I riu nga komuniteti rom, që ka përfunduar studimet në Universitetin Europian të Tiranës duke përfituar nga bursat sociale
Nga Erjon Uka
Studimet paraqesin një fazë të vështirë të jetës dhe aq më tepër për ata persona që u përkasin minoriteteve. Jemi të vetëdijshëm që në vendin tonë, shumë pjesëtarë të minoriteteve e kanë të vështirë integrimin në shoqëri, për shkak të paragjykimeve dhe vështirësive personale që mund të jenë ekonomike ose kulturore. Por një gjë e tillë nuk vlen për të gjithë dhe rasti i Emiliano Aliut e dëshmon më së miri këtë fakt. Pjesë e komunitetit rom, Emiliano ka mbaruar dy ciklet e studimit në Universitetin Europian të Tiranës dhe është i angazhuar periodikisht në projekte ndërkombëtare dhe shoqërinë civile. Me pasionin e tij për drejtësinë, Emiliano ka përfituar nga bursat sociale në UET dhe sot përfaqëson shembullin e suksesit se si një i ri arrin të shfrytëzojë mundësitë që i jepen dhe me njohuritë që ka, të kontribuojë për zgjidhjen e problemeve të komunitetit të vet. “Ëndrra ime gjithmonë kanë qenë studimet juridike. Ndjenja e brendshme ka qenë ligji si dëshirë për të vendosur drejtësi. Një drejtues i një organizate civile rome më njohu me një nga drejtuesit e Universitetit Europian të Tiranës në atë kohë, Ermal Hasimen, i cili më dha goxha premisa të mira dhe më shpjegoi qëllimin e bursës. Ajo konsistonte në faktin që, personi i cili e përfiton, të ndihmojë në të ardhmen komunitetin e tij. I premtova se koha do ta tregojë se kush jam dhe çfarë do të bëhem, dhe besoj se kam arritur t’ia shpërblej UET-it atë besim që më dha”.
Pas përfundimit të studimeve Bachelor, Emiliano duke parë të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Europian, gjykoi të nevojshme përgatitjen e personave ekspertë në njohjen e ligjeve dhe të drejtave brenda një organizmi të tillë. Nisur nga kjo, ai zgjodhi të profilizohej në degën “E drejtë ndërkombëtare dhe europiane” si një mundësi për t’i shërbyer edhe komunitetit të tij jo vetëm brenda vendit, por në një të ardhme të afërt edhe në arenën europiane. Pas një eksperience pesëvjeçare në UET, ai shprehet se “dua të hedh poshtë idenë se universiteti privat është vetëm për të pasurit, pasi rasti im konfirmon që ka mbështetur me një numër të madh bursash këdo që ka pasur talent ose ka treguar që vlen. Për mua, mësimdhënia në universitetin privat është më e mirë se në shtetëror. Kanë qenë profesorë të mëdhenj që më kanë dhënë mësim, si Xhezair Zaganjori, Ksenofon Krisafi, Çlirim Gjata, Migena Leskoviku, por edhe të rinj si Erjona Canaj, që është profesoresha ime e zemrës, pasi më ka mbështetur në të dyja diplomat. Kemi bërë edhe një artikull bashkë për revistën shkencore Economicus me titull ‘Ndërmjetësimi tregtar’.
Menjëherë pas përfundimit të ciklit Bachelor, Emiliano u bë pjesë e një projekti nga OSBE-ja, të quajtur “Young Roma Professions”. Në këtë projekt ai jo vetëm ka pasur mundësinë të përfitojë shumë njohuri të reja, por edhe ka hartuar gjashtë plane lokale për gjashtë zona të ndryshme. Këto plane synonin të ndihmonin bashkitë ku kishte përqendrim të komuniteteve rome dhe egjiptiane, duke ndihmuar në bazë të nevojave të komunitetit dhe mundësive buxhetore të donatorëve. “Kemi operuar në disa projekte direkte në ndihmë të komunitetit, si për shembull amortizimi i rrugës në Lushnjë, mungesa e ujit në Gjirokastër etj. Qëllimi i projektit ishte që profesionistët e rinj romë të ambientoheshin duke punuar në organizata ndërkombëtare, siç është OSBE-ja, dhe të ndihmonim komunitetin tonë. Ne gjithashtu kemi krijuar edhe një rrjet për Ballkanin Perëndimor, pasi shkëmbejmë eksperiencat tona”, – sqaron më tej Emiliano.
Eksperiencën pranë Avokatit të Popullit për rreth një vit e gjysmë e vlerëson shumë, pasi ka pasur kontakte direkte me komunitetin rom në terren dhe ka ndihmuar në zgjidhjen e shumë problemeve. Ai shprehet se zbritja në terren dhe komunikimi në gjuhën rome me banorët ishte çelësi për të kuptuar realisht problemet e tyre. “Kur ke një person që i përket komunitetit dhe njeh problematikat, shprehesh lirshëm dhe thua ato që vërtetë të shqetësojnë, pasi jo në pak raste ata mbrohen dhe ndërtojnë një barrierë kur shohin dikë që nuk i përket komunitetit. Ankesat pranë avokatit të popullit u rritën me rreth 80% ndërkohë që mbaja edhe lidhje me romët në shumë zona të vendit.”
Në të njëjtën kohë Emiliano punoi për të bashkuar në një zë organizatat rome që operojnë në Shqipëri. Me shumë mund u arrit të bashkoheshin 14 organizata duke krijuar “Konfederatën e Romëve të Shqipërisë” dhe Emiliano u angazhua vetë në plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm juridik, hartimin e statutit dhe instrumenteve të brendshme. Gjithsesi ai shprehet se duhet ende kohë dhe punë që shoqëria civile mos të shohë vetëm vizionin e projekteve por lobimin dhe aplikimin e zërit të përbashkët.
Aktualisht Emiliano Aliu është drejtues i programit në projektin “Roma Veritas”. Ashtu si shprehet edhe vetë, “ky projekt ndihmon studentët me leksione private për të rritur nivelin mesatar të një lënde të caktuar me trajnime për atë që studenti ka nevojë për t’u profilizuar në degën e tij. Gjithashtu ofrojmë mësime të anglishtes, të informatikës dhe të gjuhës rome me qëllim që të rritet ndërgjegjësimi, sepse shumë nga studentët e kanë humbur gjuhën pasi kanë frikë se duke folur romisht do të diskriminohen dhe paragjykohen. Kjo është shumë e dëmshme pasi çon në humbjen e identitetit dhe kulturës. Ka qenë qëllimi që t’i ndihmoja të rinjtë, ashtu si UET më ka ndihmuar mua duke më hapur një dritare.” Në të njëjtën kohë ai nuk ka humbur kontaktet me komunitetin e tij, pasi ofron këshilla juridike për këdo që ka mungesë informacioni lidhur me problematikat e ndryshme.
Në fund, Emiliano ka një mesazh edhe për studentët e tjerë të minoriteteve duke i nxitur që ta shohin studimin si “armën” me të cilën do të bëjnë përpara në jetë. “Unë jam diskriminuar që i vogël por kurrë nuk e kam pranuar këtë fakt, pasi jam munduar të bëhem pjesë e shoqërisë me anë të inteligjencës dhe jo me anë të personit fizik apo me anë të parave. Të studiosh do të thotë të investosh. Këshilla që u jap studentëve është që përveç sakrificës, duhet të kenë vullnet dhe dëshirë për të studiuar”.