Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Leksioni i demokracisë që vjen nga të rinjtë

$
0
0

cover-Zgjidhet Qeveria Studentore UET

Nisja e fushatës me postera, slogane dhe ftesa në rrjetet sociale, bashkëpunimi me KQZ-në, votimi dhe më pas shpallja e fituesve. Si për ta plotësuar atmosferën e zgjedhjeve, trajnim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kuti votimi të ofruara nga KQZ-ja dhe një leksion i hapur me kryetaren e këtij institucioni, Lefterie Luzi.  Ishte kjo atmosfera që shoqëroi Universitetin Europian të Tiranës në këto javë të fundvitit në kuadër të zgjedhjeve studentore. 97 kandidatë nga cikli Bachelor dhe Master garuan për të qenë ata liderët e bashkëmoshatarëve të tyre. Qeveria Studentore UET u zgjodh dhe të rinjtë dhanë një leksion demokracie për politikën shqiptare; ndershmëri, garë, barazi gjinore dhe numërim korrekt i votave.

Nga Erjon Uka

Duke i besuar një shprehjeje që thotë “Lidershipi nuk është pozitë, por aksion”, studentët nisën herët fushatën për të zgjedhur liderët e ardhshëm mes tyre. Postera, slogane dhe shumë takime karakterizuan mjediset e UET-it këto javë të fundvitit. Këtë herë zgjedhjet studentore patën një frymë më gjithëpërfshirëse dhe u zhvilluan me profesionalizëm falë bashkëpunimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Duke i kushtuar rëndësi maksimale përfaqësimit të studentëve, Universiteti Europian i Tiranës u kujdes që edhe gjithë zinxhiri i proceseve nga shpallja e kandidatëve deri te numërimi i votave dhe përcaktimi i fituesve të zhvillohej sipas standardeve të kërkuara. Duke i parë zgjedhjet edhe si një formë edukimi të brezit të ri, si për kandidatët por edhe votuesit, u nis një bashkëpunim me KQZ, i cili tashmë do të kthehet një traditë.

Ishin plot 97 kandidatë nga tri fakultetet për çdo program studimit. Jo vetëm cikli Bachelor, por edhe ai Master do të jetë i përfaqësuar në Qeverinë Studentore me anë të senatorëve të sapozgjedhur. Nga 97 kandidatë, mbi gjysma e tyre ishin femra duke dhënë edhe një shembull për politikën e cila nuk po arrin dot nëpërmjet ligjeve kuotat e detyrueshme për përfaqësimin e grave. Gara të forta u zhvilluan mes kandidatëve të Financë-bankës në vitin e dytë, pasi ishin gjashtë grupe që zgjodhën përfaqësuesin e tyre. Gjithashtu, edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare u zhvillua një betejë e vërtetë pasi u “përplasën” tre kandidatë me potenciale të ndryshme si Klaudio Agolli, Xhoi Bare dhe Sergej Shehaj.

Një grup studentësh, ndër të cilët Xhoana Ndoci, Elson Frroku, Kristjana Qirici dhe Amalia Konomi, iu nënshtruan trajnimit për të qenë komisionerë gjatë ditës së votimit. Drejtoresha e Komisionit Zgjedhor të Trajnimit dhe Edukimit të Zgjedhësve, Ana Tenolli, u paraqiti studentëve komisionerë rëndësinë e procesit zgjedhor dhe se ai duhet të kryhet sipas të gjitha hapave të nevojshëm për t’u quajtur i ndershëm dhe demokratik. “Respektimi i ligjit dhe rregullave, transparenca, pavarësia dhe profesionalizmi duhet t’ju ndjekin në detyrën tuaj. Ju duhet të njihni mirë detyrat dhe të drejtat tuaja në mënyrë që të jeni garantues të procesit”, u shpreh zonja Tenolli përpara studentëve. Ndërsa Etleva Numani, Shefe e Trajnimeve pranë KQZ u shpjegoi praktikisht mënyrën se si do të veprohet me votimin në kutitë e fshehta, hedhjen e votave të kuti, paprekshmërinë e tyre deri në momentin e nisjes së numërimit dhe gjithashtu pajisjen me lista të sakta të grupeve që do të votojnë për të shmangur abuzimet. Këta studentë qëndruan deri në numërimin e votës së fundit për të garantuar legjitimitetin e procesit.

