Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Consus: Si të ndërtosh ura mes shkencës dhe shoqërisë

$
0
0

foto cover faqe e pareJavën që shkoi, në UET u zhvillua trajnimi i 5-të i Projektit Consus “Metodat Kreative dhe Ndërdisiplinare”

Shkenca dhe inovacioni perceptohen shpesh në publik si të pakuptueshme, si gjëra që bëhen dhe mbeten brenda dyerve të universiteteve. Gjithmonë shkencëtarët kanë hasur në vështirësi kur ka ardhur puna për të përcjellë mendimin e tyre te publiku, kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme dhe në interes të gjerë. Por tashmë, vetë universitetet po gjejnë rrugën e bashkëpunimit mes tyre dhe shoqërisë. Në këtë funksion, projekti Consus “Të lidhim Shkencën dhe Shoqërinë për Zhvillimin e Qëndrueshëm” po synon të krijojë një rrjet bashkëpunimi mes dy aktorëve, universiteteve dhe shoqërisë civile. Projekti i udhëhequr nga Universiteti i Graz-it në Austri dhe mbështetur nga Bashkimi Europian, ka përfshirë dhe disa universitete shqiptare nga sektori publik dhe privat. Universiteti Europian i Tiranës, pjesë e këtij rrjeti, është bërë disa herë pritës dhe organizator i workshop-eve dhe trajnimeve të stafit në funksion të këtij qëllimi.

Si pjesë e këtij projekti, javën që shkoi u organizua në UET trajnimi ndërkombëtar ‘Metodat Kreative dhe Ndërdisiplinare’, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga gjithë universitetet që janë pjesë e rrjetit. Rektori i UET-it, Prof.Dr. Tonin Gjuraj, duke përshëndetur pjesëmarrësit tha se “qëllimi i këtij projekti është që të ndërtojë ura bashkëpunimi mes shkencës dhe shoqërisë, biznesit, grupimeve të shoqërisë civile, organizatave të ndryshme dhe qeverisë”. Më tej, ai e vlerësoi këtë projekt edhe për faktin që sjell në mënyrë të konkretizuar bashkëpunimin mes sektorit publik dhe atij privat, pasi pjesë e projektit është dhe Universiteti i Durrësit.

“Trajnimi i stafit për çështje të tilla që synojnë bashkëpunimin mes shkencës dhe shoqërisë shërben për metodat e mësimdhënies së qëndrueshme, shërben për përmirësimin e mëtejshëm të kurrikulave”, – tha Gjuraj. Ai theksoi se në funksion të ngritjes së këtyre urave të bashkëpunimit, UET ka ngritur Bordet e Tregut të Punës, që funksionojnë pranë çdo departamenti me pjesëmarrjen e biznesit, agjencive të ndryshme dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile. 

Një nga organizatoret e trajnimit ndërkombëtar, ‘Metodat Kreative dhe Ndërdisiplinare’, Dr. Besarta Vladi, pedagoge në UET, më tej në një intervistë të zgjeruar flet mbi rëndësinë e aktiviteteve të tilla për stafin akademik të universitetit. 

kryesore fq 14-15Këtë javë, në UET është zhvilluar trajnimi i 5-të i Projektit Consus “Metodat Kreative dhe Ndërdisiplinare”. Çfarë është ky trajnim dhe cili është synimi i tij? 

Ky trajnim u zhvillua në datat 25-28 janar 2016, në UET, në kuadër të Projektit Consus. Projekti Consus është një projekt ndërkombëtar, i financuar nga BE dhe që ka si qëllim kryesor themelimin e një rrjeti rajonal shkencë-shoqëri për inovacionet e qëndrueshme në Shqipëri dhe Kosovë. Trajnimi ‘Metodat kreative dhe ndërdisiplinare’ kishte disa objektiva të rëndësishme, si: krijimi i një kuadri teorik dhe konceptual mbi metodat ndërdisiplinare të mësimdhënies, analizimi i kontributit që mund të japin stakeholders-at në implementimin e suksesshëm të këtyre metodave, ndarja e eksperiencave më të suksesshme akademike ndërmjet pjesëmarrësve etj.

 Sa u shërben pedagogëve ky trajnim?

