Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Karriera nis nga këshillimi akademik

$
0
0

foto kryesore coverSi mund të ndërtojë karrierën studenti që në universitet. Intervistë me Dr. Ina Zhupë, drejtuese e Qendrës së Këshillimit Akademik në UET.

Nga Erjon Uka

Karriera profesionale nuk nis me diplomimin dhe gjetjen e punës së parë, ajo nis që në bankat e Universitetit. Për një karrierë të ardhshme të suksesshme duhet të marrësh dhe këshillat e duhura, duke nisur që nga zgjedhja e degës që të përshtatet me prirjet, zgjedhja e lëndëve apo literaturës dhe aftësimi dhe përgatitja për të dalë në tregun e punës. Në këtë kuadër këshillimi akademik është një pjesë e rëndësishme e uniersitetit për studentët. Universitetet më me zë në botë kanë zyrat e posaçme ku ofrohet shërbim konsulence falas për studentët për çdo problem që ata kanë gjatë frekuentimit të shkollës por dhe ndjekja e tyre deri në daljen në tregun e punës. Këshillim karriere është një shërbim që në gjithë botën e ofro studio të posaçme konsulence. Në Universitetin Europian të Tiranës ky këshillim ka qenë gjithmonë i pranishëm, por këtë vit ai është institucionalizuar me ngritjen e Qendrës së Këshillimit Akademik. Qendra është ngritur me nismën e disa pedagogëve dhe studentevë dhe drejtohet nga Dr. Ina Zhupa. Kjo qendër ofron këshillim cilësor akademik studentëve të universitetit. Këshillimi akademik është një proces në funksion të studentëve, për të sqaruar çdo paqartësi ose për të trajtuar çdo vështirësi që mund të haset nga studenti për shlyerjen e detyrimeve në lëndët që ai frekuenton. Ky shërbim ofrohet për studentët e të dy cikleve të studimit BA dhe MA. Qendra ka si qëllim që studentët që marrin këtë shërbim të:Të zhvillojnë profilin e tyre si student të aftë ,të  rrisin shanset e tyre për rezultate më të larta akademike, të përgatisin profilin e tyre gjatë studimeve në një mënyrë sa më tërheqëse për tregun e punës nesër dhe të mundësohen të kenë informacion sa më të plotë për të bërë zgjedhjet e duhura si student.

 

foto ina zhupaFlet Dr. Ina Zhupa, Drejtuese e Qendrës së Këshillimit Akademik në UET: “Këshillimi synon të ndërtojë karrierën e studentit që në universitet”

Dr. Ina Zhupa, pedagoge këshilluese dhe njëkohësisht drejtuese e qendrës, shpjegon rolin e kësaj qendre në ndihmë të studentëve duke filluar që nga zgjedhja e lëndëve e deri te mbështetja për ndërtimin e një CV-je të suksesshme që në auditor. Përveç pedagogëve, në procesin e këshillimit akademik janë përfshirë edhe dy studente ekselente të cilat si modele suksesi orientojnë bashkëmoshatarët e tyre.

Çfarë është Qendra e Këshillimit Akademik, si funksionon dhe përse është e vlefshme një qendër e tillë për studentët?

