Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Propozimi, Gjuraj: Sektori publik dhe privat të trajtohen njësoj

$
0
0

foto gjurajKomisionet e Kuvendit diskutojnë ligjin për pensionet e akademikëve

Ligji i ri për pensionet e akademikëve po diskutohet në komisionet parlamentare, ku diskutimi këtë javë ka përfshirë dhe grupet e interesit. Rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj ishte i pranishëm në seancën e diskutimit në mbledhjen e komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ku parashtroi dhe disa sugjerime. Sugjerimet e Gjurajt si përfaqësues i sektorit privat kërkonin një trajtim të barabartë të dy sektorëve. “Masa e kontributit suplementar që paguhet nga të punësuarit e përfshirë në këtë skemë suplementare, sugjerojmë të jetë e barabartë 5%, si për të punësuarit në sektorin publik, ashtu dhe për të punësuarit në sektorin jopublik”, – tha ai. Gjurajt e argumenton propozimin e tij si më poshtë; a) Si institucionet publike dhe ato jopublike janë subjekte juridike të barabarta në të drejta dhe detyrime. Edhe ligji i ri i arsimit të lartë, i sapomiratuar, i vë në kushte të barabarta. b)Mobiliteti i stafit akademik, nuk ka kufizime ndaj institucioneve publike dhe jopublike. Ato lëvizin me punë nga një sektor në tjetrin. c) Masa e përfitimit të pensionit suplementar është e njëjtë si për të punësuarit në sektorin publik, ashtu edhe për ato jopublike, pavarësisht përqindjes së kontributeve të derdhura nga secili sektor.

Më tej Gjuraj sugjeron që “paga mbi të cilën llogaritet dhe derdhet kontributi suplementar, të jetë paga maksimale mbi të cilën llogariten sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, dhe jo paga referuese të titullit. Llogaritja e masës së kontributeve suplementare mbi pagën referuese të titullit për të punësuarit në sektorin jopublik është praktikisht e pakuptimtë dhe e pazbatueshme. Institucionet jopublike e përcaktojnë vetë nivelin dhe mënyrën e pagave. Në privat nuk ka paga për funksion, për tituj etj. Deri tani institucionet private kanë llogaritur dhe paguar masën e kontributeve mbi pagën maksimale të përcaktuar në kontratë me punëdhënësin dhe jo mbi pagën referuese të përcaktuar me VKM për të punësuarit në sektorin publik”.

Sipas rektorit të UET-it, Neni 4 “Masa e kontributeve”, i trajton në mënyrë të pabarabartë të punësuarit në sektorin jopublik, duke bërë që të rëndojë financiarisht sektorin privat, pasi niveli i pagave është pothuajse dyfishi i pagave të sektorit publik. “Ndryshimi i këtij neni kërkon automatikisht ndryshime edhe në nenin 7 të këtij projektligji, pasi duhet të hiqet termi ‘paga referuese’. Ndërkohë bie plotësisht edhe pika 3 e këtij neni”, u shpreh ai gjatë diskutimit në komision.

Ligji nr. 10139 “Për pensionet shtetërore suplementare të punonjësve të universiteteve, të shkollave të larta, Qendrës së Studimeve Albanologjike, Akademisë së Shkencave dhe të gjitha institucioneve të tjera kërkimore publike në Republikën e Shqipërisë, të cilat kanë tituj shkencorë”, pritet të kalojë së shpejti për votim në Kuvend.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180