Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Alda Abazaj, biznesi shqiptar ka sipërmarrësen më të re

$
0
0

ALDA FQ18Studentja e UET fiton konkursin “Femrat e reja si krijuese të punës” me projektin “Dhuro.com”, një shembull i mirë për profesionistet e reja

Të hapësh një biznes tëndin është një iniciativë e guximshme, kërkon ide, punë dhe sigurisht mbështetje financiare. Aq më e vështirë bëhet kjo për të rinjtë që janë akoma në bankat e shkollës. Por për Alda Abazajn, dëshira e saj do të bëhet realitet falë mbështetjes që do t’i japë shoqata e grave sipërmarrëse në Shqipëri. Alda Abazaj, studente e shkëlqyer e Universitetit Europian të Tiranës, në vitin e tretë për Financë-Bankë, është fituesja e konkursit “Femrat e reja si krijuese të punës” (Young Women as Job Creators). Ky konkurs u organizua nga Shoqata e Grave Profesioniste Afariste dhe Zejtare të Shqipërisë, themeluar nga Flutura Xhabija, në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës dhe Akademinë e Biznesit.

Konkursi u zhvillua në kuadër të një projekti  mbështetur nga një organizatë e gjerë ndërkombëtare mbi sipërmarrjen e grave, AFAEMME, shoqata e grave biznesmene në rajonin e Mesdheut. Duke ditur se sipërmarrja dhe biznesi vazhdon të mbeten një domen i meshkujve, ashtu siç shprehet Flutura Xhabija, ky konkurs kishte në fokus aftësimin specifik të vajzave për të ndërtuar vetë punën që gjeneron të ardhura. “Kemi kaluar në disa faza, – thotë Alda. – Në fazën e parë u formuan grupet me vajzat përzgjedhura. Më pas në fazën e dytë kemi kaluar në një trajnim për planin marketing dhe për mënyrën e menaxhimit dhe të financimit të biznesit. Duke qenë se shumica prej nesh në trajnim ishim të degëve të ekonomisë, patëm përparësinë që t’i përvetësonim lehtësisht këto module.”Në fakt, ky konkurs  është më shumë se të nisurit e një biznesi dhe kaq. Një biznes pa impaktin shoqëror  është askund. Alda, si fituese e konkursit të projektit, do të shkojë në Luksemburg, ku do të përfitojë trajnim profesional 3 mujor në disa nga universitetet e këtij vendi. Më pas ajo do të kthehet dhe me përvojën e saj të fituar do të trajnojë vajza dhe gra të tjera në Shqipëri që duan të bëhen sipërmarrëse. Ndërkohë, Dhuro.com do të ketë filluar të veprojë në tregun virtual të dhuratave. “Kauza ime nuk është vetëm për femrat, por më e gjerë. Në projektin tim kam një pjesë që u përket edhe artizanëve shqiptarë në përgjithësi. Kjo jo vetëm më sjell mua fitim, por më pëlqen ta quaj edhe si një formë të biznesit social. Këto lloj nismash të nevojshme ua sugjeroj të gjitha vajzave, studente apo jo qofshin. Jo thjesht arrin pavarësinë ekonomike aq të rëndësishme, por fillon të ndihesh e vetërealizuar si qenie njerëzore. Realizim ekonomik dhe human njëkohësisht kur kupton që ke ndikuar tek të tjerët për mirë.” – përfundon studentja ekselente e Financës.

