Stafi drejtues i Universitetit Europian të Tiranës, pjesë e trajnimit mbi “Design Thinking”, realizuar nga kompania britanike “Gconsultancy Innovation”
Të menduarit në mënyrë kreative është sot në botë çelësi i suksesit të shumë kompanive të mëdha. Koncepti “Design Thinking” është në themel të inovacionit për të dalë me produkte apo mënyra të reja të funksionimit të tyre. Në kuadër të një riorganizimi dhe funksionimi të ri në prag të 10-vjetorit, Universiteti Europian i Tiranës synon të përvetësojë këtë koncept modern bashkëkohor. Trajnimi i zhvilluar me stafin drejtues, akademik dhe administrativ, me një prej kompanive më të njohura britanike në këtë fushë kishte pikërisht këtë synim; krijimin e një sinergjie mes stafit dhe përvetësimin e “Design Thinking” në mënyrën e funksionimit të tij në të ardhmen. Trajnimi u realizua nga “Gconsultancy Innovation”, duke u fokusuar mbi arritjet e 10 viteve të para të funksionimit të UET dhe për të parë më tej të ardhmen në 10 vitet e ardhshme dhe krijimin e një rrugëtimi të ri, duke përvetësuar metodat më të mira të organizimit dhe funksionimit që përdoren sot në botë. “Gconsultancy Innovation” është një pjesë e “IOEE Academy” në Londër dhe Drejtoresha Ekzekutive, e saj, Juliana Goga-Cooke zhvilloi trajnimin me stafin drejtues të UET. Në një intervistë për Mapon, ajo shprehet se Design Thinking, si proces shkon nga evidentimi i nevojave dhe sfidave tek gjenerimi i ideve për zgjidhje, eksperimentimi i shpejtë i disa prej tyre dhe implementimi. Design Thinking ka në qendër të saj njeriun, përdoruesin, klientin, pasi çdo nevojë, problem apo sfidë përfshin gjithmonë njeriun. Ndërsa presidenti i UET-it, Prof.Dr. Adrian Civici e sheh këtë trajnim në funksion të objektivave që ka UET dhe çfarë mesazhi do të përcjellë UET në shoqërinë shqiptare, çfarë roli do të luajë si institucion akademiko-formues dhe shkencor në raport jo vetëm me të rinjtë, por edhe me mjedisin shkencor, financiar, ekonomik dhe social në Shqipëri.
Risitë që sjell “Design Thinking” për kompanitë
Intervista/ Juliana Goga-Cooke, CEO e “Gconsultancy Innovation”, IOEE Academy
Znj. Goga, para disa ditësh GCONSULTANCY organizoi një trajnim mbi “Design Thinking” me stafin e Universitetit Europian të Tiranës. Çfarë ishte ky trajnim dhe çfarë synonte ai?
Inovacioni është në zemër të të gjitha strategjive të organizatave që duan të jenë të shëndetshme, jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen. Universiteti Europian i Tiranës është pikërisht nga ato korporata që sheh përpara dhe përgatitet për t’u bërë ballë sfidave që vijnë në mënyrë të vazhdueshme, qoftë nga faktorë jashtë universitetit, qoftë nga ata brenda. Ky trajnim synoi pikërisht në thellimin e aftësive inovuese tek grupi i udhëheqësve të UET-it, të cilët bashkërisht vështruan në mënyrë holistike të ardhmen që ata duan të ndërtojnë në dhjetëvjeçarin e dytë të jetës së këtij universiteti, tashmë shumë të respektuar, dhe krijimin e një rrugëtimi se si do të arrijnë atje.
Çfarë është Design Thinking dhe për se u shërben kompanive?
Design Thinking është një proces inovacioni, i cili përdoret me sukses për të dalë me produkte të reja, shërbime të reja dhe mënyra të reja pune. Si proces ai shkon nga evidentimi i nevojave dhe sfidave tek gjenerimi i ideve për zgjidhje, eksperimentimi i shpejtë i disa prej tyre dhe implementimi. Design Thinking ka në qendër të saj njeriun, përdoruesin, klientin, pasi çdo nevojë, problem apo sfidë përfshin gjithmonë njeriun.
