Universiteti Europian i Tiranës organizon këtë të shtunë takimin mbi strategjinë e re të MAS
Drejtorë të drejtorive arsimore në rrethe, drejtorë të gjimnazeve publike dhe private, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, pushtetit lokal dhe ekspertë të fushës së edukimit do të mblidhen këtë të shtunë në një tryezë diskutimi mbi strategjinë e re të arsimit parauniversitar.
“Përshtatja me ndryshimet e sistemit arsimor parauniversitar” është tema që do të mbledhë në Universitetin Europian të Tiranës ide dhe debate mbi reformën e sistemit parauniversitar në vend.
Ky forum është kthyer tashmë në një traditë në UET, pasi çdo vit, një herë ose dy herë në vit në varësi të problematikave që ngrihen për diskutim të gjerë publik për arsimin parauniversitar, UET organizon këto takime me drejtues gjimnazesh nga gjithë vendi, drejtorë të zyrave arsimore rajonale etj.
Së fundmi, një grup ekspertësh të fushës së edukimit, pedagogë në UET, kanë botuar një libër ku janë të përfshira propozimet për ministrinë mbi strategjinë e arsimit parauniversitar 2015-2020, si dhe është bërë një analizë mbi këtë sistem dhe mbi problematikat që e shqetësojnë sot ciklin parauniversitar.
Një nga idetë interesante që pritet të ngrejë debat është propozimi i hedhur nga ky grup ekspertësh për kthimin e shkollës profesionale pas gjimnazit të përgjithshëm dhe për kthimin e gjimnazit në arsim të detyrueshëm.