Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Rikthehet Klubi i Filozofisë “Bertrand Russell” në UET

$
0
0

klubiÇdo të mërkurë në orën 18:00, dashamirësit e filozofisë mblidhen për të diskutuar në sallën Concilium të Universitetit Europian të Tiranës. Së shpejti, Klubi i Filozofisë do të ketë hapësirën e vet në sajtin virtual të universitetit, me lajmërimet e veta për mbledhjet e përjavshme dhe me ftesa për pjesëmarrje edhe përtej UET.

“Dija pa mençuri është e verbër dhe krijon mostra”, – ka thënë dikur filozofi anglez, Simon Critchley; ndërkohë që nga ana tjetër, “edhe mençuria pa dije është boshe dhe krijon lunatikë”, – plotëson mendimin profesori i Filozofisë në Universitetin Europian të Tiranës dhe njëkohësisht mentori i Klubit të Filozofisë “Russell”, Klementin Mile – “Për  t’i shpëtuar njërës apo tjetrës, ne kemi nevojë të kombinojmë mençurinë me dijen apo thënë ndryshe, filozofinë me shkencën”.

2015-2016 është i treti vit akademik radhazi, në të cilin Klubi i Filozofisë “Russell” merr formë dhe organizim në mjediset akademike të UET. Pjesëmarrja në të është e lirë për të gjithë ata që të menduarit në mënyrë filozofike e kanë pasion, studentë apo pedagogë qofshin, brenda apo jashtë UET. Në Klubin e Filozofisë, nuk ka tabu, nuk ka censurë të mendimit, nuk ka sakrilegj apo apostazi. Në Klubin e Filozofisë ka vetëm metodë të mendimit filozofik mbi botën dhe dukuritë që na rrethojnë përditë. Klubi i Filozofisë “Bertrand Russell”, megjithëse i iniciuar dhe orientuar nën frymën e filozofisë analitike, qëndron i hapur akademikisht ndaj të gjitha rrymave të mendimit, njësoj si vetë UET.

Ne javën e tij të parë, u diskutua metoda Karteziane e dijes. Në javën e dytë, problemi i etikës së Spinozës mori vëmendjen e gjerë të dashamirësve të filozofisë, ndërsa java e tretë, nxitur nga dhuna e pashembullt e terrorit në Paris, iu përkushtua çështjes së dhunës dhe legjitimitetit të saj bazuar në punimin e filozofit gjerman të Shkollës së Frankfurtit, Walter Benjamin. Javët në vazhdim presin tema gjithnjë e më interesante mendimi e diskutimi filozofik.

Duke e konsideruar Klubin e Filozofisë “Bertrand Russell “ si një proces diskutimi, synohet që të arrihet në formulimin e një qëndrimi konkret dhe të qartë për ridimensionimin e filozofisë edhe në politikat qeveritare.

Egon Loli


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180