Në fund gara u përmbyll me “fair-play” ku humbësit duke respektuar zgjedhjen e studentëve uruan fituesit dhe shprehën dëshirën për të qenë gjithsesi mbështetje për studentët e grupeve të tyre. Pas këtyre zgjedhjeve, senatorët e rinj do të zgjedhin mes tyre Presidentin e Qeverisë Studentore, zv/Presidentin dhe Sekretarin e Përgjithshëm. Të sapozgjedhurit do të fillojnë nga puna për përmbushjen e detyrimeve sipas platformës që kanë paraqitur në fushatë. Këtë herë mund të themi se studentët me anë të këtyre zgjedhjeve i kanë ofruar një leksion të mirëfilltë demokracie politikës shqiptare.

 

lefterie luzi - foto fq 16Lefteri Luzi: Procesi duhet të vazhdojë edhe pas shpalljes së rezultateve

Kryetarja e KQZ-së, Lefteri Luzi ishte e ftuar ndryshe këtë herë në Universitetin Europian të Tiranës. Pas disa diskutimeve dhe takimeve të hapura që ka zhvilluar me studentë dhe pedagogë të universitetit në kuadrin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe atyre lokale, këtë herë erdhi për të monitoruar procesin zgjedhor të vetë studentëve. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përveçse do t’ju asistojë me bazën materiale do të bëjë edhe trajnimin e studentëve që do të kenë pozicionet e komisionerëve apo vëzhguesve. Ne do të bëjmë gjithçka që procesi të zhvillohet sipas të gjitha standardeve”, – tha zonja Luzi në fjalën drejtuar kandidatëve. “Jam shumë e lumtur që ka një numër kaq të madh kandidatësh pasi kjo dëshmon për besueshmërinë e këtij procesi dhe dëshirën e të rinjve për t’u përfshirë në gara të tilla. Unë personalisht do të interesohem për mbarëvajtjen e procesit, për rezultatet dhe fituesit. Është e rëndësishme që procesi të ketë vazhdimësi, pra mos të ndërpritet me shpalljen e rezultateve. Ju duhet të monitoroni punën e senatorëve të grupeve përkatëse duke parë nëse puna e tyre është në respekt të programit dhe a po i zbatojnë detyrimet e tyre”. Në fund ajo e vlerësoi këtë eksperiencë si shumë pozitive dhe shprehu dëshirën që edhe universitete të tjera të implementojnë këtë mënyrë votimi. 

Adrian Civici: Zgjedhjet studentore, një garantues i demokracisë nesër

Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti i UET, Prof. Dr. Adrian Civici shprehu mirënjohjen për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në asistimin e procesit zgjedhor në universitet. Ai theksoi rëndësinë e veçantë të proceseve zgjedhore, si në njësi të vogla e deri në nivelet qendrore. “Demokracia është një sistem i konsoliduar teorikisht, por në praktikë ka gjithmonë nevojë që të provohet zbatimi i saj. Zgjedhjet janë forma më e mirë për të garantuar demokracinë e brendshme të një institucioni. Unë përfitoj nga rasti të falenderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe zonjën Luzi që janë pjesë e këtij procesi, duke dhënë edhe një mesazh shumë të rëndësishëm për të rinjtë. Zgjedhjet në çdo instancë kanë rëndësinë e tyre dhe duhet të jenë të lira e të ndershme. Ne duhet të kultivojmë kulturën e tyre në njësi të vogla, siç është universiteti në këtë rast, që më pas ta gëzojmë këtë kulturë edhe në zgjedhjet qendrore apo lokale”, – u shpreh profesor Civici. Në vazhdim ai përshëndeti të gjithë kandidatët duke treguar rëndësinë e Qeverisë Studentore në mirëfunksionimin e universitetit.

