Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Vullnetarizmi dhe të rinjtë

$
0
0

foto opinioni fq 17Nga Xhoi Bare*

“Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, është një nga shprehjet më të gjetura të Nënë Terezës, të cilën e ka thënë gjatë një interviste që i është bërë, ku kanë vlerësuar punën e saj të palodhshme në shërbim të komunitetit. E me sa duket fjalët e saj janë dëgjuar më së miri nga të rinjtë, sidomos ata shqiptarë, të cilët dita-ditës angazhohen sa më shumë në organizime dhe projekte vullnetare. Në prag të festave të fundvitit, mund të themi se kemi shumë gjëra nëpër mend, kush do na vizitojë për festa, çfarë do blejmë si dhurata për të dashurit tanë, ku do festojmë, sa do harxhojmë, por janë këta të rinj që na kujtojnë neve me projektet që ndërmarrin se “sa dashamirës” tregohemi dhe “sa do t’i ndihmojmë” të tjerët.  Përtej angazhimeve të tyre të përditshme, leksioneve të gjata në auditorët e universiteteve dhe punëve që mund të kryejnë pas tyre, ata gjejnë mundësinë të ndihmojnë sa të munden komunitetin dhe shtresat e ndryshme në nevojë. Studentët e Universitetit Europian të Tiranës kanë startuar nismën “Bli një kalendar, dhuro një buzëqeshje”. Me anë të fondeve te fituara nga kjo nismë, ata do t’iu dhurojnë fëmijëve invalidë karrige me rrota apo mjetet e nevojshme për të cilat ata kanë nevojë, si dhe do të organizojnë disa aktivitete argëtuese ku do ketë animatorë për fëmijët. Projekte të ngjashme kanë ndërmarrë një numër i madh studentësh dhe organizatash rinore, të cilët kanë menduar që këtë vit të festojnë ndryshe, duke iu larguar monotonisë së klubeve dhe zhurmës së pafundme që ofron jeta e natës në këto ditë festash. Ata në këto ditë të bukura të fundvitit duan t’u ofrojnë sa më shumë dashuri dhe shpresë atyre që në këtë periudhë kanë më shumë nevojë. Shumë prej tyre do t’i kalojnë festat me fëmijët jetimë, duke festuar me ta dhe duke organizuar aktivitete për mbledhje dhuratash për ta; shumë të tjerë do të gatuajnë për njerëzit në nevojë, për ata që ushqimin  e kanë gjithmonë të pamjaftueshëm; të tjerë do punojnë në mensa për të varfrit dhe një pjesë tjetër me familjet e komunitetit rom. E bukura e këtyre organizimeve është që, pavarësisht shumë gjërave të ndryshme që mund të kenë këta të rinj, ideologjive politike, background-eve të ndryshme kulturore, fakulteteve të ndryshme etj., ata bashkohen me një qëllim të përbashkët, të dhurojnë dashuri dhe të ndihmojnë komunitetin. Ky është qëllimi kryesor i vullnetarizmit, të bësh mirë, të ndihmosh të tjerët, të zgjasësh dorën tek ata që kanë nevojë. Sepse fundja, të jesh vullnetar do të thotë të duash veten, të duash të tjerët dhe komunitetin, t’i kuptosh dhe t’i respektosh ata, duke qenë aty sa herë që ata kanë nevojë. Të jesh vullnetar do të thotë të jesh pjesë e një familjeje të madhe, një familjeje që do të ndryshojë jetën përgjithmonë. Në qoftë se mendoni se puna vullnetare nuk vlerësohet, mund t’ju them që edhe një buzëqeshje e vogël është një vlerësim i madh dhe buzëqeshja e qindra njerëzve është paga më e bukur që mund të marrësh nga një punë e bërë me dashuri. Mos harroni të bëni mirë, dhe mirë do të gjeni.

*Student në degën Marrëdhënie me Publikun-Komunikim, Universiteti Europian i Tiranës


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Trending Articles