Me këtë aktivitet, Universiteti Europian i Tiranës hedh hapat e parë drejt idesë për të hapur një Fakultet të Arteve, që do të përfshijë degë si Arkitektura, Dizajni etj.
Drejtori i Përgjithshëm i Palazzo Spinelli- Instituti për Art dhe Restaurim, mbajti dje një leksion të hapur për studentët e Degës së Dizajnit, ndërsa i inkurajoi ata për ide të reja në fushën e trashëgimisë kulturore. Ne duhet të mbrojmë atë që na përket, u shpreh ai dhe një prej mënyrave për të mbrojtur pasurinë kulturore është restaurimi. Pas më shumë se 700 projektesh për restaurim dhe promovim, ky institucion ka nënshkruar një marrëveshje edhe me vendin tonë
Një provincë apo qytet i vogël është në gjendje të nxjerrë një ide trashëgimie kulturore, edhe nëse nuk bëhet fjalë vepra të artit apo monumente. Një recetë, një traditë, një dialekt, një gjuhë, është trashëgimi kulturore dhe si e tillë duhet trajtuar, duhet mbrojtur. Kështu iu drejtua Emanuele Amodei, Drejtori i Përgjithshëm i Palazzo Spinelli- Instituti për Art dhe Restaurim gjatë një ore leksioni me studentë nga Departamenti i Dizajnit në Universitetin Europian të Tiranës.
“Trashëgimia kuturie është diçka që të përket, është e jotja dhe që rrjedh nga ajo që shpreh territori yt. Trashëgimia kulturore është territor” -theksoi Amodei, ndërsa foli për rëndësinë e mbrojtjes dhe restaurimit të veprave të artit që bëjnë sot trashëgimin kulturore të një vendi, duket e quajtur një resurs që nuk rinovohet dhe humbjen e trashëgimisë kulturore , ai e quajti barbar me humbjen e identitetit të një vendi. “Nëse bombardohem, nëse përmbytem, nëse bie një tërmet dhe më shkatërrohen vepra arti, humbas përkatësi. Mbrojtja e parë e vërtetë është në dorën e secilit prej nesh çdo ditë. Ne bëjmë ruajtje dhe restaurim, por nuk është kjo e rëndësishme. Është e nevojshme, por e rëndësishme është ndërgjegjja për restaurim, vlerësimi për restaurim, jo vetëm mbi veprat e artit, por në gjithçka”, -tha ai, ndërsa i inkurajoi të rinjtë në aplikimin e ideve, kreativitetin dhe teknologjitë në prodhime të formave artistike.
Duke u ndalur në lindjen e Palazzo Spinelli në qytetin e Firences, si një prej Instituteve më të rëndësishëm të Artit dhe Restaurimit sot në botë, duke numëruar plot 18 mijë vepra nga e gjithë bota të restauruara në këtë institut dhe me mbi 700 protokolle bashkëpunimi me qeveri të huaja, së fundi edhe me Ministrinë shqiptare të Kulturës, Amodei zbuloi për të rinjtë sesi pasojat e një tragjedie natyrore në qytetin e Firences bënë të lindte ky institut i rëndësishëm i përfshirë në projekte restaurimi dhe menaxhimi të trashëgimisë kulturore në të gjithë botën.
Pas përmbytjes së nëntorit të vitit 1966, rrugë, sheshe, godina, monumente, biblioteka, piktura, afreske, libra mbetën të dëmtuara rëndë në Firence. Ishte ky momenti, që sipas Amodeit, Firence mori statusin e një qytet arti, pasi deri në atë kohë me gjithë ndërgjegjen për traditën historike e kulturore, ende Firence nuk kishte famën që ka sot. Megjithë ofertën e muzeve ndërkombëtare për të ndihmuar në restaurimin e veprave të artit të dëmtuara, kryetari i Bashkisë së Firences asokohe nuk pranoi assesi që artefaktet të dilnin jashtë Italisë, pasi kjo do të thoshte se nuk do të ktheheshin më kurrë në vendin e origjinës.
Ai kërkoi që ata të vinin në Firence për të restauruar veprat e dëmtuara dhe të shkatërruara.
Firence u shndërrua në laborator restaurimi ku punonin njëherazi restaurues, historianë arti, projektues e teknikë që nuk flinin të njëjtën gjuhë kishin teknologji të ndryshme dhe teknika të ndrysmë pune. “Në fund të dhjetë viteve restaurim, Firence hyri në një epokë të re të rritjes kulturore, baza e institucioneve të rëndësishme kulturore. Instituti ynë lind aty, në idenë e të transferuarit të brezave një dije të përftuar gjatë përvojës në terren” -u shpreh Amodei.
