kanë pasur thjesht domethënien e ‘pushimeve filozofike’. Si të tilla, nuk kanë qenë vetëm pasion, por edhe interes.”

Biseda jonë me Iliazin, mori shtysë në mjedisin e Anuarëve të Filozofisë në Llogara, ku ai ishte i ftuar si dashamirës dhe student i filozofisë. Fokusit të saj, nuk mund t’i shmangej debati mes filozofisë analitike dhe kontinentale, të cilit Universiteti Europian i Tiranës po i jep impakt në mjedisin akademik shqiptar. “Me sa duket, UET ia ka dalë të importojë fillimet e filozofisë analitike. Mbetet për t’u parë te cilët autorë do të fokusohet, sepse prioritet për t’u përkthyer me sa duket, ka për të qenë filozofia e traditës anglosaksone. Ajo ka një lehtësi më të madhe në përkthim, sesa filozofia kontinentale – franceze apo gjermane. Këto të fundit luajnë me dykuptimësinë e termave dhe përafrohen më tepër nga arti dhe letërsia. Filozofia analitike, është e lidhur drejtpërdrejt me logjikën”, – thotë Iliazi, sa u përket përpjekjeve të UET-it për filozofinë e Russell-it.

I pyetur nga Mapo për planet e së ardhmes, Iliaz Shehu thotë se studimet dhe jeta akademike franceze e plotësojnë. Tema e tij e diplomës tashmë pritet të konfirmohet si tezë për të vazhduar doktoraturën në specialitetin e fenomenologjisë të filozofëve Husserl dhe Merleau-Ponty. Sa i përket kontributit që si studiues profesionist i filozofisë, ai mund të japë në të ardhmen në fusha të ndryshme të shkencës, ish-studenti i UET, shprehet: “Kontributi për filozofinë, mbetet kontribut për filozofinë, për aq kohë sa ajo është e aksesueshme për të gjithë. Në momentin që punon për të dhe vepron sipas saj, rezultati sigurisht që është kontribut publik. Ndoshta të filozofuarit në shqip, për mua do të kishte domethënie tjetër, për arsye se do të hapte perspektiva të tjera, të reja. Në parim, filozofia ngelet e njëjtë për të gjitha gjuhët. Kontributi nuk do t’u shërbejë vetëm mjediseve akademike apo studiueseve, por edhe më gjerë”, – përfundon Iliaz Shehu.

Nga Egon Loli


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180