Qendra e Këshillimit Akademik është krijuar me qëllimin për të lehtësuar studentët në gjithë procesin akademik, pra thelbësisht për procesin mësimor. Ndihma konsiston në njohjen e studentëve me detyrimet e tyre, me zgjidhjen e problemeve që mund të kenë me lëndë të caktuara, me njohjen e përmbajtjes së lëndëve dhe zgjedhjen e tyre gjatë vitit akademik. Qendra ka në përbërjen e saj pesë pedagogë nga tre fakultetet të cilët mundohen që këshillimin ta japin sipas fakulteteve përkatëse dhe dy studente ekselente për secilin cikël. Përkatësisht pedagogët janë të ndarë dy për fakultetin ekonomik, Dr.Teuta Xhindi dhe Dokt.Elona Shehu, dy pedagogë mbulojnë fakultetin juridik, Dr.Aldo Shkëmbi dhe Dokt.Andi Duraj ndërsa pjesën e fakultetit të Shkencave Sociale e mbuloj unë që njëkohësisht jam edhe drejtuese e qendrës. Përsa i përket dy studenteve, Alda Abazaj është këshilluese për ciklin Bachelor ndërsa Enela Topulli për atë Master. Të dyja kanë mundësi që nga eksperienca e tyre dhe fakti që kanë qenë të suksesshme të jenë një model për studentët e tjerë. Qendra e Këshillimit Akademik është hapur në shtator dhe funksionet e para i ka kryer në lidhje me provimet e vjeshtës dhe në zgjedhjet e lëndëve për vitin e dytë dhe të tretë. Sigurisht që këto funksione kanë qenë të lidhura edhe me kohën kur është hapur, pra me sezonin e vjeshtës. Pyetjet më të shpeshta konsistonin në zgjedhjet e lëndëve për të plotësuar kreditet, numrin e lëndëve që u lejoheshin për të përmirësuar dhe shumë informacione të tjera të kësaj natyre. Gjithashtu, përsa i përket zgjedhjes së lëndëve, ne u japim informacion se çfarë përmban lënda në brendësi me qëllim që studentët të mos bëjnë zgjedhjen e lëndës nisur nga aparenca e pedagogut apo titulli i lëndës por nga materiali që ajo trajton duke bërë lidhjen edhe me synimet e tyre për studimet e ciklit master.

Cilat janë fushat që kjo qendër do të operojë në të ardhmen?

Sigurisht që synimi i kësaj qendre nuk mund të jetë kaq i vogël në kuptimin e një këshillimi të thjeshtë për lëndët apo përmbajtjet e tyre. Qendra synon që të bëhet një pikë referimi për studentët përsa i përket zhvillimit të karrierës së tyre. Ne e konceptojmë karrierën jo si një fazë që nis në momentin që diplomohesh, por si një pjesë që duhet filluar që në universitet. Të gjithë e dimë që ekziston paradoksi që kur del nga universiteti studentëve u kërkohet eksperiencë pune. Duke analizuar mundësitë se si t’ua ofrojmë studentëve këtë mundësi për të ndërtuar një CV që në universitet, menduam krijimin e kësaj qendre. Studentët mund të marin pjesë në intershipe, summer-school, konferenca shkencore ku ndihmojnë në pjesën e organizimit apo mund të jenë ndihmë në kërkimet apo projektet që universiteti dhe Qendra UET kanë. Duke u dhënë studentëve informacionin lidhur me këto mundësi ata kanë shansin që çdo eksperiencë ta shënojnë në CV-në e tyre. Pra, synimi kryesor i qendrës nuk është thjesht ndihma për të kaluar nga një lëndë në tjetrën, por t’i ndihmojë që ata të fillojnë ta mendojnë se si do ta projektojnë veten në të ardhmen. Së bashku me klubet studentore që kujdesen për aktivitetet dhe socializimin e jetës studentore, zyrës së Alumnit që ka në fokus studentët e diplomuar dhe tashmë Qendrën e Këshillimit Akademik formohet një puzzle ku studentët sipas nevojave të tyre të kenë një pikë referimi. Jo pa qëllim janë zgjedhur pedagogë që kanë një afrimitet me studentët, pasi janë të rinj në moshë por me shumë eksperiencë në mësimdhënie dhe njohin shumë mirë mënyrën e funksionimit të hallkave në mjediset e Universitetit Europian. E gjithë kjo krijon një klimë të mirë bashkëpunimi.

Qendra ka jo më shumë se dy muaj që po funksionon, por si shihet ecuria e saj deri në këtë pikë?

