Klubi Filozofik “Bertrand Russell” në bashkëpunim me UET do të zhvillojnë për të dytin vit radhazi debatin e hapur për rolin dhe rëndësinë e Filozofisë
Të apasionuarit pas filozofisë kanë një mundësi për të debatuar dhe për të ndarë idetë e tyre gjatë aktivitetit “Anuarët e Filozofisë”, i cili do të mbahet në muajt e parë të vitit që vjen, në Llogara.
Klubi Filozofik “Bertrand Russell”, i krijuar nga pedagogë dhe studentë të Universitetit Europian të Tiranës, ka hapur aplikimet për të interesuarit që duan të jenë pjesë e këtij “udhëtimi filozofik” që do të mbahet në një prej pikave më të bukura turistike të vendit, në Llogara, vitin që vjen.
Aktiviteti i një lloji unik mbahet për të dytin vit radhazi pas hapjes së siparit të kësaj tradite që nisi në mars 2015, ku morën pjesë studiues, praktikues të filozofisë, pedagogë dhe studentë në takimin 3-ditor. Tema e takimit të dytë është “Filozofia analitike dhe filozofia kontinentale.
A mund të kapërcehet diferenca mes tyre?” dhe ftesa është e hapur për të gjithë studiuesit, njerëzit publikë të apasionuar pas filozofisë si; gazetarë politikanë apo think-tank, si dhe për pedagogët e studentët.
Aplikimet për të interesuarit pranohen deri më datë 25 janar 2016 dhe duhet të aplikojnë duke dërguar një reflektim një deri në dy faqe mbi temën e aktivitetit dhe një CV në adresën: klementin.mile@uet.edu.al
Vitin që shkoi, në fund të takimit 3-ditor të pranishmit hartuan një kërkesë drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të tjera publike, ku kërkohej rikthimi i Filozofisë në shkollat e mesme, si dhe nxitja e mbështetja e degës së Filozofisë nëpër universitete.
Klubi i Filozofisë, i iniciuar dhe ngritur në UET, ka hapur dyert dhe për dashamirës të filozofisë jashtë mureve të këtij universiteti.
Ky klub ka marrë emrin e Bertrand Russell-it, i cili është simboli i Filozofisë Analitike. Ideja ka qenë prej disa vitesh mes kolegëve pedagogë në UET dhe më vonë është shtrirë jashtë mureve të këtij universiteti, duke ftuar studiues dhe praktikues të filozofisë që kanë gjetur një vend për të diskutuar e debatuar mbi idetë filozofike në këtë klub.
Me iniciativë të këtij Klubi, në 2015-ën u soll në shqip libri i Bertrand Russell, “Një përvijim i filozofisë”, me përkthim të Daut Gumenit dhe parathënie të Spartak Ngjelës.