Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

UET 2015, ngjarjet më të rëndësishme që shënjuan jetën akademike

$
0
0

honoris causaOrganizimet më interesante të Universitetit Europian të Tiranës në vitin 2015, q ë nga “Honoris Causa” për De Biasin deri tek zgjedhja e Qeverisë Studentore nën asistencën e KQZ-së

Nga Egon Loli

Universiteti Europian i Tiranës është në mbyllje të një viti të suksesshëm kalendarik. Në 362 ditët e shkuara, UET është afirmuar edhe njëherë institucion lider në tregun arsimor shqiptar. UET në vitin e tij të nëntë akademik ka vazhduar të përcjellë në mënyrë konsekuente mësimdhënie cilësore, vizion akademik, seriozitet dhe përkushtim në ëndrrën e gjithsecilit që e ka zgjedhur për të ndërtuar të ardhmen e vet. Është e vështirë të njohësh gamën e gjerë të veprimtarisë së UET dhe të arrish të ndash prej saj aktivitetet më të rëndësishme. Ky është një nga treguesit e UET si një institucion arsimor i shumanshëm, mirëfilli me frymë liberale dhe orientimin karshi përvojave më të mira perëndimore.

Por cilat kanë qenë ato shtatë aktivitete që kanë shënjuar jetën akademike të Universitetit Europian të Tiranës për vitin 2015? Më poshtë po rendisim ato më pikantet.

  1. Klubi i Filozofisë “Bertrand Russell” zhvillon Anuarët e Filozofisë 2015, në Llogara

Thelbi i universitetit është kalitja e mendimit. Vetë dija ka nisur si habi ndaj fenomeneve të ndryshme shoqërore e natyrore mbi botën që rrethon njeriun. Andaj një universitet që nuk i kushton rëndësi mendimit filozofik do të ishte i mangët. Nën kujdesin e departamentit të Shkencave Sociale dhe profesor Klementin Miles, UET zhvillon prej 2 vitesh mbledhje të rregullta të Klubit të dashamirësve dhe studiuesve të Filozofisë. Ngjarja më e rëndësishme për vitin 2015 e mbledhjeve të rregullta të Klubit të Filozofisë prej tashmë dy vitesh, u shënua me Anuarët e Filozofisë, në Llogara, në datat 20, 21 dhe 22 mars. Nën frymën e filozofisë analitike, me filozofin e shquar anglez Russell si përfaqësuesin e kësaj rryme, Klubi i Filozofisë mblodhi në Llogara, lektorë të filozofisë në Shqipëri, studiues, lexues të saj, studentë dhe dashamirës të mendimit filozofik, madje edhe përtej UET. Gjatë tri ditëve të Anuarëve të Filozofisë referuan lektorë të njohur të Filozofisë në Shqipëri, si Ilir Shaqiri dhe Hysamedin Feraj. Nga Llogaraja, dashamirësit e filozofisë i bën thirrje Ministrisë së Arsimit për rifutjen e lëndës së filozofisë në gjimnaz, bërjen e saj provim bazë në maturë dhe lëndë të formimit të përgjithshëm të të gjitha kurrikulave të Bachelor-it.

  1. Klubi i Debatit, organizuar nga Fondacioni për Liri Ekonomike

Universiteti është zëri dhe fuqia e studentit. Nëse një universitet ka edukuar studentë me profil dinjitoz dhe me vokacion të qartë publik, ai e ka kryer detyrën e vetë kundrejt shoqërisë. Fondacioni për Liri Ekonomike në Bashkëpunim me Students for Liberty, një organizatë ndërkombëtare që promovon idetë liberale në Europë dhe SHBA, përmes organizimit të debatit studentor synojnë të fuqizojnë studentët në debat publik, në objektivitetin e argumenteve të tyre si dhe për të identifikuar ata të rinj që duan të kontribuojnë në shoqëri përmes vendimmarrjes, pas studimeve. Fituesit e debatit politiko-ekonomik mes universiteteve të Tiranës për vitin 2015 janë 4 studentë të UET: Anisa Gjini, Megi Ruka, Bekim Shehu dhe Egon Loli. Në kampionatin e debatit, zhvilluar prej fillimit të prillit deri në finalen e madhe të tij më 29 maj, morën pjesë gjithsej 24 grupe me studentë nga të gjitha universitetet e kryeqytetit, duke i dhënë garës jo vetëm seriozitet, por edhe konkurrencë e adrenalinë. Këtë vit, kampionati pati një risi cilësore. Nën mentorimin e drejtorit të FLE, Besart Kadia, debati u zhvillua në formatin e parlamentit britanik. Kjo, së pari solli strukturë më cilësore në ndërtimin e argumenteve. Së dyti, studentët pjesëmarrës në këtë format u bënë shembull për debatuesit e emisioneve politike nëpër studiot e televizioneve, duke demonstruar forcën e argumentit dhe jo atë të konfliktit. Finalja, e zhvilluar përballë auditorit dhe një jurie profesionistësh, shpalli fitues pa asnjë ekuivok idenë politike liberale të mbrojtur nga grupi i studentëve të UET. 