Sigurisht që studentët kishin mungesë informacioni pasi qendra u hap vetëm në këtë vjeshtë, por me shpërndarjen e posterave, me e-maile dhe njoftime në rrjetet sociale filluan të afroheshin. Studentët që kanë ardhur deri tani kanë qenë më shumë studentë “problematikë”, në kuptimin që kishin lënë shumë provime për vjeshtë apo nuk kishin plotësuar numrin e krediteve, ndërkohë që qendra nuk është krijuar vetëm për ata. Ata kanë ardhur sepse kanë pasur nevoja imediate dhe po e tillë ka qenë edhe përgjigja e qendrës. Tani me kalimin e ditëve ne na kanë ardhur studentë shumë të mirë që janë të interesuar për kurse, për njohjen e projekteve të UET në lidhje me shkëmbime studentore, pra me diçka që është shumë më cilësore sesa kalimi ose zgjedhje e lëndëve. Ajo që më bie në sy në fakt ne kemi dy vajza që janë këshilluese dhe shumica e studentëve që kanë ardhur kanë qenë djem. Ky fakt është interesant pasi mendohet që djemtë janë më pak të interesuar për shkollën, por mesa duket ky trend po ndryshon.

Ndoshta nuk kemi përmendur informacionin më të rëndësishëm. Si mund t’ju kontaktojnë studentët?

Ne kemi një zyrë që është në hollin e godinës B, në katin e parë. Zyra është konceptuar që të jetë për studentët pasi aty veprojnë edhe klubet studentore dhe Qeveria Studentore. Ne mund të na gjejnë nga e hëna në të premte, në orarin 11:00 – 14:00. Në këtë orar në zyrë është një pedagog sipas ditëve dhe një nga studentet këshilluese të Qendrës së Këshillimit Akademik. Ne mbajmë shënim çdo gjë që ndodh duke pasur një database me të dhëna lidhur me studentët që vijnë, problemet e tyre apo edhe sugjerime të ndryshme. Në këtë mënyrë kontrollojmë punën tonë, por mund të them se deri tani kemi pasur një rendiment të lartë dhe besoj se do të vazhdojë ky trend. Është në filozofinë e universitetit që studentët të jenë të përfshirë gjatë gjithë kohës dhe ne si pedagogë kontribuojmë me eksperiencën dhe kohën tonë që ata të bëhen më të aftë në fushat e tyre.

 

 

Stafi i Qendrës së Këshillimit Akademik

Dr. Ina K. Zhupa- Drejtore e QKA, Pedagoge këshilluese

Dr. Aldo Shkëmbi- Pedagog Këshillues

Dr. Teuta Xhindi- Pedagoge Këshilluese

Dokt. Elona Shehu- Pedagoge Këshilluese

Dokt. Andi Duraj- Pedagog Këshillues

Alda Abazaj – Studente Këshilluese për ciklin e studimeve Bachelor

Enela Topulli – Studente Këshilluese për ciklin e studimeve Master

 

 

Shërbimet e ofruara për studentin:

  • Ofrimi i ndihmës për përmbushjen e detyrimeve të programit të studimit.
  • Ofrimi i këshillave dhe zgjidhjeve për vështirësitë që has studenti në përballimin e ngarkesës mësimore.
  • Ofrimi i ndihmës së një natyre sociale dhe më miqësore për probleme të ndryshme që mund të ketë studenti gjatë kohës së studimeve në UET.
  • Lehtësimi i procesit të integrimit të tij në komunitetin studentor dhe mundësia për ta lidhur me aktivitete të shumta ekstra-kurikulare.
  • Konsultim në lidhje me planifikimin e studimeve të metëjshme.
  • Konsultim për planifikimin e karrierës, zhvillimin e saj por edhe ndryshimin e karrieres.