Si e tillë ajo të ofron metoda të cilat janë edhe analitikë edhe krijuese, e përmes tyre t’i mund të eksplorosh dhe formulosh problemet nga këndvështrime të ndryshme, e kësisoj të kuptosh thellë e të zbulosh nevoja tek studentët, pedagogët, administrata. Nëpërmjet skenarëve që të vendosin përpara në kohë, mund të nxjerrësh në pah aspiratat që njerëzit kanë për një të ardhme të dëshiruar dhe më tej të analizojnë se cilat janë pengesat për ta arritur atë të ardhme. Përcaktimi i mirë i sfidës apo problemit është një nga stadet më të vështira sintetizuese të procesit. Ky është një stad që kërkon kohë dhe aftësi, përndryshe mbetemi në konstatime të përgjithshme që nuk na hapin rrugë për zgjidhje specifike dhe inovuese. Do përmendja një thënie të Ajnshtajnit që ne e përdorim shpesh: Nëse do të kisha 1 orë për të zgjidhur një problem, nga i cili varej jeta ime, do të shpenzoja 55 minuta për të bërë pyetjet e duhura për të kuptuar problemin dhe 5 minuta për të menduar për zgjidhjet.
Një tjetër risi, që Design Thinking sjell, është gjenerimi i ideve për të zgjidhur problemet. Ka mjaft metoda dhe teknika të cilat janë të lehta për t’u mësuar dhe aplikuar qoftë në mënyrë individuale, qoftë në grup. Ne shpesh biem pre e idesë së parë, që mund të jetë e mirë, por nuk mund të jetë e vetmja. Është provuar përmes punës kërkimore se të paktën 10 idetë e para që ofrojmë, janë ide që janë të njohura e të provuara, pra jo të reja. Teknika si Brainstorm, Brainwriting, Asociimi i ideve, apo Zgjidhje e kundërt, ndihmojnë për të stimuluar trurin të prekë zona të tjera, duke dhënë mundësinë për të nxjerrë ide që mund të jenë të pazakonta apo inovuese. Por teknikat janë një pjesë e suksesit. Pjesa tjetër dhe me kryesore, është grupi që mblidhet për të dalë me ide. Përsëri do t’i referohem rezultateve kërkimore që bëjnë të ditur se nëse shkojmë të bëjmë një Brainstorm me kolegët që kemi në zyrë e kemi punuar për një kohë relativisht të gjatë, zor se do të dalim me ide që s’i kemi dëgjuar më parë. Këtu skuadra duhet të mendojë, kë tjetër mund të thërrasim, sidomos kolegë nga disipina apo funksione të ndryshme, e përtej kolegëve, si mund të bëjmë pjesë të ideimit edhe studentët, ALUMN-it, partnerët, në varësi të çështjeve që trajtojmë.
Megjithatë ne shpesh dëgjojmë që nuk vuajmë shumë për ide, ide kemi boll, por kthimi i këtyre ideve në realitet është pjesa më e vështirë. Kjo përbën edhe fazën e tretë të Design Thinking, atë të zbatimit. E veçanta që ky proces sjell është faza e hershme e eksperimentimit në formën e prototipit të thjeshtë e të lirë. Ky synon të të lejojë të “dështosh” në një ambient të sigurt, me mjete të lira, pa kosto, mënyrë që të testosh paraprakisht a është e zbatueshme ajo zgjidhje e të mësosh prej dështimeve të njëpasnjëshme deri sa vërtet të dalësh në një model që mund ta implementosh. Ne e quajmë këtë: të dështosh paraprakisht. Fjala dështim është shumë e rëndë, askush nuk do të dështojë, por nuk ka inovacion pa ndërmarrjen e hapave të guximshëm. Prototipi është ai që të lejon që këto hapa të guximshëm t’i marrësh në fazën e hershme të implementimit, nëpërmjet iterimeve të shpejta të përmirësueshme, falë vërejtjeve që i bëhen prototipit. Një nga këshillat që japim në këtë faze është; “Mos bjer në dashuri me prototipin”, testoje për të marrë vërejtje të ndershme që do t’i përdorësh për ta përmirësuar atë. Vetëm atëherë mund të kesh hequr një dozë të mirë të rrezikut nga projekti.
Do të përmendja këtu edhe një fazë të katërt të Design Thinking që është Rrëfimi ose Storytelling. Gjithkush në mënyrë individuale mund të dalë me ide të mira që këto ide të kthehen në realitet, duhet një fshat i tërë. E që ta bësh me vete këtë fshat, të duhet të frymëzosh njerëzit të të ndjekin,të motivosh ata që do ta zbatojnë dhe të bindesh ata që do të ta financojnë këtë ide. Të gjitha këto segmente kërkojnë një qasje prezantimi të specializuar. Zgjedhja e fjalëve në mënyrë që mesazhi të prekë edhe anën analitike edhe atë emocionale të njerëzve, apo përcaktimi i kanaleve ku do të shkojë ky mesazh për të arritur aty ku është audienca që ti do të tërheqësh, janë vetëm disa nga format dhe metodat që përdor Design Thinking. Për shembull, një mesazh në facebook do të ishte jo produktiv nëse audienca jote është kryesisht në Instagram, një spot televiziv do të ishte shpenzim jo efikas nëse audienca jote nuk sheh televizion.