  1. UET zhvillon ceremoninë e diplomimit për të tria ciklet e studimit

Diplomimi është momenti i vjeljes së fryteve të përpjekjes disavjeçare për dije në auditorët universitarë. Në datën 16 korrik, Universiteti Europian i Tiranës mbajti ceremoninë madhështore të diplomimit për vitin akademik 2014-2015, për të tria ciklet e veta të studimit së bashku. 584 studentë morën diplomat në përfundim të studimeve të tyre: 206 studentë kurorëzuan me sukses nivelin Bachelor, 354 studentë Masterin dhe për herë të parë në UET, këtë vit u mbrojtën 24 doktoraturat e para. Shifrat e kalueshmërisë së niveleve të studimit nuk ishin të larta, duke u bërë ky një tregues për rigorozitetin akademik të universitetit. Vetëm ai që e meriton, e merr diplomën, dhe kjo ishte një tjetër arsye për të festuar pasditen e 16 korrikut.

Të diplomuar 2014-2015 në ciklin Bachelor, në total 206 studentë

Fakulteti Ekonomik, 104 studentë

Fakulteti Juridik, 42 studentë

Fakulteti i Shkencave Sociale, 60 studentë

Të diplomuar 2014-2015 në ciklin Master, në total 354 studentë

Shkenca Edukimi, 72 studentë

Fakulteti Ekonomik, 182 studentë

Fakulteti Juridik, 100 studentë

Të diplomuar 2014-2015 në ciklin Doktoraturë, në total 24 studentë

Fakulteti Ekonomik, 8 studentë

Fakulteti Juridik, 6 studentë

Fakulteti i Shkencave të Edukimit, 10 studentë

  1. Studentët e UET fitojnë bursa studimi nga Erasmus Mundus

Këshilli i Europës ka akorduar 150 bursa studimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet projektit të tij të mirënjohur Erasmus Mundus Sigma Agile (I njohur gjerësisht si Erasmus Plus). Nga 150 të tilla, 21 bursa janë akorduar për student, pedagogë dhe studiues nga Shqipëria. Universiteti Europian i Tiranës, për vitin 2015 ka fituar 13 bursa, pra më tepër se gjysmën e akorduar për të gjitha universitetet shqiptare. Ky projekt i Erasmus plus, drejtohet nga Universiteti i Varshavës dhe synon nxitjen, bashkëpunimin dhe lëvizshmërinë në fushën e arsimit të lartë mes vendeve të BE dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Universitetet partnere të UET në këtë program janë: University of Warsaw, Poland (koordinator), City University London, Humboldt University, Lappeenranta University of Technology, University of Milan, University Nova de Lisboa, University of Salzburg, University of Twente ITC, Pompeu Fabra University. Nga 13 bursat e fituara nga UET, 4 janë studentë Bachelor, 4 studentë Masteri, 3 studentë Doktorature, 1 nga stafi administrativ dhe 1 nga stafi akademik i UET.

  1. Shkollat dimërore, pranverore dhe verore UET

Në datat 26 shkurt-1 mars UET zhvilloi aktivitetin Shkolla Dimërore për maturantët. Në datat 30 prill – 2 maj 2015, UET zhvilloi shkollën pranverore në Dhërmi, tashmë kjo me një profil më të ngushtët, ideuar kundrejt studentëve dhe profesionistëve, me fokus, temën e lidershipit në vendimmarrje. Ndërsa në datat 29 qershor-4 korrik, në kompleksin “Xixa” në Durrës, UET zhvilloi, sërish me maturantët nga gjithë Shqipëria, “finalen” e trajnimeve parauniversitare, Shkollën Verore. Të tre këto aktivitete janë, pjesë e sensibilitetit dhe përgjegjësisë sociale që Universiteti Europian i Tiranës ndjen karshi shoqërisë shqiptare. Numri i madh i maturantëve të gjimnazeve të Shqipërisë, pjesëmarrës në këto trajnime, tregon interesin dhe dëshirën e lartë për dije. Fryma që pedagogët dhe mentorët e UET u japin të rinjve e të rejave, orientohet drejt asaj për të cilën shoqëria shqiptare ka nevojë në tërësi: figura e një lideri të vërtetë. Lider në fushën akademike, shoqërore dhe politike.

