Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Festat për një student: 7 ide për libra, filma dhe dhurata

$
0
0

group of teenagers in santa helper hats with clockFestat e fundvitit janë periudha më e “ëmbël” për studentët. Pas provimeve të ndërmjetme, ata do të kenë më shumë kohë për t’iu përkushtuar pasioneve të tyre. Dikush për të kaluar më shumë kohë me miqtë, dikush për të lexuar libra, apo të tjerë që do të zgjedhin të udhëtojnë në fshatrat turistike të Shqipërisë, apo do të përdorin paketat e fundvitit për të vizituar shtetet europiane. Mapo Studenti UET ju ofron një listë me libra, filma dhe dhurata, që mund t’i keni në konsideratë për t’i kaluar sa më bukur këto pushime

Nga Erjon Uka

Simboli i festave të fundvitit është babagjyshi i veshur me të kuqe, me mjekër të bardhë, që shpërndan dhuratat natën e ndërrimit të viteve nëpërmjet oxhakut. Por si ka lindur një legjendë e tillë? Në fakt, babagjyshi nuk është krejtësisht legjendë, pasi miti i ndërtuar rreth tij bazohet në një shenjtor që ka jetuar në shekullin e tretë, i quajtur Shën Nikolla. Dihet pak për Shën Nikollën dhe shumë nga historia e tij ka ardhur në formën e legjendave dhe gojëdhënave. Ajo që dihet e sigurt është se shenjtori ishte shumë bujar dhe njihej gjithandej për bërjen e dhuratave. Kjo ishte karakteristika që e ktheu në simbol të festave të fundvitit.

Ai trashëgoi një pasuri të madhe nga prindërit e tij, pjesën më të madhe të së cilës ua dhuroi njerëzve që kishin nevojë. Një ndër historitë më të bujshme ishte ajo e një plaku që nuk mund t’iu siguronte pajën tri vajzave të tij për t’u martuar. Duke qenë një natyrë modeste, sipas një varianti thuhet se Shën Nikolla shkoi në shtëpinë e plakut natën vonë dhe la aty tri qese me florinj. Një variant tjetër thotë se ai e bëri këtë bamirësi nëpërmjet oxhakut dhe nga kjo gojëdhënë ka lindur tradita e dhuratave të babagjyshit. Nuk ka fakte të sigurta për pamjen e tij, por nga pikturat dhe gojëdhënat kishte flokë dhe mjekër të bardhë. Shën Nikolla nderohet nga besimtarët katolikë dhe rreth 500 kisha në Britani e konsiderojnë atë si mbrojtësin e tyre.

Historia e Babagjyshit lidhet me festën e Krishtlindjes, që përkon me lindjen e Jezu Krishtit në 25 dhjetor, por për shkak të viteve të ateizmit në vendin tonë ai njihet si Babagjyshi i Vitit të Ri.

Për studentët kjo është periudha më e bukur e vitit. Ata tashmë kanë marrë pushimet nga universiteti dhe do të kenë kohë të lirë për të ndjekur pasionet e tyre gjatë ditëve të festave. Studentët nga rrethet e tjera do të kthehen në shtëpi për të kaluar ditët e pushimit, duke shijuar ushqimet tradicionale të mamave ose gjysheve. Shumë do të përfitojnë për të kaluar më shumë kohë me miqtë duke bërë edhe ndonjë udhëtim jashtë shtetit. Një pjesë ndoshta do t’ia kushtojë kohën librave artistikë, duke shijuar një çaj të ngrohtë pasdite në shtëpi, por nuk janë pak ata që do të zgjedhin të “harbohen” në diskotekat e qytetit nën ritmet e muzikës dhe shoqërinë e pijeve alkoolike. Fundja është kohë festash dhe çdo gjë është e lejuar. Por kujdes, në datën 4 janar rishihemi në universitet.

7 libra që mund t’i lexoni gjatë festave

Megjithëse zgjedhja e librave është shumë personale, duke u nisur nga shijet dhe stilet e preferuara, po japim disa zgjedhje për studentët që duan të lexojnë libra që përputhen me profilin e tyre të studimit, por edhe për ata që nuk duan të angazhohen shumë në lexim gjatë festave.