 

 

foto alda abazajAlda Abazaj: Dija rritet duke u ndarë me të tjerët

Studente e ciklit Bachelor në profilin Financë-Bankë, Alda Abazaj, e ka pritur me entuziazëm propozimin për të qenë pjesë e QKA. Përveçse një studente ekselente, ajo është edhe asistent/redaktore në revistën shkencore “Economicus”. Jo vetëm fakti që ka arritur rezultate maksimale në studime, por edhe pasja e një eksperience punë e ndihmon atë në ofrimin e ndihmës akademike për studentët e tjerë. Në fokusin e saj janë studentët e ciklit të parë të studimeve. “Propozimin për të qenë pjesë e QKA e mirëprita me shumë kënaqësi. Mendoj se ekzistenca e kësaj qendre është shumë e dobishme për arritjen e qëllimit  të universitetit, jo vetëm për përmirësimin e përgatitjes akademike të studentëve, por edhe në asistimin e tyre për të ndërtuar një profil tërheqës profesonal për tregun e punës në të ardhmen.  Nga eksperienca personale mund të them se në UET arritja e rezultateve të larta akademike nuk ngelet vetëm një arritje personale por bëhet ‘një e mirë publike’ nga e cila mund të perfitojnë edhe studentët e tjerë. Ndërmjetësi për të bërë këtë shkëmbim është pikërisht QKA”, shprehet Alda. Ajo shprehet se objektivi i qendrës është shfrytëzimi në maksimum i të gjitha burimeve të UET në funksion të studentëve që ata të bëjnë zgjedhjet më të mira për veten e tyre. “Gjatë këtyre 3 viteve si studente e UET, kam përfituar një eksperiencë të cilën kam dëshire ta ndaj edhe me studentët e tjerë për t’i ndihmuar ata të arrijne rezultate më të larta. Ndaj, jam në një mendje me shprehjen që thotë se Dija rritet duke u ndarë me te tjerët, jo duke u ruajtur”, përfundon Alda.

 

enela fotoEnela Topulli: Këshillimi në master ka rëndësi thelbësore për tregun e punës

Enela Topulli aktualisht studion në vitin e parë të ciklit master për Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ajo është pjesë e rrjetit të ekselencës dhe ka vendosur të angazhohet në Qendrën e Këshillimit Akademik. Enela shprehet se “Angazhimi ka të bëjë me optimizimin e studentëve për rezultate më të larta. Gjithashtu qendra përfshin komunikimin direkt me pedogogun dhe studentët e shkëlqyer, të cilët janë të gatshëm të vijnë në ndihmë për të njohur më mirë specifikat e lëndës përkatëse, vështirësitë që mund të paraqesë, si dhe mënyrën se si mund kapërcehen duke mundësuar përthithjen më të mirë të dijes dhe atë që është qëllimi final i secilit, nota 10.” Ajo vlerëson rolin e pedagogut në këtë qendër, pasi janë ata që orientojnë më së miri studentët lidhur me orët e seminareve apo hartimin e detyrave të kursit. Duke folur për studimet master, Enela tregon mënyrën e këshillimit që u jepet studentëve jo vetëm për arritjen e rezultateve të larta në universitet, por edhe mundësitë e shkëmbimeve jashtë vendit. “Diçka tjetër, që vlen të theksohet është këshillimi për programet Master. Kjo konsiston në mënyrën se si studenti të përzgjedhë profilin që i përshtatet në bazë të studimeve në Bachelor, por edhe ku ai mendon se mund të jetë më shumë rezultativ. Gjithashtu do të informohet më hollësisht mbi frekuentimin e lëndëve, çfarë mund të bëjë në rast se rrezikon të humbasë vitin akademik, si mund të transferojë studimet brenda ose jashtë vendit përmes programit Erasmus+ ku UET është universitet partner që ka përcjellë studentë shqiptarë, por edhe ka pritur studentë nga shtete të tjera, duke ofruar gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe facilitetet për të ndjekur studimet.” Në fund Enela jep edhe pritshmëritë e qendrës lidhur me rezultatet e studimeve. “Ajo që pritet nga kjo qendër është që studenti të arrijë rezultate më të larta, të eleminojë dobësitë, të identifikojë mënyrën e të mësuarit për një renditje më efektive të njohurive dhe çfarë është më e rëndësihmja për këto njohuri, të jenë afatgjata dhe ti shërbejnë studentit për të identifikuar profilin e punës dhe drejtimin që dëshiron të marrë pasi përfundon ciklin 5 vjeçar të studimeve.”


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180