Tonin Gjuraj: Studentët, gjithmonë pjesëmarrës në vendimmarrje

Përgjatë këtyre dy viteve të Qeverisë Studentore, rektori Gjuraj ka qenë prezent në takimet periodike që të zgjedhurit e studentëve kanë zhvilluar. Ai ka qenë i ftuar për të ndjekur takimet, por edhe gjithmonë i gatshëm për të zgjidhur problemet që vinin nga ana e studentëve. Prof. Dr. Tonin Gjuraj në ditën e prezantimit të kandidatëve tha se gjithmonë studentët kanë qenë pjesë e vendimmarrjes në Universitetin Europian të Tiranës për gjatë 10 viteve të funksionimit të tij, duke garantuar procese të hapura dhe transparente. Gjithashtu, ai vuri në dukje se numri i madh prej 97 kandidatësh është tregues i shkallës së lartë demokratike të këtyre zgjedhjeve. “Mbi 50% e kandidatëve janë femra dhe kjo nuk është arritur as me anë të ligjeve në këto vite të demokracisë në politikën shqiptare. Dua të ndaj me ju një eksperiencë nga Shtetet e Bashkuara, ku në vitin e 1995 pata rastin të shkoj atje për një konferencë. Ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte simulimi i situatave zgjedhore për fëmijët, duke filluar që nga kopshtet e deri në shkollën e mesme e më pas sigurisht në universitet. Në atë kohë, për ne kjo gjë ishte e paimagjinueshme, por ky edukim është një ndër shkaqet kryesore që sot politika amerikane nuk është konfliktuale”, – tha ndër të tjera rektori Gjuraj.

 

Eleni SinaNdër 10 kandidatë të Menaxhimit fiton Eleni Sina

Hera e parë që kandidon dhe arrin të triumfojë mbi 9 kandidatët e tjerë. Eleni Sina, studente e vitit të dytë në degën Menaxhim Biznes, tashmë është liderja e re e këtij grupi, megjithëse vetë nuk e pranon një epitet të tillë. “Fjala ‘lider’ nuk bën për mua. Lidership, për mua do të thotë një mike ose shoqe e re e menaxhimit. Pra, një mbështetje për të gjitha mikeshat ose miqtë e mi të rinj të menaxhimit”, – thotë ajo. Rolin e senatores e sheh si një sfidë të re përtej studimeve dhe gjithashtu nuk fsheh dëshirën për të qenë një ndër drejtueset e Qeverisë Studentore, pse jo edhe në rolin e presidentes. “Motivi për të qenë sa më afër studentëve dhe për të përmirësuar problemet që studentët mund të më kenë shtyrë të merrja pjesë në këto zgjedhje. Gara ishte shumë e vështirë, duke qenë se merrnin pjesë 10 kandidatë”. Përsa i përket objektivave që ka në rolin e ri që ka ndërmarrë, ato lidhen me përfaqësimin sa më të mirë të kolegëve të saj në çdo instancë të universitetit. “Pika ime kryesore është të jem sa më afër studentëve, duke iu zgjidhur atyre problemet që mund të kenë gjatë këtij viti akademik në çdo mbledhje apo takim që mund të kemi me drejtuesit e universitetit. Gjithashtu do të mundohem t’i ‘llastoj’, duke iu plotësuar çdo dëshirë brenda mundësive që do të kem”, – përfundon Eleni, duke shtuar se ka edhe disa propozime për qeverinë e re, të cilat do t’i zbulojë me kalimin e kohës. 

Arsonela RuciArsonela Ruçi, për herë të dytë fituese në zgjedhje

Për Arsonelën, ky është mandati i dytë si senatore duke gëzuar një eksperiencë dyvjeçare në Qeverinë Studentore si përfaqësuese e degës së Psikologjisë. “Ajo që më shtyu të kandidoja përsëri është përfaqësimi i grupit ku unë bëj pjesë, duke qenë kështu zëri i studentëve por edhe veshi i universitetit, sepse nëpërmjet nesh, universiteti merr informacionin rreth studentëve, çfarë ata mendojnë për universitetin, pritshmëritë dhe për problematikat që ata kanë rast pas rasti”. Ajo mendon se roli i senatorit në universitet po forcohet vit pas viti dhe të qenit përfaqësues i studentëve e ndihmon shumë në rritjen intelektuale.Roli i senatorit është një strukturë e rëndësishme në sistemet arsimore. Kohë pas kohe ai po fuqizohet shumë. Gjithmonë studentët po kërkojnë të përfshihen në të duke u bërë më shumë kërkues ndaj universitetit, të bindur për të drejtat e tyre dhe të aftë për t’i kërkuar ato. Gjithsesi, pjesëmarrja në qeverinë studentore nuk ka të bëjë vetëm me kërkesa dhe ankesa, por mbi të gjitha ajo synon rritjen tonë intelektuale, ka të bëjë me ndarje idesh, propozime, studime, projekte të ndryshme që UET i mbështet në logjistikë dhe organizim. Eksperienca e këtyre dy viteve le të them ka qenë një ‘shkollë’ më vete, sepse ka pasur rrahje mendimesh, përballje platformash dhe shpalosje vizionesh që mua më kanë ndihmuar të kem një mëndim më të pjekur dhe problematika të caktuara t’i shikoj me një sy tjetër. Një nga pikat kryesore të programit që do të zbatoj gjatë kohës si senatore është që studentët të jenë në sintoni të plotë bashkëpunimi dhe vlerësimi i kontributeve të gjithsecilit do të jetë guri i themelit i punës sime, pa harruar edhe gjithëpërfshirjen e studentëve në aktivitetet e ndryshme të qeverisë studentore dhe jo vetëm”, – thotë Arsonela.