Duke folur rreth sasisë së veprave të artit që gjenden në Itali sot, të cilat vlerësohen në masën 80 për qind të të gjithë trashëgimisë kulturore botërore, Amodei tha se nuk është sasia ajo që bën diferencën, por mënyra sesi italianët e jetojnë trashëgiminë kulturore ku godina mesjetare, të epokës së Rilindjes apo edhe më antike kryejnë funksione të përditshme, si: universitete, biblioteka, seli bashkiake, zyra postare etj. Ai e quajti Firencen një depozitë të madhe arti ku përveç pasurive të qytetit shkojnë e vijnë me mijëra vepra që shohin dritën e restaurimit nga specialistët e Institutit për Art dhe Restaurim në Palazzo Spinelli.
Pas një historiku të artit botëror dhe betejat e qytetërimeve me njëri-tjetrin që kanë bërë të zhduken vepra arti nga periudha e etruskëve te ajo e antikitetit grek, romak, te Hunët e Vizigotët, te portugezët e holandezët. Ai tha se nuk mund të ndalim evolucionin e qytetërimeve, nuk mund të gjykojmë nëse ka qenë e drejtë apo e gabuar ajo çka kanë bërë me zhdukjen apo dëmtimin e veprave madhështore të artit, por ajo çka duhet bërë sot është të ruhen, të dokumentohen dhe faktohen këto vepra arti që në mos nga luftërat për shkaqe natyrore edhe mund të shkatërrohen, për t’ia përçuar brezave të ardhshëm. Ai foli për rëndësinë që ka trashëgimia kulturore edhe në GDP-në e një vendi. Sipas statistikave, vetëm në 2015–ën, kultura në Europë ka mbledhur 780 miliardë euro, duke e bërë sektor të rëndësishëm në ekonomi. Pasi prezantoi për studentët disa nga projektet e restaurimit dhe menaxhimit të trashëgimisë kulturore në vende si: Turqia, Argjentina, Japonia, Kolumbia, Meksika etj., ai i ftoi studentët dhe pedagogët e Universitetit Europian të Tiranës në Bienalen e Panairit për Art dhe Restaurim që do të mbahet në fund të vitit në Firence, nga Palazzo Spinelli në bashkëpunim me ELIA- Liga Europiane e Instituteve të Artit, një rrjet me mbi 300 anëtarë në 47 shtete që advokon për artet në nivel europian, duke krijuar mundësi të reja për anëtarët si edhe shkëmbim të praktikave më të mira.
Belina Budini, pedagoge në UET dhe Shefe e Departamentit të Komunikim-Dizajnit në UET, u shpreh se ky aktivitet ishte fillimi i një bashkëpunimi të gjatë me Palazzo Spinelli, si edhe një hap i parë për hapjen e në Fakulteti të Arteve në këtë universitet.
Instituti për Art dhe Restaurim në Palazzo Spinelli lindi më 23 mars të vitit 1978 dhe vepron si qendër formimi, specializimi dhe përditësimi profesional në sektorin e ruajtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore botërore, po ashtu edhe si qendër konsulence dhe restaurimi për llogari të enteve publike e private.
Përvoja e grumbulluar në 40 vite aktivitet, me mbi 4500 kurse, mbi 7500 studentë të diplomuar dhe mbi 18 ndërhyrje të ndërmarra, e përkufizon këtë institut si qendër ekselence në sektor, në nivel kombëtar e botëror, duke ofruar dije të llojit universitar, formim profesional praktik sipas kërkesave me teknologjitë dhe filozofitë e reja të ndërhyrjeve. Nga ’78 e më sot, studentë nga e gjithë bota janë formuar në laboratorë e atelier të këtij instituti, i cili ofron kurse 1 dhe 3-vjeçare si edhe studime Master në disiplina të ndryshme të ruajtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore.
Palazzo Spinelli ofron ekspertizën e tij edhe në Shqipëri, pasi pak muaj më parë është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes këtij instituti dhe Ministrisë së Kulturës , si një hap i parë në mbrojtjen e monumenteve të kulturës.
Marrëveshje kjo, e cila ka për qëllim të rrisë kapacitetet në fushën e trajnimit dhe edukimit nëpërmjet krijimit dhe drejtimit të shkollave, qendrave kulturore, laboratorëve të restaurimit, instituteve të trajnimit, e aftësimin e restauratorëve për mbrojtjen e trashëgimisë dhe ruajtjen e saj. Vetë Amodei e ka quajtur Shqipërinë si një vend i pasur në trashëgimi kulturore, i cili ka nevojë t’i prezantohet Europës me identitetin e vet. Marrëveshja parashikon gjithashtu ndërhyrje specifike në trashëgimi kulturore. Këto do të jenë ndërhyrje të specializuara në konservimin, restaurimin shkencor të objekteve muzeale; piktura mbi kanavacë dhe mbi dru, afreske, materiale letre (restaurimi i librave, pergamenave, printimeve, vizatimeve, dhe objekteve të tjera), qeramikë, vitreo, lapidarë dhe mozaikë, metale etj. Projekti i parë me Shqipërinë, në bashkëpunim me IMK–ën nisi me ngritjen e laboratorit të restaurimit në Berat.
Suadela Balliu