Në debatet e shumta mbi faktorët që ndikuan në krizën ekonomike botërore, ulja e investimeve në sektorin e arsimit shihet si një prej tyre, ndaj të cilit, nëse do të ishin aplikuar masa të kundërta, do të ishte krijuar mundësia për ta shmangur krizën
Nga Inva Hasanaliaj*
Arsimi mund të konsiderohet pa frikë si një nga shtyllat më të rëndësishme mbi të cilat mbështetet zhvillimi i një shoqërie. Kjo jo vetëm për faktin se plotëson një prej kushteve bazë të një shoqërie të shëndetshme, siç janë individët e edukuar, por edhe sepse vazhdimisht gjeneron potenciale të reja idesh, projektesh të cilat përkthehen në rezultate konkrete duke e çuar vendin përpara. Si i tillë, në shumë prej vendeve më të zhvilluara të botës, arsimi jo vetëm që konsiderohet si katalizator i këtyre zhvillimeve, por investimet që bëhen për të, zënë një përqindje të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Madje, në debatet e shumta mbi faktorët që ndikuan në krizën ekonomike botërore, ulja e investimeve në këtë sektor shihet si një prej tyre, ndaj të cilit, nëse do të ishin aplikuar masa të kundërta, do të ishte krijuar mundësia për ta shmangur krizën. Pra, ajo që duhet të kuptojmë është se investimet në arsim nuk janë thjesht përmirësime të kushteve fizike, por investime në cilësinë e stafeve akademike dhe zhvillimin e kërkimeve shkencore.
Reforma e re arsimore, tashmë i jep një kuptim dhe një “fytyrë” të re arsimit, duke mos e parë si makineri që thjesht përpunon diploma, por që investon, kërkon dhe bashkëpunon në procesin e zhvillimit të vendit. Zakonisht, ndoshta për inerci të sistemit të kaluar botëkuptimor, një pjesë e madhe e shqiptarëve janë mësuar ta shohin arsimin si një sektor i cili jep vazhdimisht, por asnjëherë nuk merr. Pikërisht është koha të fillojmë të kuptojmë se në fakt, duhet të ndodhë e kundërta. Për të mos u gjendur në këtë situatë ku jemi sot, duhej të investohej fuqishëm sepse logjikisht, një investim i zgjuar në këtë drejtim do t’i kthehej shoqërisë sa dyfishi i investimeve fillestare. Nga ana tjetër, kjo reformë, jo vetëm që do të shërbejë si një rregullues i tregut, por do të vijë në ndihmë të studentëve duke sjellë konkurrencën. Të gjithë jemi më se të vetëdijshëm se mungesa e konkurrencës ka qenë dhe vazhdon të mbetet një prej shqetësimeve kryesore të atyre që kërkojnë meritokracinë, duke bërë që shpeshherë, shumë diploma të pamerituara, të pengojnë studentët cilësorë të sigurojnë punë në profilin e tyre. Kjo reformë nuk na orienton më drejt sasisë, por drejt cilësisë, gjë që në fakt kërkon një investim dhe impenjim më të madh e që sistemi aktual shtetëror universitar as që e siguron. Si një vend postkomunist, të nxitur edhe nga dëshirat e prindërve për të pasur një diplomë, shumica e të rinjve janë diplomuar jo duke kuptuar rëndësinë e të qenit i arsimuar, por më shumë për të pasur një “karton me vulë universitare”. Konkurrenca nxit jetën akademike dhe i bën studentët të kuptojnë rëndësinë e arsimimit. Në mendimin tim, reforma mund të lërë hapësira për t’u rishikuar në disa pjesë, ama, ajo që është e rëndësishme për të gjithë ne si shoqëri është se ne kemi më shumë se kurrë nevojë për një shtysë të institucionalizuar drejt cilësisë dhe reforma e arsimit të lartë është pikërisht e duhura. Kjo është një reformë, e cila duhet të na bashkonte për hir të së ardhmes sonë e jo të na ndante, herë nga mungesa e informacioneve dhe dijes mbi reformat liberale, dhe herë të tjera për shkak të interesave politike.
*Studente e MPK-së në UET