Amantia BilbiliFinanca zgjedh Amantia Bilbilin

Ishin plot 96 studentë që votuan mes gjashtë kandidatëve për programin e studimit Financë-Bankë. Me mbi 50% të votave ishte Amantia Bilbili, që triumfoi në një garë të vështirë, por që në fund u kurorëzua me një fitore të thellë. Ajo shpreh mirënjohjen ndaj studentëve që i besuan këtë detyrë dhe njëkohësisht është e vetëdijshme për përgjegjësitë që ka. “Roli i Senatorit është një rol i vështirë, por edhe i bukur. I vështirë, pasi duhet të jesh gjithnjë në kontakt të vazhdueshëm me çdo lloj studenti dhe të përpiqesh të gjesh zgjidhjen optimale të problematikave të tyre dhe i bukur pasi arrin të fitosh dhe të përmirësosh aftësitë prej ‘lideri’. Për sa i përket synimeve të tjera, ende nuk jam e vendosur, nëse do vazhdoj për ‘poste’ edhe më të larta. Gjatë kohës që jam në senat, do përpiqem që të zgjidh çdo lloj problemi të departamentit tim, por gjithashtu do të mundohem që të zhvillohen sa më shumë aktivitete, workshop-e dhe praktika në lidhje me profilin e Financë-Bankës” thotë Amantia pas fitores në zgjedhje. Lidershipi për të realizohet nëpërmjet forcës së frymëzimit dhe bindjes së njerëzve. “Është tepër e vështirë për të gjetur një definicion për fjalën ‘Lidership’, pasi njerëz të ndryshëm, e shpjegojnë në mënyra të ndryshme. Për mua lidershipi është në vetvete një lloj arti, i cili përfshin aftësi dhe vlera, të cilat një lider e bëjnë më të veçantë në sytë e njerëzve. Është aftësia për të bindur, për të influencuar dhe inspiruar njerëzit, në lidhje me përmbushjen e objektivave që ti vetë ke ndërmarrë përsipër”, përfundon Amantia.

 

Lista e fituesve të Qeverisë Studentore 2015-2016                                                                                                                         

BACHELOR

Shkenca Politike

Grisilda Mata v.1

Ervis Hoxhaj  v.2

Julian Bendo v.3

Marrëdhënie Ndërkombëtare:

Vilma Beqa v.1

Xhoi Bare v.2

Kristi Progri  v.3

Psikologji                                                                                                           

Odela Preni v.1

Genci Gega v.2

Arsonela Ruçi v.3

Marrëdhënie me Publikun dhe Komunikim:

Rinold   Kaca v.1

Julian Cani v.2

Xhenis  Metushi  v.3

Komunikim Dizanj:                                                                        

Xhojgel Cota v.1

Kristi Tushi v.2

Soc-Antropologji :          

Mimoza Habilaj

Juridik:

Dea Llagani v.1

Arnold Molla v.2

Florjon  Xhani v.3

Informatikë-Ekonomike MB                                                                                                      

Eleni Karaj v.1

Markeljano Barjomaj v.2

Anisa Gjini v.3

Informatikë-Ekonomike

Andorel Ndoj v.1

Eduina  Avdulaj v.2

Irdi Mecaj v.3

Financë-Bankë

Amantia Bilbili v. 1

Eri Guce v.2

Menaxhim Biznesi:

Arta Feta v.1

Eleni Sina v.2

Enea Baholli v.3

MASTER :

Ornela  Lleshi

Gea Braha

Xhuljan Ferzaj

Griselda Abazaj

Bruno Lizaj

Andiola Dhembi

Ervin Pera

Elian  Hoxha

Resina   Pllaha


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180