  1. UET u jep titujt “Doctor Honoris Causa” Gianni de Biasit dhe Gianni Bucquicchio-s

Sigurisht që edukimi i brezave të rinj është misioni i universitetit, por shembulli i të vjetërve është referenca për ta bërë këtë. Universiteti Europian i Tiranës ka hyrë në vitin e vetë të dhjetë akademik; edhe pse i ri, ka ditur tu njohë meritat e të vlerësojë vazhdimisht, personalitete të jetës akademike, politike dhe publike në Shqipëri. Në janar të vitit 2015, UET i dha titullin “Doctor Honoris Causa”, presidentit të Komisionit të Venecias, Gianni Bucquichio për kontributet e tij në afirmimin e parimeve të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri. Dhjetë muaj më vonë, në tetor, UET i dha po këtë titull, teknikut të skuadrës sonë kombëtare të futbollit, Gianni de Biassit, për kontributin e tij të pamohueshëm e të jashtëzakonshëm në kualifikimin e Shqipërisë, për herë të parë në historinë e vetë, në finalet e Kampionatit Europian të futbollit në Francë. Çfarë shembulli përfaqësojnë këta dy tituj për studentët e të rinjtë? i pari është manifestim i përpjekjeve të palëkundura në idealin e ndërtimit të shtetit të së drejtës. i dyti, fuqinë dhe suksesin që buron nga puna solidare dhe e koordinuar në skuadër.

  1. UET zhvillon zgjedhjet për qeverinë e studentëve me praninë e KQZ

Studentët, si një grupim interesi në mjedisin plural, kanë nevojë për përfaqësuesit e tyre në strukturat e vendimmarrjes së Universitetit Europian të Tiranës. Mirëpo, ata jo vetëm zgjodhën përfaqësuesit e tyre, por ata gjithashtu i dhanë politikës shqiptare, leksion demokracie. 97 studentë, nga të dyja ciklet e studimit, Bachelor dhe Master, garuan për të qenë në senatin e shkollës. Risia e këtyre zgjedhjeve studentore, ishte zhvillimi i tyre nën menaxhimin dhe monitorimin e KQZ. Në datat 14-15 dhjetor u zhvilluan seancat e trajnimit nga KQZ mbi mbarëvajtjen dhe administrimin e zgjedhjeve. Në datën 16 dhjetor pas një rrugëtimi të gjatë përzgjedhjeje, kandidatët shpallën idetë e tyre në një “mini-fushatë elektorale”. Në datën 17 dhjetor, UET mbajti procesin e votimeve ku studentët iu drejtuan kutive të votimit për të përzgjedhur përfaqësuesit e tyre në qeverinë studentore. Pjesëmarrja e KQZ-së i dha procesit frymë vërtet demokratike dhe paraqitje dinjitoze. A ishin demokratike zgjedhjet? Mjafton të themi që nga 38 kandidatët fitues, 19 ishin studente femra.

  1. UET-Alumni jep “Çmimin e Karrierës 2015”

Alumni-t janë imazhi i universitetit në tregun e punës dhe në shoqërinë e gjerë. Alumni-t janë frytet e vërteta dhe të prekshme të punës së institucionit universitar në edukimin e brezave të rinj. Me aq sa faktet flasin vetë, Alumni-t e UET po tregojnë se janë shembull suksesi profesional dhe akademik. Çmimi i Karrierës është vlerësimi që grupi Alumni u jep ish- studentëve për punët profesionale të fushës së tyre, pas përfundimit të studimeve. Në datën 29 tetor 2015, UET Alumni, ia dha çmimin e karrierës dizajnerit shqiptar të Kosovës, me famë ndërkombëtare, Agi Haxhimuratit. Ish studenti i UET në degën e dizajnit është autor i shumë veprave publike në Shqipëri dhe jashtë saj. Më e rëndësishmja, mund të përmendim punën e tij tek BUNK’ART.

Janë vetëm pak nga moria e aktiviteteve të vazhdueshme e të strukturuara që universiteti ofron ndaj studentëve dhe dashamirësve të dijes. Ndër këto mund të vazhdojmë të përmendim aktivitetet e klubeve të ndryshme studentore gjatë vitit, nga ato akademike deri tek grupimet sportive si për shembull, UET Fly Team apo “studentët fluturues”.

Ndoshta më pozitivja për perspektivën akademike të të gjithë studentëve shqiptarë, jo vetëm atyre të UET, ishte miratimi i Ligjit për Reformën në Arsimin e Lartë, nga Kuvendi i Shqipërisë, më 21 Korrik të këtij viti. Cilësia që sjell në vetvete ky ligj, do të zgjerojë më tepër hapësirat e jetës studentore në spektrin akademik, artistik, sportiv, politik dhe shoqëror.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180