  1. “Krim ndëshkim” nga Dostojevski – historia e një studenti të varfër, Raskolnikovit, i cili zhvillon një teori sipas së cilës njerëzit e jashtëzakonshëm mund të kryejnë vrasje nëse kanë diçka me vlerë për t’i ofruar botës. Ai e kryen këtë krim duke vrarë një fajdexheshë të moshuar dhe motrën e saj. Pas këtij krimi, Raskolnikovi rëndohet psikologjikisht duke qëndruar në dhomë gjysmë i ndërgjegjshëm për disa ditë. Zigmund Freud ka thënë se shumë nga teoritë e tij mbi tipat psikologjikë i ka marrë pikërisht nga personazhet e autorit rus. Një kryevepër botërore për të gjithë, por që veçanërisht mund të fusë në mendime studentët e psikologjisë.
  2. “1984” nga George Orwell – pak e dinë se emri i programit të famshëm “Big Brother” (Vëllai i madh) vjen nga një prej veprave më të rëndësishme të autorit britanik, Orwell. Personazhi kryesor, Uinstoni jeton në Londër, pjesë e superfuqisë Oqeani që kontrollohet me dorë të hekur nga “Partia” me udhëheqje nga Vëllai i Madh. Ai punon në Ministrinë e së Vërtetës, ku manipulon arkivat. Gjithsesi guxon të mbajë ditar dhe të ketë lidhje dashurore me Xhulian. Pasi zbulohen këto “krime” që ka kryer, ndaj atij aplikohen tortura e për ta bindur se nëse “Partia” thotë që “dy plus dy bëjnë pesë, ashtu duhet të jetë”. Një libër argëtues që ndihmon studentët e shkencave politike për të kuptuar sistemet totalitare.
  3. “Ujku i stepës” nga Hermann Hesse – një intelektual i quajtur Herri Haller transferohet në një shtëpi me qira në një qytet që nuk i thuhet asnjëherë emri. I dëshpëruar dhe në melankoli, ai ndjehet i vetmuar si “ujk i stepave” në një botë që është e pakuptimtë për të dhe nuk i ofron asnjë gëzim. Romani tregon dhimbjen dhe ankthin e Herrit ndërsa kërkon të kalojë ndjenjën e paralizës dhe dëshpërimit që i ofron kotësia e njerëzimit. Një histori që përfundon në surealitet, ku Herri takon variantin e tij femër të quajtur Hermiona dhe ku bashkohen Gëte, Mozart dhe Beethoven. Ky është romani kryesor i autorit gjermano-zviceran, që u nderua me çmimin Nobel në vitin 1946.
  4. “Ide të gjalla nga ekonomistë të vdekur” nga Todd Buchholz – një libër i këndshëm për studentët e ekonomisë por edhe për të gjithë ata që duan të mësojnë nga kjo disiplinë. Autori sjell historinë e ekonomisë nëpërmjet teoricienëve të saj nga Adam Smith, David Ricardo, Marksi, Keynesi e deri të Milton Friedman. I shkruar në një gjuhë të kuptueshme për të gjithë, libri përmban jo vetëm teoritë më të rëndësishme ekonomike por edhe fakte interesante nga jeta e ekonomistëve dhe plot batuta që shoqërojnë “humorin ekonomik”. I sjellë në shqip nga Dr. Selami Xhepa, sipas Lewrence Summers, “nëse do të lexoni vetëm një libër ekonomie këtë vit, lexoni këtë”.
  5. “Ortaku” nga John Grisham – për studentët e juridikut, John Grisham sjell një kolanë të tërë me triller nga bota e drejtësisë. Romani “Ortaku”, i shkruar në vitin 1997, tregon historinë e Patrikut, dikur një ortak në një studio ligjore, i pasur dhe shumë i aftë profesionalisht, por që pasi vodhi 90 milionë dollarë nga studioja e tij mori arratinë, deri sa u kap në xhunglat braziliane. Dhe ndërsa kthehet në atdhe për të marrë pjesë në procesin gjyqësor ndaj tij, ai përgatit mbrojtjen duke pasur një informacion që askush nga akuzuesit nuk e di.
  6. “Problemi Spinoza” nga Irvin Yalom – keni pasion filozofinë, por shumë koncepte ju duken të ngatërruara dhe të vështira për t’i përvetësuar? Dr. Irvin Yalom sjell një libër mbi Spinozën, ku teoritë dhe vepra e tij janë të sqaruara në një “triller filozofik”. Kapitull pas kapitulli libri hidhet në vitet 1600, në kohën kur Spinoza u përjashtua nga komuniteti hebraik dhe më pas u vetizolua për të ndërtuar veprën e tij filozofike në vitet 1930, ku nazistët po përgatisnin Luftën e Dytë Botërore, ndërsa Alfred Rosenberg po hidhte bazat e teorive raciste dhe zhdukjes së hebrenjve.
  7. “Portreti i Dorian Greit” nga Oscar Wilde – tregon historinë e një djaloshi të bukur, që shet shpirtin e tij për rininë dhe bukurinë e përjetshme. Ky libër paraqet dehjen nga bukuria dhe suksesi, shitjen e shpirtit dhe korruptimin e moralit duke përfunduar me shkatërrimin e pritshëm. Në kohën e botimit, në vitin 1890, kjo histori e shpërbërjes morale shkaktoi një skandal dhe autorit iu desh të përballej edhe me disa procese gjyqësore.

