Përcjellja sa më e shëndetshme e politikave dhe projekteve akademike të UET tek studentët mbetet shqetësim i vazhdueshëm i rektoratit të universitetit. Për këtë arsye, Qeveria Studentore dhe Presidenti i saj, që do të zgjidhet në datën 28 janar, do të jetë në fokus të vazhdueshëm të punës akademike të zyrës së Rektorit dhe Dekanes së Studentëve.
Pas zgjedhjeve të Dhjetorit, me formimin e qeverisë së re të përfaqësuesve studentë, në mënyrë që gjërat të ecin më mirë, sinergjia studentë-administratë është e domosdoshme.
Si një shtysë përfundimtare në drejtim të një gare ambicioze deri në fundin e saj, Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr Tonin Gjuraj, zhvilloi një takim me 8 kandidatët e shpallur në garën për postin e presidentit të Qeverisë Studentore.
Ai u shpreh se ka qenë në vijimësi të ndjekjes së procesit zgjedhor studentor përmes informimit të vazhdueshëm nga ana e Dekanes së Studentëve, Anisa Subashi, por edhe nga përfundimet e monitoruesve të KQZ-së që kanë instruktuar procesin nga fillimi në fund. Profesor Gjuraj tha me entuziazëm se ka vërejtur konkurrencë në këtë fazë të fundit të procesit, si pasojë e cilësisë së kandidatëve për president të Qeverisë Studentore.
“Ne si Rektorat jemi të barazlarguar në mbështetje nga të gjithë kandidatët. Ajo çfarë na intereson është që personi që do zgjidhet në atë përgjegjësi, të jetë i vetëdijshëm për pozicioin që merr dhe të vijojë të punojë fort që ta rrisë nivelin e qeverisjes studentore të UET. Ju do të na kërkoni fort, ne do t’ju krijojmë të gjitha hapësirat e nevojshme. Në fakt ne kemi nevojë për ndihmën tuaj në menaxhimin e burimeve njerëzore në këtë institucion të madh prej 4000 studentësh.” – u shpreh rektori.
“Sa i përket garës suaj, suksesi juaj do të mbështetet tek bashkëpunimi i frytshëm dhe konstruktiv që ju do të keni me studentët e tjerë të Qeverisë Studentore. Por bashkëpunim konstruktiv ju mund të keni edhe me njeri-tjetrin edhe pse jeni konkurrentë. Sigurisht që në fund vetëm një do të fitojë, por nëse të gjithë punojnë fort për të dhënë më të mirën, studenti apo studentja i zgjedhur do të jetë një primus inter pares i më të mirëve. Në fund fare, ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e UET të gjithë së bashku.”- vijoi ai.
Profesor Gjuraj u shpreh entuziast mbi kandidaturat nga vitet e para. Ai i vlerësoi ato si të guximshme dhe me përgjegjësi. “Shoh cilësi. Cilësia juaj e lartë, do të bëjë që gjithkush do të jetë bashkëpresident.”- tha ai.
Rektori, Tonin Gjuraj, dhe Dekania e Studentëve, Anisa Subashi, u bënë të qartë të rinjve kandidatë për drejtues të qeverisë studentore se studenti apo studentja e zgjedhur nga senati, do të jetë pjesë e pandarë e mendimit strategjik të Universitetit Europian të Tiranës. Një nga metodat më të mira që do të kryesojë bashkëpunimin mes Rektoratit, Administratës dhe Qeverisë Studentore do të jetë ajo e Design Thinking, si një nga risitë më të përparuara të universiteteve anglo-saksone dhe instituteve kërkimore më prestigjoze.
Nga Egon Loli