Këto janë përmbledhtasi çfarë sjell Design Thinking si mendësi bashkëpunimi radikal dhe eksperimentimi dhe si proces për zgjidhjen e problemeve në mënyrë inovuese. Aty ku të gjithë shohin probleme, design-thinkers shohin mundësi për të bërë diçka të re, e si e tillë, kjo qasje injekton motivim dhe optimizëm.
Sa e rëndësishme është për një universitet apo kompanitë në përgjithësi, që të përmirësojnë performancën e tyre me marrjen e ideve më të reja të fushës?
Sot njohuritë lëvizin me shpejtësi, shumë gjëra që ishin të reja pesë vjet më parë, vjetrohen, e kjo bën që gjatë gjithë kohës të jesh në kërkim të marrjes e pasurimit të njohurive. Për pedagogët si dhe institucionet arsimore ndryshimet në teknologjinë e të mësuarit janë një tjetër arene ku po zhvillohet inovacioni. Dixhitalizimi i njohurive dhe përdorimi i platformave virtuale si MOOC, i ka dhënë zgjedhje më të madhe kujtdo që do të mësojë. Kjo i vë në konkurrencë të fortë të gjitha institucionet arsimore që duan të thithin studentët e talentuar. Kjo i vë në përgjegjësi tejet të madhe për të qenë të përditësuar çdo mësues, pasi nxënësit e tyre kanë mundësi sot të aksesojnë njohuri përtej atyre që ti i jep në klase. Dhe sigurisht kjo është një shtyse drejt ekselencës, jo vetëm në punë kërkimore, por më shumë në mësimdhënie.
Teknologjia është një nga forcat e mëdha shtytëse, por jo e vetmja. Globalizimi dhe ndërkombëtarizimi i njohurive bën që universitetet sot të tërheqin studentë përtej kufijve të vendeve ku ndodhen, duke hapur në këtë formë mundësi zgjerimi edhe në financim. Ndërsa trendet demografike, ku do të fusja rritjen e moshës mesatare të jetesës, i sjellin universiteteve segmente studentësh të moshave që nuk i kanë pasur më parë. Një MOOC të organizuar nga Stanford University, në të cilën mora pjesë, u regjistruan 45 mijë studentë nga e gjithë bota, mosha varionte nga 18 në 91. Kjo është koha më emocionuese për atë që do të mësojë gjatë gjithë jetës, dhe për atë që ka pasion të jetë mësues.
Si e konsideroni bashkëpunimin me UET-in?
Tashmë për lexuesin tuaj janë të njohura arritjet e këtij universiteti dhe profesionalizmi i stafit të kualifikuar të tij. Për mua ishte një kënaqësi e veçantë që pata fatin të punoj me këtë ekip, shumë prej të cilëve i kam njohur në faza të ndryshme të jetës sime profesionale, i kam pasur studentë e kolegë. Përkushtimi i këtij ekipi, kombinuar me ndjenjën e krenarisë për ato çfarë kanë arritur në një kohë relativisht të shkurtër dhe angazhimi i tyre profesional, bëri që të merrja jo vetëm energji dhe kënaqësi, por edhe të mësoj shumë nga ata.
Trajnimi, në funksion të realizimit të objektivave të UET
Intervista/ Presidenti i UET, Prof. Dr. Adrian Civici
Z.Civici, para disa ditësh GCONSULTANCY organizoi një trajnim mbi Design Thinking me stafin e Universitetit Europian të Tiranës. Çfarë ishte ky trajnim?
Në fakt, ishte më shumë se trajnim. Ishte një formë e veçantë e organizimit të stafit të UET, duke nisur që nga shefat e departamenteve, rektorati, drejtorët e zyrave të ndryshme, në kuptimin e gjerë të fjalës. Ajo që vlerësohet në trajnime të tilla ka të bëjë me krijimin e një fryme korporate dhe sinergjie të brendshme mes të gjithë hallkave dhe aktorëve kryesorë që drejtojnë dhe menaxhojnë UET-in dhe është një metodë moderne që sot korporatat më të mëdha të botës, po përgjithësisht universitetet, qendrat e mëdha kërkimore shkencore, e ndërmarrin për të kuptuar që çfarë mendon stafi nga brenda; si krijohet bashkëpunimi dhe sinergjia; si del një mendim i përbashkët dhe mbi të gjitha si mundet të certifikohet dhe verifikohet nëse strategjia dhe vizioni që ka institucioni për të ecur përpara përputhet me çfarë mendojnë dhe si veprojnë të gjithë anëtarët dhe hallkat menaxheriale dhe drejtuese të institucionit. Në rastin konkret, për UET-in do të thosha që kemi një strategji dhe disa objektiva të natyrës thelbësore se çfarë mesazhi do të përcjellë në shoqërinë shqiptare UET dhe çfarë roli do të luajë si institucion akademiko-formues dhe shkencor në raport jo vetëm me të rinjtë, por edhe me mjedisin shkencor, financiar, ekonomik dhe social në Shqipëri. Në këtë kuadër, duke u krahasuar me tendencat e universiteteve më të mira të botës si mundet të harmonizohet përpjekja, bindja dhe koncepti i gjithsecilit, si mund të verifikohet dhe të testohet fryma e bashkëpunimit që të gjithë bashkë në radhë të parë të barazojmë dëshirat vullnetet dhe objektivat e gjithsecilit me objektivin e përgjithshëm të universitetit.