10 filma që mund të shihni për festa

Një listë e shkurtër prej 10 filmash që do të përcjellin atmosferën e festave mbrëmjeve të pushimeve. Bashkë me të dhënat e filmit pasqyrohet edhe nota sipas IMBd, databazës më të madhe të filmave në internet

1.Home alone – Me regji nga Chris Columbus dhe aktorë Macaulay Culkin,Joe Pesci dhe Daniel Stern. Film i vitit 1990, nota 7,5/10.

2.Home alone 2: Lost in New York – Pas suksesit të filmit të parë, vjen pjesa e dytë nga Columbus, i realizuar në vitin 1992. Nota 6,6/10.

3.A Christmas Story – Me regji të Bob Clark, bazuar në librin e Jean Shepherd, u realizua në vitin 1983. Nota 8.1/10

4.I’ll be home for Christmas – Realizim i vitit 1998, me regji nga Arlene Sanford dhe me aktorët Jonathan Taylor Thomas, Jessica Biel dhe Adam LaVorgna. Nota 5,3/10.

5.A Christmas Carol – I bazuar në librin e Charles Dickens, filmi është realizuar në vitin 2009 nga regjisori Robert Zemeckis, me aktorët Jim Carrey, Gary Oldman dhe Colin Firth. Nota 6,8/10

6.Christmas Vacation – Drejtuar nga Jeremiah S. Chechik, tregon planet e familjes Griswold për të festuar Krishtlindjet, por që përfundojnë në katastrofë. Nota 7,6/10.

7.Elf – Një komedi Krishtlindjesh me aktorët Will Ferrell, James Caan e Bob Newhart dhe regji të Jon Favreau. Nota 6,9/10.

8.Bad Santa – I realizuar në vitin 2003, me regji të Terry Zwigoff, është një film komedi dhe “krim” për kohë festash. Nota 7,1/10.

9.How the Grinch Stole Christmas – Një ndër filmat më të ndjekur në kohë festash. Me regji nga Ron Howard dhe aktorët Jim Carrey dheTaylor Momsen. Nota 6,0/10.

10.Fred Claus – Fredi është vëllai i Babagjyshit që detyrohet të zhvendoset në Polin e Veriut, me interpretim tëVince Vaughn, Paul Giamatti dhe Elizabeth Banks. Nota 5,6/10.

5 dhurata të vlefshme për studentët

  1. Kindle – një dhuratë e çmuar për studentët. Tashmë që edhe në Shqipëri shumë shtëpi botuese po hedhin edhe variante elektronike të librave, një Kindle i lehtëson studentët nga mbajtja e librave. Ndryshe nga çdo ekran, ai ofron një pamje si të një flete libri që nuk i lodh sytë. Mund ta gjeni në dyqanet e Tiranës por edhe online, në Amazone ose Ebay.
  2. Karikues baterie portabël – ju ndodh që të dilni nga shtëpia në orën 8 dhe ktheheni në darkë vonë, ndërsa celulari nuk ka më bateri? Një karikues portabël baterie ju zgjidh shumë punë, pasi mund ta karikoni celularin pa pasur nevojë për prizë. Do ta përdorni celularin tuaj pa kursim kur jeni në udhëtim apo në lokal, pa qenë nevoja t’i “luteni” kamerierit për një prizë të lirë.
  3. Çantë – për studentët çanta është një mall konsumi i domosdoshëm, kështu që gjithmonë është e vlefshme. Vetëm duhet të siguroheni për ngjyrën dhe formën e preferuar.
  4. Chromecast – nëse nuk e gjeni në dyqanet e qytetit tuaj, mund ta porosisni në internet. Kushton rreth 30 dollarë dhe me anë të Chromecast mund të bëni lidhjen e celularit me televizorin duke shfaqur aty foto, video dhe të shihni çdo gjë nga celulari juaj.
  5. Një abonim në palestër – gjatë kohës së universitetit është e vështirë të qëndroni në formë. Por nëse studentëve iu dhurohet një abonim në palestër, është nxitje për të ushtruar jo vetëm mendjen në universitet, por edhe trupin.

Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180