Historia e djaloshit nga Durrësi, që ka përfaqësuar Italinë në Samitin e të rinjve europianë në Luksemburg
Rexhi Uka është 30 vjeç, por dhe pse akoma i ri, prej vitesh është përfshirë si kërkues shkencor në betejën kundër kancerit. Gjithashtu, ai është një i ri i angazhuar për politikat europiane ndaj të rinjve. Rexh Uka ka lindur në Durrës, ka pasur një fëmijëri të vështirë për shkak të një sëmundjeje të rëndë, por sot me të krenohen dy vende, Italia dhe vendi i origjinës, Shqipëria. Rexhi para disa javësh përfaqësoi Italinë në një nga takimet më të rëndësishme ndërkombëtare me “Reprasentative Young Leader”, në Samitin e udhëheqësve të rinj në Luksemburg. Në një intervistë për ATSH-në, ai tregon pasionet e tij, lidhjen me shkencën dhe planet për të ardhmen.
“Një motiv krenarie për vendet tona që shkojnë drejt integrimit”, shkruan ai, pasi u përzgjodh nga komisioni i Luksemburgut mes 5500 kandidaturave të të rinjve italianë. Samiti zhvillohej në të njëjtën kohë me atë të ministrave të Jashtëm të këtyre vendeve, mbi temën e punësimit të të rinjve. “Kemi punuar pa pushim, një javë. Po presim që propozimet tona të mirëpriten nga ministrat përkatës të Bashkimit Europian”, – shprehet Rexhi.
Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme për shqiptarin e dashuruar pas kërkimit shkencor, jeta e të cilit përveç Shqipërisë ka si stacione edhe Zvicrën, Italinë dhe SHBA-në. I pëlqen të lexojë, të shkruajë e të udhëtojë. “Deri tani kam parë 30 vende. Më pëlqen të shëtis akoma: të njoh kultura, histori, njerëz të ndryshëm”. Pastaj shton: “Jo, nuk humbas kohën e punës, e bëj nga koha e gjumit. Për fat të keq, fle vetëm 5 orë natën”.
I dashuruar me punën e tij kërkimore për sëmundjen e kancerit, ai shquhet edhe për idetë në fushën e sipërmarrjes, ide që janë vlerësuar në konkurrimet kombëtare e ndërkombëtare. Rexh Uka nuk di të ndalojë, sepse siç pohon vetë, “kush kënaqet me pak, vdes”. Megjithëse jeta e tij ka qenë dhe vazhdon të jetë e mbushur në çdo hap me sakrifica.
Fëmijëria si pacient
Prindërit e tij, Iliri dhe Neri, që të dy mësues, janë nisur drejt Italisë me një motopeshkatore në shtator të vitit 1991. Motivi i vetëm ishte shëndeti problematik i djalit të vetëm, Rexhit. Ata lanë në Durrës vajzën më të vogël, Adën, dhe bashkë me Rexhin 6-vjeçar u nisën drejt së panjohurës. Dr. Giovanni Neri, drejtor i spitalit të fëmijëve “Bambin Gesu” në Romë, ishte njohur, falë dajës së vogëlushit, me rastin gati të pashpresë të pacientit nga Durrësi, i cili vuante një sëmundje agresive në kockë. Pas spitaleve në atdhe, do të niste një tjetër kalvar i gjatë shumëvjeçar.
Sot, 24 vjet më vonë, Rexhi, që mban emrin e gjyshit të tij, Rexhep Uka, do ta kujtojë kështu pjesën më të vështirë të jetës së tij: “Fëmijëria ime nuk ishte e lumtur, përkundrazi. Prindërit e mi bënë një zgjedhje shumë të guximshme për të më shpëtuar, dhe ia dolën. Unë jam rritur nëpër spitale: aty kam njohur miqtë e parë, kam festuar ditëlindjet, aty kam mësuar italishten. Kujtoj çdo gjë me hollësi, – thotë i riu. – Kjo më bën ta shoh ndryshe botën sot”.
Familja e tij fillimisht vendoset në San Donato, një qytezë afër Romës. I ati, një nga këngëtarët e talentuar të viteve 1960 në Durrës, punon si murator për të mbajtur familjen. Njëlloj sakrifikon edhe e ëma, Nerimani, një nga mësueset e nderuara të fizikës në Durrës. Rreth tyre, njerëz të mirë, të cilët kur Rexhi ka shenjat e para të përmirësimit, iu ofrojnë të jetojnë dhe punojnë në Brescia, në veri të Italisë. Me familjen bashkohet edhe Ada e vogël, të cilën për disa vite e rritën gjyshërit në Durrës.
Pacienti bëhet shkencëtar
Rexhi mbërrin në moshën universitare me rezultate të shkëlqyera, por synimi i tij nuk është mjekësia. Studion Bioteknologji mjekësore në Universitetin e Studimeve në Padova, e po ashtu edhe në Institutin “Mario Negri” të Bergamos. I rritur mes mureve të spitalit, Rexhi nuk e urren atë. Por, sidoqoftë, bindet se po të bëhej mjek do të ishte përfshirë emocionalisht në këtë profesion.
“Unë jam një ‘mi laboratori’, një kërkues shkencor”, – shkruan ai.
E punësojnë shumë shpejt në Institutin Onkologjik të Venecias, ku i përkushtohet studimeve të kancerit. Ndërkaq, mbërrin një ofertë pune nga SHBA. Djaloshi nga Durrësi punon për një vit në Comprehensive Cancer Center, (Universiteti Shtetëror i Ohajos), në Kolumbus, ku i ofrojnë edhe doktoraturën PhD.
Por Rexhi ka plane të tjera. Nuk i pëlqen qyteti amerikan dhe vendos të konkurrojë për të fituar të drejtën e studimeve në Universitetin e Zyrihut. Fiton vendin e parë mes 13 mijë konkurrentëve dhe aktualisht frekuenton vitin e dytë të programit në Cancer Biology. Punon fort, por nuk heq dorë nga veprimtaritë sociale. Mban lidhjet me Italinë pranë, por vjen shpesh edhe në Durrës, në vendlindje. Beson në të ardhmen e Shqipërisë.
Në Itali fiton një çmim të rëndësishëm për idenë më të mirë të sipërmarrjes dhe përgatit një biznes pranë fushë së artit, ndërsa udhëheq në të njëjtën kohë një komunitet studentësh italianë, me të cilët organizon udhëtime në 6 vende të Evropës. Por ajo që i ka dhënë një impuls të ri jetës së Rexh Ukës ka qenë pjesëmarrja në Samitin e Luksemburgut. Ka qenë një sfidë e shumëfishtë për djaloshin shqiptar që përfaqëson Italinë, por që edhe në tavolinën e rrumbullakët të bisedimeve mes liderëve të rinj të Evropës dhe Azisë nuk harron të vendosë në gjoks shqiponjën e vendlindjes.
Gëzim Kabashi/ATSH