Për çfarë i shërben stafit akademik dhe atij administrativ një trajnim i tillë?
Trajnimi kishte pikërisht këtë qëllim që fola dhe mendoj që shërben për dy gjëra kryesore. Së pari, për të krijuar një lloj sistemi të qëndrueshëm vlerash brenda mënyrës si funksionon UET dhe objektivave të tij. Pra, vlera që nuk burojnë në mënyrë, do të thosha burokratike ose arbitrare nga një person që harton strategji, por bëhen pjesë organike e punës së gjithsecilit dhe sinergjia e këtyre të gjithave përmblidhet pastaj në ato elemente që përmendëm. Së dyti, ka shumë eksperienca të përparuara sot për universitetet të cilat në shekullin e 21 kanë vënë në sprovë për të ndryshuar konceptet dhe mënyrën e veprimit dhe çfarë përfaqësojnë shoqëritë dhe në këtë sens këto forma trajnimi bëjnë njëlloj ballafaqimi;çfarë duam ne, çfarë bëjmë realisht dhe si e bëjmë realisht dhe ku jemi në krahasim me shembujt më të mirë. Thelbi i kësaj metode të rëndësishme me elemente organizative brenda, psikologjike, kulturore, tregon pikërisht duke parë nga brenda sa i aftë dhe sa dëshirë ka dhe sa i organizuar dhe sa bashkëpunues është stafi drejtues i UET pikërisht për të realizuar këto objektiva madhore. Kjo formë ishte njëlloj radiografie, një lloj radioskopie apo skaneri, që të rregullojë shkallën e bashkëpunimit, sinergjisë dhe niveleve të të kuptuarit dhe pjesëmarrjes në funksion të këtyre objektivave madhorë.
Sa i vlen UET-it kjo në një moment kur universitetet janë në fazën e akreditimeve, pra të njëlloj ‘site’ që klasifikon më të mirët?
I vlen shumë sepse kur flasim për objektiva ne kemi parasysh që në një universitet objektiv kryesor ka standardet cilësore dhe nëse jemi në fazën e akreditimit, ne vlerësohemi pikërisht për këto standarde. Atëherë ky lloj trajnimi tregon se si stafi i universitetit i përcakton si diçka të brendshme dhe organike dhe jo si një gjë që imponohet ose bëhet në mënyrë formale meqë po vjen një kontroll. Ky është duke ballafaquar gjithçka ndodh në jetën e përditshme atë çfarë ne kërkojmë nga realizimi i këtyre standardeve. Ti kupton sesa i motivuar, sa mirë e kupton stafi këtë gjë dhe si ndodh procesi që këto standarde të realizohen në mënyrë normale dhe organike dhe jo si presion nga jashtë. Nëse kihen të qarta se cilat janë këto standarde që ne i kemi objektiv, ky lloj trajnimi e fut gjithë stafin në një rrjetë lumi të përbashkët për të krijuar maksimumin e efektit.
Mund të flasim për plane të ngjashme të tjera në vazhdim?
Me të njëjtën kompani, por edhe me kompani të ngjashme, po mundohemi t’i fusim këto forma të reja që nuk janë vetëm trajnime, por janë edhe orientime dhe konfigurime sesi do të ecësh përpara që të kalojmë nga disa elemente formale në elemente më të rëndësishme që krijojnë sinergji. E theksoj, e rëndësishme e këtyre gjërave është që një pjesë e madhe e stafit futet në të njëjtën gjatësi vale me të njëjtën përpjekje për këto objektiva madhore, sepse shpesh na ndodh që gjërat dhe objektivat i kemi në letër, por duke qenë institucioni i madh nuk e kupton sesi strukturat veprojnë formalisht dhe zbatojnë rregullat, e jo sesa bashkëpunojnë realisht me njëri-tjetrin dhe si e ndjejnë këtë bashkëpunim në emër të kësaj cilësie.