 

Xhabija: Biznesi i shëndetshëm, shtyllë e shoqërisë

Presidentja e Shoqatës së Grave Profesioniste, Afariste e Zejtare të Shqipërisë, Flutura Xhabija shprehet se kemi nevojë për shembuj që burojnë nga konkurse të tilla: “Kam bindjen time që, në qoftë se do të ishte ekonomia e fortë, edhe politika do të ishte më e mirë dhe çdo politikë duhet të jetë në funksion të ekonomisë. Ne jemi shumë të kënaqur edhe si grup edhe si shoqatë që sot rrezatojmë me ide, dhe me një strategji shumë të qartë për zhvillim. Duam të impaktojmë  tek të tjerët që biznesi të jetë i qëndrueshëm, i trashëgueshëm, dhe të zgjerohet aty ku është e mundur. Dhe biznesi zgjerohet nëse ka strukturën mbështetëse, dhoma tregtie të forta, nëse ka institucione shtetërore të së drejtës dhe nëse ka edhe shoqata të tjera që bashkëpunojnë në grupe interesi”, thotë Xhabija për Mapo-n.

Ndërkohë për UET-in si bashkëpunëtor në këtë projekt është një mundësi për të aktivizuar studentët në punë praktike dhe për të zbuluar talentet e tyre në këtë fushë. Pedagogia Prof. Dr. Asoc. Ermira Qosja u shpreh se në konkursin e zhvilluar nga SHGPAZ në kuadër të projektit mesdhetar të AFAEMME, vajzat e UET-it ishin ndër studentet ekselente të degëve të tyre të studimit. “Në  muajin maj, studentet kanë qenë të ndara në rreth 12 grupe, duke qenë diku tek 50 vajza. Studentet e UET kanë qenë rreth 10 dhe kanë qenë nga ekselentet e fakultetit ekonomik në UET.  Disa prej këtyre kanë përfituar tashmë bursa studimi Erasmus jashtë vendit. Vajzat që ishin në konkursin e sipërmarrëseve të reja, ndërkohë vazhdojnë garën për bursën e studimit Erasmus”, – shprehet Qosja. Në fazën finale bënë prezantimet e tyre studentet; Alda Abazaj, studente e Financë- Bankë viti 3-të me idenë “Dhuro.com”; Enida Broca, dega Menaxhim -Biznes viti 3-të me idenë “Shëndet, Siguri, Shpejtësi”; Margarita Gjini, Financë Bankë, viti 3-të me idenë “Lido Coffe”, Anisa Gjini, Informatikë Ekonomike, viti i 3-të, me idenë “Si Era” dhe Kristela Bakalli, Financë- Bankë viti i 3-të, me idenë “Sweetwish, biznes ëmbëlsirash”.

 

“Dhuro.com”, pse u përzgjodh si ideja fituese

“Ideja ime ishte një website, – shpjegon Alda për Mapon. – Dhuro.com është një hapësirë virtuale ku çdokush që dëshiron të bëjë një dhuratë, por nuk ka ide rreth saj, mund të drejtohet aty për të krijuar një ide. Në fakt, tek Dhuro.com nuk blihet ndonjë gjë. Çdokush që dëshiron, pasi është qartësuar mbi dhuratën, mund të drejtohet tek bizneset me të cilat Dhuro.com është lidhur. Aty do të gjejë produktin me çmimin dhe informacionin e saktë. Gjithashtu, Dhuro.com do të jetë edhe një blog me ide të veçanta për lloje të ndryshme dhuratash si një ndihmë ndaj klientëve.”  Me pak fjalë, praktikisht puna e Aldës do të jetë marketing i produkteve të ndryshme që do të përzgjidhen si dhuratë nga njerëzit, përmes internetit. Po të ardhurat e Aldës si planifikohet të vijnë përmes kësaj ideje? E thjeshtë, ajo do të paguhet nga bizneset me të cilat do të bashkëpunojë, për informacionin dhe idetë që do të japë. “Të ardhurat e mia do të vijnë nga kompanitë, produktet e të cilave do të reklamoj”, – thotë ajo. Por edhe procesi i përzgjedhjes së produkteve ka specifikat e veta, Alda i ka paraprirë edhe kësaj. Ajo thotë që përzgjedhja e dhuratave do të jetë një lloj Brainstorming, një bashkëveprim mes ideve të Aldës, dëshirave dhe ideve të të interesuarve dhe mundësive të tyre financiare.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180