Çdo trajnim në vetvete synon zhvillimin e kapitalit human në një fushë apo çështje të caktuar, objektiv i cili mendoj se është arritur më së miri nga ky trajnim. ‘Metoda kreative dhe ndërdisiplinare’ është një ndër 6 trajnimet e Projektit Consus dhe çdo pedagog i përfshirë në projekt, është pjesëmarrës në dy-tri trajnime të tilla, të zhvilluara brenda ose jashtë vendit. Kjo ka krijuar mundësinë për të përfituar informacion dhe dije të qëndrueshme në metodat e mësimdhënies dhe më tej. Studentët e shekullit XXI  i përkasin epokës së dixhitalizimit dhe teknologjisë së informacionit, çka nënkupton se metodat klasike të mësimdhënies nuk janë më të përshtatshme dhe efektive për ta. Ajo çfarë u theksua shumë në këtë trajnim kishte të bënte pikërisht me metodat bashkëkohore dhe inovatore të mësimdhënies, në fokus të së cilave është bashkëpunimi shkencë-shoqëri dhe mësimdhënia me në qendër studentin, nxitja e dëshirës dhe kuriozitetit për të panjohurën.

 Çfarë mund të përfitojë UET në kuadër të përmirësimit të kurrikulave?

Kurrikulat universitare janë subjekt ndryshimi dhe përshtatje me nevojat e tregut të punës dhe avancimet teknologjike. UET synon të jetë lider në treg sa i përket cilësisë akademike, dhe kurrikulat bashkëkohore janë indikator i rëndësishëm i garantimit të kësaj cilësie. Projekti Consus vë një theks të veçantë te rëndësia e përfshirjes së aktorëve nga shoqëria në auditorë, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm. UET mund të spikasë sërish, duke iniciuar dhe nxitur përfshirjen në kurrikulat universitare tematika dhe çështje që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovacionin. Sidoqoftë, objektivat e këtij projekti tejkalojnë përfitimet për një IAL specifik, duke synuar që përmes veprimtarive të ndryshme shumëpalëshe të sjellë përfitime në nivel rajonal.

Një tjetër dimension i projektit është gjetja e rrugëve të komunikimit mes shkencës dhe shoqërisë. Si mund të arrihet kjo dhe sa e rëndësishme është për universitetin që të jetë i kuptuar nga publiku?

Rrugët e një komunikimi të tillë në të vërtetë ekzistojnë, ato thjesht duhen përshtatur dhe implementuar në një kontekst të caktuar. Hapi i parë është ndërgjegjësimi i të gjitha palëve për përfitimet e ndërsjella që sjell një bashkëpunim i tillë. Duket sikur ka një mungesë besimi në këtë drejtim. Në kulturën tonë të punës, thuajse çdo palë e tretë klasifikohet lehtësisht si ‘konkurrent’, kur është i ngjashëm me ne, ose si ‘i parëndësishëm’, kur është i ndryshëm nga ne. Është shumë e rëndësishme të fillojmë ta konsiderojmë palën tjetër si partner dhe bashkëpunëtor potencial në rrugën drejt arritjes së objektivave afatgjata, gjë që ndihmon në përmirësim të vazhdueshëm dhe zhvillim.

 Vihet re që në këtë projekt bashkëpunojnë universitetet publike dhe private, sa i rëndësishëm është sipas jush një bashkëpunim i tillë dhe si mund të vijojë?

Përveç universiteteve private dhe publike në Shqipëri dhe Kosovë, të tilla si UET, Polis, UAMD, UBT, Kolegji Universum, Kolegji Riinvest dhe Universiteti ‘Haxhi Zeka’, partnerë të tjerë të këtij projekti janë edhe universitete të rëndësishme ndërkombëtare si Universiteti i Graz-it, Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës (BOKU) në Vjenë, Universiteti Leuphana në Luneburg dhe Universiteti i Limerick-ut në Irlandë. Gjithashtu, partnerë të projektit Consus janë Qendra për Studime të Krahasuara dhe Ndërkombëtare në Shqipëri (QSKN) dhe Instituti për Politikën e Zhvillimit në Kosovë (INDEP). Vetë përbërja e këtij projekti është në thelb një hap pozitiv drejt themelimit të një rrjeti rajonal shkencë-shoqëri për inovacionet e qëndrueshme. Një bashkëpunim i tillë divers në përbërje, fushë ekspertize dhe kapacitete, përbën një rëndësi dhe kontribut të jashtëzakonshëm në jetësimin e objektivave të projektit dhe çdo projekti tjetër të ngjashëm me të, që në thelb trajton çështje mbi zhvillimin e qëndrueshëm dhe inovacionin.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180