Quantcast
Channel: Mapo- Edu – Gazeta Mapo
Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180

Morin: 7 dijet e nevojshme për edukimin e së ardhmes

$
0
0

edgar morinSociologu dhe filozofi i shquar francez vjen në shqip me botimin e UET-Press

 

Si mundet që të edukojmë të rinj që t’i përshtaten së ardhmes në një botë që po ndryshon vazhdimisht? Një prej sociologëve dhe filozofëve më të mëdhenj të kohës sonë i është përgjigjur kësaj pyetjeje duke renditur 7 dijet themelore për edukimin e së ardhmes. Libri i tij më i fundit, “Shtatë dijet e nevojshme për edukimin e së ardhmes” vjen në shqip nga Shtëpia Botuese UET-Press, i përkthyer nga Blerta Hyskaj, me parathënie të Tomi Treskës. Vetë Morin e cilëson këtë libër si të fundit të “trilogjisë pedagogjike”, si një shtjellim të tezave të shprehura në librin “Koka e mbushur plot” dhe “Të lidhësh dijet”.

Botuesi Henri Çili, duke folur gjatë promovimit të librit e cilësoi atë të rëndësishëm për fushën e edukimit. “Edgar Morin nuk është një autor për t’u tejkaluar, apo për t’u kaluar lehtë si një autor didaktik. Libri, të cilin personalisht e kam lexuar në frëngjisht, më ka bërë përshtypje për dy gjëra: e para, për paqartësinë e së ardhmes. Kjo është bërë një temë e diskutueshme gjerësisht kohët e fundit nën dritën e avancimit teknologjik të nanoteknologjive, bioshkencave apo edhe shkencave gjenetike të ADN-së. E dyta, më ka bërë përshtypje një element tjetër: rëndësia e metodës e cila tejkalon, përballon ose ordinon nxënësinë e jashtëzakonshme të informacionit. Këto dy ide thelbësore më duken të rëndësishme edhe për ne si pedagogë, por edhe më tepër se aq, për reformimin e sistemit tonë të brendshëm pedagogjik për lëndët, kurrikulat e çdo dege dhe cikli shkollor. E përmbledhur me pak fjalë, futja e metodës për të përballuar dhe subordinuar rritjen në progresion gjeometrik të informacionit”, – u shpreh Çili ndër të tjera.

 

Tomi Treska: Morin, pionier i teorisë së ndërdisiplinaritetit

Prof. Asco. Dr. Tomi Treska, përgjegjës i Departamentit të Edukimit në UET e cilëson Edgar Morin si një pionier i teorisë së ndërdisiplinaritetit. Sipas Treskës, në botën e shkencës dhe të letrave njihet më së shumti si filozof dhe sociolog, por që ka shkruar në fusha të tilla si: studime mediatike, të politikave, sociologji, antropologji vizuale, ekologji, edukim, biologji dhe në fusha të tjera të dijes njerëzore, ndërsa kualifikimi i tij shkencor është në histori, ekonomik dhe drejtësi.

“Parë nga këndvështrimi i Edukimit, si fushë e veçantë e studimit dhe e dijes, filozofi dhe sociologu Edgar Morin, me veprën e tij “Shtatë dijet e nevojshme për edukimin e së ardhmes”, prezantojnë më shumë një avantazh se disavantazh. Ai është ndërdisiplinar në të gjithë veprimtarinë e tij kërkimore – shkencore, por, nga ana tjetër, edhe vepra e tij e prezantuar në gjuhën shqipe përbën një provë, ku pasqyrohet e shprehet qartësisht, madje me argumente bindëse, nevoja për ndërdisiplinaritet. Vlerat e këtij libri shtohen edhe nga fakti që teoria e tij e identifikuar nga këndvështrimi filozofik e sociologjik”, shprehet Treska. Sipas tij Morin i kushton vëmendje qenies njerëzore. “Qenia njerëzore, këmbëngul ai, është e arsyeshme dhe e paarsyeshme, e aftë të matë dhe të çmatë; e varur ndaj afektivitetit intensiv dhe të paqëndrueshëm; buzëqesh, qesh, qan, por di edhe të gjykojë objektivisht; është serioze dhe llogaritëse, por edhe ankthioze, jetëdashëse, e dehur, ekstazore; është e dhunshme dhe e dhembshur, e dashurisë dhe e urrejtjes; është e pushtuar nga imagjinata dhe pranon realitetin, e di vdekjen dhe nuk i beson, sekreton mitin dhe magjinë, por edhe shkencën dhe filozofinë; është e zotëruar nga Zotat dhe nga Idetë, por dyshon te Zoti dhe kritikon idetë; ushqehet me njohuri të verifikuara, por edhe me iluzione dhe utopi. Dhe Edgar Morinit nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të përcaktojë qenien njerëzore si “homocomplexus””, shkruan pedagogu Treska.

Sipas Treskës, Edgar Morin njihet ndërkombëtarisht për tematikat që kanë të bëjnë me Kompleksitetin dhe Mendimin Kompleks. Krijimtaria e tij shkencore konkretizohet në mbi 60 libra tashmë të mirënjohur, kryesisht në gjuhën frënge.

 

“Synimi, shtjellimi i 7 problemeve të edukimit” 

Sociologu dhe filozofi francez, Edgar Morin, në një parathënie të shkurtër nga vetë ai e cilëson këtë libër si të fundit të “trilogjisë pedagogjike”, si një shtjellim të tezave të shprehura në librin “Koka e mbushur plot” dhe “Të lidhësh dijet”. “Në faqet e tij, lexuesi do të gjejë ide dhe formulime të njohura, tashmë, nga libri “Koka e mbushur plot”, por formulimi dhe shtjellimi i shtatë dijeve themelore për procesin e të mësuarit, paraqiten në formë të re. Secila prej dijeve, që në libër zënë, respektivisht, nga një temë më vete, mund të integrojë disiplina ekzistuese dhe është në gjendje të nxisë dhe zhvillojë aftësitë për të përballuar sfidat e jetës sonë individuale, kulturore dhe shoqërore. Libri nuk trajton tërësinë e lëndëve që mësohen ose duhet të mësohen! Synimi i këtij libri është të paraqesë shtatë problemet themelore që lidhen me edukimin e së ardhmes. Për më tepër, është e rëndësishme që ato të kihen në vëmendje edhe për faktin se janë krejt të panjohura ose, në rastin më të mirë, janë lënë në harresë”, shkruan ai. Më tej Morin thotë se kjo është një fushë plot mistere duke i cilësuar tezat e tij të përkohshme. “Duhet të shtojmë, se arritjet shkencore, në të cilat mbështetet ky tekst për të përcaktuar stadin e zhvillimit njerëzor, jo vetëm janë të përkohshme, por edhe të çojnë drejt mistereve të thella rreth universit, jetës e lindjes së qenies njerëzore. Këtu, kemi të bëjmë me të pavendosshmen ku përfshihen mundësitë filozofike dhe besimet fetare”, pranon ai në parathënie.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 1180